Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: Shënime për vëllimin me fabula “Bretkosa dhe akrepi” të shkrimtarit Ilmi Qazimi

649
Sigal

Nga Dhimitër Shtëmbari

Flet e godet me gjuhë të figurshme

Sa më shumë që i njoh njerëzit, ka pas thënë shkrimtari i madh amerikan Mark Tuen, aq më shumë i dua kafshët. Pikërisht kjo sentencë interesante të vjen ndërmend sapo që mbaron së lexuari vëllimin me fabula “Bretkosa dhe akrepi” të autorit Ilmi Qazimi.

Edhe pse është i vogël, ky vëllim është i rëndë. Është me peshë për nga përmbajtja. Ilmiu ka përfshirë brenda tij kafshë, shpendë, insekte dhe bimë. Në sythin e dytë bëhet fjalë për pjesë të trupit të njeriut, që “flasin” e “grinden” me njëra- tjetrën. Flasin e grinden për të na zgjuar mendimin. Ndërsa në sythin e tretë, në të fundit, me gjuhën e Ezopit tregon përralla, gojëdhëna e ndodhi. Siç nuk është vështirë të kuptohet, në këtë syth të fundit autori ka dalë jashtë “pyllit” me kafshë e shpendë dhe, si për të mos u bërë monoton para lexuesit, ka kapërcyer “gardhin” dhe ka dalë te disa fabula të një karakteri krejt tjetër, por gjithsesi interesante. Duke lexuar alegoritë e këtij vëllimi, lexuesit të vëmendshëm do t’i binte  në sy një dukuri e tillë: autori nuk shkon te njeriu për të gjetur kafshën, përkundrazi, shkon te kafsha për të zbuluar njeriun! Lexon fabulën “Bretkosa  dhe akrepi” dhe mendimi të dërgon te të pabesët, të cilët tashmë nuk janë të paktë. Në shumicën e rasteve ky fabulist shfrytëzon edhe përqasjen. Miu (te “Bleta dhe miu”) orvatet të futet në koshere, mirëpo aty gjen gatishmërinë e bletëve për ta asgjësuar!

I mbushur me mllef për shkak të plagëve të kohës sonë, sidomos për shkaktarët e këtyre plagëve, autori i këtij vëllimi flet, por më shumë godet. Qesh, por më shumë përqesh e ngjesh. Humorit i jep zë me tinguj dhimbjeje. Me fjalë të tjera, ai i ka vënë vetes detyrë jo thjesht të na argëtojë e të na bëjë të qeshim. Nga ç’kuptohet, ai orvatet të realizojë tjetrën: të na verë në mendime; të trishtohemi, por edhe të revoltohemi. Të revoltohemi, madje të  ngremë edhe zërin. Te fabula “Syri dhe veshi” ka, si të thuash, katër vargje, por ka pesë a më shumë mendime.Veshtar i madh i asaj që ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Shqipëri, Ilmi Qazimi na paraqitet një krijues inteligjent i fabulës.Ka jetuar dhe vazhdon të jetojë kohën, duke i përvetësuar  (për t’i përfshirë në libër) atë çka shqetëson qytetarin e thjeshtë. I ka ndodhur ashtu sikurse pat qenë shprehur Çarli Çaplini i madh, se “nuk kam pasur nevojë të shkoj në cirk, sepse palaçot origjinalë i kam pas njohur dhe gjetur në jetë”. Lexon tregimthin“Teatër në një pyll me kafshë” dhe kupton se autori ka zbritur në terrenin konkret të shoqërisë shqiptare. Ty, si lexues,të mbetet vetëm të “përkthesh”emrat e kafshëve në emra njerëzish  që njohim. Në shumicën e fabulave të Ilmiut gjen fjalë që ironizojnë, sikurse gjen edhe ironira që flasin. Te një pjesë e mirë e këtij vëllimi dikton simbolikën e shprehur me art dhe artin e shprehur me simbolikë. Te fabula “Kungulli dhe  sqetulla” jepet një subjekt tepër i njohur përmes personifikimesh të goditura. Autori shprehet me gjuhë të figurshme, duke u bërë kështu interpret letrar i mendimit inteligjent të popullit: ironizon tërë ata njerëz të ditëve tona, që synojnë e orvaten të përfitojnë sa më shumë nga taksat publike, duke qenë të përfshirë në tre- katër a më shumë borde!Kafshët kuptohen me njëra-tjetrën edhe pse nuk flasin, ka pas thënë një i zgjuar, ndryshe nga ç’ngjet me shumë njerëz, që, edhe pse flasin, nuk merren vesh me njëri- tjetrin! Këtë logjikë e gjen të shprehur artistikisht në disa fabula të këtij vëllimi. Thuajse te çdo krijim gjen edhe autorin-personazh. Ndërsa  lexon për korbin, pleshtin dhe breshkën te fabula “Korbi dhe breshka”, na bëhet  sikur fare pranë tyre gjendet edhe autori, duke na thënë: e kuptoni se sa e mençur është përgjigja e breshkës? Pra, autorin e gjejmë si të ishte duke folur mbas perdes, duke na e lehtësuar të futemi sa më mirë në filozofinë politike e shoqërore të fabulës.Ilmi Qazimi, përpjekjen e tij të parë për të shkruar fabula e ka bërë në nëntor 1962 kur ishte skënderbegas. Tani ai  na paraqitet jo vetëm e thjesht si një fabulist interesant, por edhe si një shkrimtar – qytetar militant. E theksojmë këtë teksa kemi parasysh faktin, se të gjitha krijimet humoristike rreken të rrezatojnë mesazhe të qarta qytetare. Mbas çdo syresh rri zgjuar një mendim që flet. Kur bëjmë fjalë për fabulat e këtij vëllimi, nuk mund të mos shquajmë aftësinë krijuese të shkrimtarit. Aftësi që shpërfaqet te tematika e zgjedhur. Te subjekti interesant. Te vargu i limuar. Te metrika e larmishme. Te rima e shumëllojshme. Te gjuha e figurshme. Te i tërë ai material i përpunuar me stil të zhdërvjelltë dhe me gjuhë të pasur e të pastër.