Akademik Kristo Frashëri, institut më vete i historisë në Shqipëri

419
Sigal

Si hyri Kristo te Grupi Komunist i Korçës (1929 – 1941) dhe mori pjesë në demonstratat antifashiste të prillit 1939

Më 1940 Kristo bëhet pjesë e “Grupit Komunist të të  Rinjëve”

-E panjohura e Kristos si ushtarak në Korparmatën III, në Brigadën XVIII, në Divizionin II dhe Brigadën XI

– Në vitin 1966 u dërgua në Përmet, ku punoi deri më 1970, si mësues në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri”

Më 16 qershor 1974, Kristo Frashëri ishte i pranishëm në përurimin e Muzeut të Vëllezërve Frashëri

-Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë, Prof. Aleks Buda, shiritin e përurimit e preu ministri i arsimit e kulturës Thoma Deliana,

Prof. Kastriot Bezati

Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Përmeti”

Kristo Frashëri  – Institut më vete i Historisë në Shqipëri

Kristo Frashëri është personalitet  i shquar i historisë, kulturës, arsimit dhe qytetërimit shqiptar, që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. U lind më 4 dhjetor 1920 në Stamboll të Turqisë, djali i Anastasit nga Frashëri dhe i Dhoksisë nga Ogreni, të dy fshatra të Dangëllisë së Përmetit. Është bir i madh i Frashërit, i këtij fshati të Përmetit,  ku qielli zbret në tokë dhe toka lartësohet në qiell, i këtij fshati  me lartësi 1037 metra mbi nivelin e detit dhe me hapësirë gjeografike 15.5 km2, i cili gjatë ecurisë historike ka lindur e rritur aq shumë figura historike me kontribute të veçanta kombëtare sa është vështirë të gjendet një hapësirë e dytë gjeografike me madhësinë e Frashërit, qoftë kjo hapësirë brenda apo jashtë  Shqipërisë. Është bir i Frashërit të Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, banorët e të cilit njihen për trimëri, guxim dhe mençuri, – thotë Sami Frashëri në veprën e tij ‘Kamus Ul Alam’.

            Më 1924 i ati, vendoset në Tiranë, ku mori edhe familjen më 1927

Anastasi  më 1908 ishte redaktor i gazetës politike e shoqërore “Besa”, e cila dilte në gjuhën shqipe dhe turqishte dhe ishte ndër gazetat e para të shqiptarëve të Stambollit, numri i pare i së cilës doli më 5 nëntor 1908 dhe u botua edhe gjatë vitit 1909. Bashkëpunoi në  gazette me atdhetarët Coli Vreto, Hil Mosi, Sami Pojani e Murat Toptani (dhëndri i Naim Frashërit). Të dy prindërit e Kristos, në vitet e mëdha të LANÇ-it, morrën pjesë në luftë kundër nazifashizmit për çlirimin e Atdheut. Më 1943, Anastasi ishte anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të lagjes “Guerrile” dhe  më 1944 ishte edhe anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qytetit të Tiranës. Dhoksia, në këto vite kur luftohej për jetë a vdekje, në fillim anëtarësohet e më vonë zgjidhet kryetare e Organizatës së Gruas Antifashiste Nacionalçlirimtare të lagjes “Guerrile” të Tiranës. Kristo shkollën fillore  e kreu në Tiranë. Vazhdoi më tej një vit Shkollën Ushtarake Mbretërore, e cila u ngrit më 25 tetor 1928. Largohet vetë nga kjo shkollë dhe vazhdon Gjinnazin e Tiranës, i cili u themelua më 1925, me drejtor Mihal Sheiko, ku dhanë mësim personalitete të shquara të kulturës shqiptare, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Skënder Luarasi, Karl Gurakuqi, Nexhat Hakiu. Kristo e mbaroi gjimnazin më 1940. Mbas çlirimit, në vitet 1947 – 1948,  gjimnazi mori emrin “Qemal Stafa”. Pas gjimnazit, Kristo regjistrohet e vazhdon studimet në Fakultetin e Shkencave Ekonomike  në Universitetin  e Firences së Italisë.

Kristo, qysh në ditët e para  u lidh me LANÇ-in.

