KËPUTA NJË YLL
Këputa një yll në qiell
Dhe e nisa për tek ti.
Të kërkoi, por nuk të gjeti
As në Jug,
As në Veri.
Këputa Arushën e Madhe,
Një skuadër me shtatë yje.
Të kërkoi nëpër livadhe,
Të kërkoi nëpër pyje.
Më në fund
U nisa vetë
I mërzitur nëpër natë.
Kur ti dole krejt e beftë,
Më fine se hën’ e artë.
DERISA…
Derisa
Në gjithë këtë planet,
Që rrotullohet në pafundësi
Ka njerëz, që zemra u pëlcet,
Për pak dritë e drejtësi,
Ç’duhet bërë me këtë botë?
Ç’duhet bërë me të gjithë ata,
Që ç’ndodh përqark s’duan ta dinë,
Që s’e kuptojnë një pikë loti,
Që s’e kuptojnë një jetë pelin?
Derisa kjo botë
Të rrokulliset kështu,
Plot padrejtësi edhe mjerim,
Më mirë vidhise tej, o Zot,
Krijo një tjetër rruzullim!