Suplementi Pena Shqiptare/ Klodi Stralla: Kaleidoskop, 13 vjet “Facebook”

72
Sigal

INFO

Librin “Kaleidoskop – 13 vjet “Facebook”të përmbledhur në një libër”, mund ta gjeni tek libraria e  Librit Universitar, në Tiranë dhe së shpejti edhe në Amzon.

 

M’u kujtua një lodër nga koha e fëmijërisë time, në Korçë, e quanim – Kaleidoskop. Ishte një tub cilindrik (si dylbia), brenda të cilit ishin pasqyra, xhama të vegjël me ngjyra dhe disa copa letre. Sa herë e tundnim dhe vinim syrin për të parë, shihnim lloj-lloj figurash, me ngjyra dhe forma të shumëllojta dhe tepër mbreslënëse. Prandaj emërtimi “Kaleidoskop” m’u duk një titull i gjetur metaforik, që edhe ky libër të jetë, në duart e lexuesit, si ai kaleidoskopi lodër, që sa herë ta shfletojmë, të zbavitemi, por edhe të mësojmë diçka


Më pëlqen të besoj se nuk ka qënë rastësi që libri im – KALEIDOSKOP – 13 vjet “Facebook” të përmbledhura në një libër, pa dritën e botimit sot, në Ditën e shënuar të Krishtlindjes.

I dashur lexues!

Kanë qenë të shumtë, shokët dhe miqtë e mij, që më kanë sugjeruar dhe nxitur që shumë prej shkrimeve të mia modeste, të postuara ndër vite në rrjetin social “Facebook”, t’i sistemoj, t’i grupoj dhe t’i përmbledh në një libër më vete. Idea m’u duk e mirë, por ajo që më stepte dhe nguroja ishte se si duhej ndërtuar dhe titulluar ky libër. Por, siç ndodh zakonisht në raste të tilla, zgjidhja vjen atëhere kur nuk e pret.

M’u kujtua një lodër nga koha e fëmijërisë time, në Korçë, e quanim – Kaleidoskop. Ishte një tub cilindrik (si dylbia), brenda të cilit ishin pasqyra, xhama të vegjël me ngjyra dhe disa copa letre. Sa herë e tundnim dhe vinim syrin për të parë, shihnim lloj-lloj figurash, me ngjyra dhe forma të shumëllojta dhe tepër mbreslënëse. Prandaj emërtimi “Kaleidoskop” m’u duk një titull i gjetur metaforik, që edhe ky libër të jetë, në duart e lexuesit, si ai kaleidoskopi lodër, që sa herë ta shfletojmë, gjatë kohës të lirë apo edhe në udhetime, të zbavitemi, por edhe të mësojmë diçka, që nuk e kemi ditur më parë. Një lloj “livre de poche” (libër xhepi), si i thonë francezët.

Ky libër, i shkruar nga unë, një i moshuar që tashmë i ka kaluar të shtatëdhjetat, është një libër “sui generis”, pra i një lloji të veçantë: Nuk është një libër i mirëfilltë kujtimesh vetiake të renditura kronologjikisht, ndonse ai sjell para lexuesit shumë kujtime jete; nuk është as një vepër letrare e mirëfilltë, me personazhe të stisur nga unë, ndonse ka brenda tij shumë personazhe reale, që unë i kam njohur gjatë jetës; nuk është as libër me përmbledhje analizash shteruese, politike, ekonomike ose sociale, për ngjarje të sotme ose të kohëve të kaluara, ndonse ka shumë të tilla në faqet e tij; nuk është as “Kalendar enciklopedik”, ndonëse shumë të dhëna enciklopedike janë përfshirë dhe përdorur në të, në funksion të shlodhjes dhe zbavitjes për lexuesit. Është pak nga të gjitha këto së bashku, të renditura e ndërthurrura në mënyrë të tillë që lexuesi edhe të informohet, edhe të kujtojë të kaluarën, edhe të shpresojë për të ardhmen.

Libri nuk ka vijueshmëri në kohë, që po nuk lexove njërën faqe të tij nuk mund të lexosh tjetrën, përkundrazi, ai mund të lexohet në çdo faqe që e hap (kalejdoskop!). Jam munduar, veçanërisht, të përdor një gjuhë sa më të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë moshat dhe nivelet arsimore, me bindjen se një libër që të lodh, të merzit dhe nuk të zbavit, sado i vlefshëm qoftë, është një gjysmë libri. Po ua le juve, lexuesve, përshtypjet dhe vlerësimet për të. Kaq si fillim.