U rekrutua në fillim nga Grupi Komunist i Korçës (1929 – 1941) dhe mori pjesë në demonstratat  antifashiste të prillit 1939. Më 1940 ishte në një nga celulat e “Grupit Komunist të të  Rinjëve”, i cili doli grup më vete në fillim të vitit 1940 dhe, në nëntor 1941, me formimin e PKSH, Kristo bëhet përgjegjës i njërës prej 17 celulave të PKSH, që u formuan në Tiranë, si dhe anëtar i Aktivit të Komitetit Qarkor të Tiranës. Më 1942 u burgos 2 herë dhe u internua nga administrata fashiste e okupatorëve të Musolinit. Më 22 maj 1943, Kristo doli partizan në repartet e Pezës ku, qysh më 5 qershor 1940, u themelua nga Myslym Peza, Çeta Antifashiste e Pezës, e cila është edhe çeta e parë antifashiste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë.  Kristo, nga  Peza kaloi partizan në Martanesh, më tej  në Mat dhe për një kohë të gjatë në Dibër e më vonë në Batalionin e Dajtit  dhe, së fundi, në Brigadën XXIII të UNÇSH, formuar më 21 shtator 1944 në Zall – Mëner të Tiranës. Gjergj Frashëri, vëllai i Kristos, mori pjesë në LANÇ,  e cila në Shqipëri vazhdoi 2064 ditë, (7prill 1939 – 29 nëntor 1944), filloi 146 ditë më parë dhe përfundoi 161 ditë gjithashtu më parë se të fillonte dhe të përfundonte Lufta II Botërore (1 shtator 1939 – 9 maj 1945).  Gjergji luftoi me pushtuesit e tradhëtarët  dhe ra  dëshmor për çlirimin  e Atdheut. Nisur nga shkrimet e  Dalan Buxhelit, Xhevdet Shehut e Gjikë Kurtiqit, të botuara në gazetën “Dita” më 25.09.2019 dhe më 04.02.2020, antifashisti Gjergj Frashëri si dhe antifashistët Viktor Gjokoreci, Trajan Pekmezi e Skënder Kosturi, u arrestuan nga ballisto-zogistët më 23 shkurt 1944 në orën 11 dhe, pasi i torturuan, po atë mbadite, në orën 16 i pushkatuan afër xhamisë së Zajmit në Tiranë. Kristo mbas Çlirimit ka punuar në radhët e ushtrisë, në Korparmatën III, në Brigadën XVIII, në Divizionin II dhe Brigadën XI, pastaj në sektorin e kreditit të Bankës së Shtetit. Ndërkohë, më 1951 filloi e pastaj vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik, që është institucioni i pare i arësimit të lartë në Shqipëri, të cilat i përfundoi më 1955.  Dy vjet më parë, më 1953 ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave (1948 – 1957) në sektorin e Historisë së Shqipërisë, pastaj më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (1955 – 1972) dhe, më tej, më 1957 në Fakultetin e Historisëdhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, themeluar më 1957.

Në vitin 1966  u dërgua në Përmet, ku punoi deri më 1970 si mësues në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” të qytetit të Përmetit. Më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë dhe, një vit më vonë, në Institutin e Historisë, formuar më 1972 në Tiranë. Doli në pension në vitin 1999. Gjatë kësaj kohe ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Tiranës, themeluar më 1957.

Kristua ka qënë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, themeluar më 18 dhjetor 1990, ndërsa 4 vjet më vonë zgjidhet kryetar ikëtij Komiteti.  Më 1997 u emrua zëvëndëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, formuar më 10 tetor 1972 me kryetar Aleks Buda. Ridoli, apo doli përsëri në pension, në vitin 1999.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë. Në shkrimin e botuar në gazetën “Përmeti”, në dhjetor 2015, të shkruar së bashku me Prof. Emil Lafen, ndër të tjera shkruanim: “Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjen e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë.

Kristo më 1954 botoi ndër të tjera, punimet kushtuar Luftës së Vlorës të 1920-ës dhe Shoqërisë së Shkronjëzave Shqipe të vitit 1879. Po në këtë vit, më 1954, ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe, 4 vjet më vonë, më 1958, botoi një vështrim mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun. Eshtë bashkautor i Historisë së Shqipërisë, Vëllimi I, më 1959 dhe i Vëllimit II, botuar më 1965. Ka botuar shkrime historike mbi Historinë e Skënderbeut (broshurë 60 faqesh) më 1962 dhe Historinë e Shqipërisë (një vështrim prej 360 faqesh) më 1964.

Gjatë qëndrimit në Përmet ai ka dhënë një kontribut në fushën e arsimit, të historisë dhe të muzeumologjisë të rrethit të Përmetit. Në këto vite ka shkruar edhe tre punime: mbi parauejt si banorë të lashtë të Luginës së Vjosës, mbi rininë e Naim Frashërit dhe mbi iluministin Kostandin Duka. Në vitet 1970-1971,  Kristo Frashëri, së bashku edhe me arsimtarët, studiuesit  Mikail Kote e Vasil Theodhori përgatiti në 2 vëllime  maketin e librit  për diskutim “Përmeti gjatë LANÇ-it, 1939 -1944”. Përmeti, ashtu si dhe shumë treva të Shqipërisë, ka kontribute  të  veçanta gjatë LANÇ – it.

Më 1971, Kristo Frashëri, rikthehet në Institutin e Historisë.

Eshtë bashkautor  i ‘’Histoire de l’Albanie’’ (Lion, 1974). Më 1979 dha kontributin e tij në hartimin e tekstit të parë të Historisë së Shqipërisë për Shkollat e Mesme, ndërsa në vitet 1980 – 1981 jep kontributin e tij në ngritjen e Muzeut ‘’Gjergj Kastriot Skënderbeu’’, në Krujë.

Më 1984 botoi monografinë ‘’Abdyl Frashëri’’, e birit të madh të Përmetit dhe Shqipërisë, i cili tha fjalët e fundit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: ‘’Shqipëria do të bëhet!’’. Dhe u bë Shqipëria më 28 nëntor 1912. Dhe u bë edhe Kosova më 17 shkurt 2008.

Kristo  është bashkautor e bashkëredaktor i ‘’Historisë së Shqipërisë’’, Vëllimi II, 1984, si dhe bashkautor i ‘’Historisë së popullit shqiptar’’, Vëllimi II, 2002. Është autor edhe i një varg zërash në ‘’Fjalorin enciklopedik shqiptar’’ në tre vëllime (2008-2009). Më 1997 boton monografinë dy vëllimshe:‘’Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 – 1881’’, më 2002 veprën ‘’Skënderbeu – jeta dhe vepra’’ dhe më 2004, librin ‘’Historia e Tiranës’’. Të tjera vepra të tij janë: ‘’Burimet historike shqiptare në shekullin XV për Skënderbeun (në orgjinal dhe përkthimi shqip), 2005, ‘’Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj’’, 2005, ‘’Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878 -1941’’, 2006, ‘’Identiteti kombëtar shqiptar’’, 2006, ‘’Historia e qytetërimit shqiptar’, 2008. Eshtë autor i librit ‘’Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)‘’, 2009, si dhe i studimit  ‘’E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit’’, 2010.

Më 2010, Kristua botoi librin ‘’Frashëri – shkëlqimi dhe rënimi i tij’’, libër i jetës së trungut të familjes së Kristos, emrin e të cilit familja dhe vetë Kristo e mbajnë si mbiemër me krenari, emër  që e do e gjithë Shqipëria. Kristo Frashëri ka marrë dy herë Çmimin e Republikës, të Klasit I dhe të Klasit II, më 1961 dhe më 1989. Eshtë nderuar me urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit I. Më 01.12.2000 është dekoruar me Urdhërin “Mjeshtëri Madh” dhe më 17.12.2007 me Urdhërin “Nderi i Kombit”.

Kristo Frashëri ka mbajtur lidhje të vazhdueshme e të ngushta me Frashërin, Dangëllinë dhe Përmetin dhe  ka dhënë kontribute të vyera në rrafshin historik, arsimor e kulturor edhe për trevën e Përmetit. Më 9 shtator 1973 kam shkuar në Frashër me Prof. Kristo Frashërin dhe, bashkë me ne, ishte dhe nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Në atë kohë unë punoja për ngritjen e Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, ndaj dhe idetë e Prof. Kristo Frashërit si dhe të nipit të Sami Frashërit, Emin Ererit, kishin rëndësi të veçantë për rritjen në vlera historike e kulturore të Shtëpisë Muze të Abdylit, Naimit e Sami Frashërit.

Më 16 qershor 1974, Kristo Frashëri ishte i pranishëm në përurimin e Muzeut të Vëllezërve Frashëri. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Akademisë, Prof. Aleks Buda, shiritin e përurimit e preu ministri i arsimit e kulturës Thoma Deliana, ndërsa  unë  i njoha studiuesit, gazetarët e qytetarët me materialet e ekspozuara në stendat e vitrinat e Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri. Prof. Kristo Frashëri, së bashku me profesorët e tjerë të shquar të historisë, letërsisë, kulturës e arsimit, ndër të cilët ishin të pranishëm edhe Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Stefanaq Pollo, Kadri Baboçi, Jakov Xoxe, Shefqet Musaraj, Llazar Siliqi, Xhevahir Spahiu, Jorgo Bulo e Gazmend Shpuza, firmosën në Librin e Përurimit të Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri. Të pranishëm, nga familja e Vëllezërve Frashëri, ishin edhe mbesa e Naim Frashërit, Naime Rusi dhe nipi i Sami Frashëri, Emin Ereri. Kristo Frashëri si biri madh i trevës së Përmetit dhe për vlerat e mëdha që i ka dhënë kombit që e lindi, u shpall “Qytetar Nderi i Përmetit” nga Këshilli i Bashkisë së Përmetit më 02.03.2004 dhe nga Këshilli i Komunës së Frashërit,  u shpall “Nderi i Frashërit” më 30.04.2007. Kristo Frashëri mbrojti mbijetesën nga tjetërsimi në Kishë të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Me cilësinë edhe të drejtorit të Qendrës Kulturore të Bashkisë Përmet, unë kam mbrojtur në organet e drejtësisë dhe në masmedia, si dhe e mbroj edhe sot, Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, kam qenë e jam kundër qëndrimit të Kryepeshkopit, Hirësisë së Tij, Z.Anastas Janullatosit, për ta kthyer Pallatin e Kulturës në Kishë, si dhe kundra ndërhyrjeve të nacionalistëve të Greqisë, për ta helmuar e asgjësuar këtë institucion kulturor të kombit në  Përmet, kam  mbrojtur e mbroj Ligjin e Shqipërisë. E vërteta. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” u projektua, u investua dhe u ndërtua nga shteti dhe, nga e gjithë sipërfaqia e truallit prej 584 m2 mbi të cilin u  ngrit, vetëm 25 m2 i takon truallit të ish Kishës Shën Maria e Pazarit. U përurua më 28 Nëntor 1962, në kuadrin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 18 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Konflikti midis  Bashkisë dhe Kishës, përsa i përket pronësisë së Pallatit, filloi më 25.09.1997 dhe përfundoi  më 05.05.2004 dhe, të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Shkallës I, Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 1640 datë 14.10.2003 dhe Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 66 datë 05.05.2004, vendosën të gjitha mbijetesën e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”.  Më 29 maj 2007, Kristo Frashëri dhe 35 profesorë, akademikë e shkrimtarë, nga tëcilët cilësojmë: Dritëro Agolli, Ylli Popa, Luan Omari, Farudin Hoxha, Jorgo Bulo, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Valentina Duka, Marenglen Verli, Muzafer Korkuti, Afërdita Onuzi, Perikli Çuli, Emin Riza, Valter Shtylla, Zhani Ciko, Xhelal Gjeçovi, Gazmend Shpuza, Apostol Kotani e Stiljan Adhami, në letrën drejtuar Presidentit Alfred Moisiu, Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares së Parlamentit Jozefina Topallit, shkruajnë: “Kush mbron kulturën, mbron edhe Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” … Jemi në mbrojtje të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” Meqënëse në Përmet nuk ka banorë grekë, nacionalistët e Athinës përpiqen ta helenizojnë. Shtëpia e Kulturës, e cila mban emrin e Naim Frashërit, nuk mund t’i shërbejë për asnjë çast platformës heleniste të Athinës. Kjo është  arsyeja përse Hirësia e Tij ngul këmbë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë Ortodokse”, – shkruan Kristo Frashëri më 26 gusht 2013. Unë, ndër të tjera, më 5 maj 2015 dhe më 10 tetor 2016, i jam drejtuar Kryeministrit Edi Rama, së pari, për mbrojtjen dhe rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” dhe, së dyti, për miratimin dhe fillimin e realizimit të idesë së ngritjes së Panteonit në Natyrë të Përmetit, kryesisht me vepra arti në sklulpturë, kushtuar figurave madhore me vlerë kombëtare të trevës së Përmetit.  Më 11.05.2009  Kristo Frashëri është nderuar  me titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Peshkopisë” nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Peshkopisë dhe, më 23 mars 2012, me Vendimin Nr. 6 të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës. Emrin “Kristo Frashëri” e mban edhe një shkollë e mesme e ndërtuar në “Don Bosko” në Tiranë.

Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, por është dhe do të mbetet një Apostull i Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit në Shqipëri.