Agron Mema:Reportazh me fermerët e Konispolit: Bukuritë e dorës së njeriut dhe indiferentizmi i shtetit

369
Sigal

Nga Konispoli, grykës për tek Çuka e Ajtoit, të ecësh Fushës së Rrahut deri në buzëdet e këmbët e Milesë, e të dalësh tek lisaretë e Sorronesë, të duket vetja sikur je në një planet tjetër. Kudo gjelbërim. Drufrutorë dhe agrume; shegë, ullinj, mandarina e limonë, portokaj e vreshta që verdhojnë e kuqëlojnë magjishëm e të mahnitin, aq sa mendon se je në një galaktikë tjetër, në një galaktikë të blertë ku frutat kuqëlojnë e verdhojnë si të jenë yje dhe hënë. Provojmë mandarinat, portokajt dhe limonat e shijshëm, pa harruar shegët e dobishme për treg dhe shëndet, por të përzier me aromën dhe shijen e vajit të ullirit i sapodalë nga fabrika. Harmoninë orkestrante e bëjnë zilet dhe këmborët e shumta pllajave të maleve të Milesë e Seraqinit, deri në kodrat e Kreshmoit. Kombinate të përpunimit të qumështit dhe magazina të grumbullimit të prodhimit bujqësor.Shohim rrugët rurale që lidhin parcelat me rrugën kryesore dhe duket ndjeshëm përmirësimi ifnrastrukturor i investimeve nga bashkia e Konispolit dhe kryetari i saj, Shuaip Beqiri. I sheh, i prek, i ndjen, i shijon këto ritme zhvillimi të kësaj zone në agro-biznes dhe mendon se me të drejtë i kanë quajtur si “kryeqyteti i bujqësisë shqiptare”. Prodhimi është i shumtë e i mbarë, falë punës, përkushtimit dhe investimeve të këtyre fermerëve, por shikon dhe ndjehet një farë trishtimi në sytë e tyre. Breshëri që ra këtë fillimvjeshte dëmtoi rëndë prodhimin e agrumeve dhe ullirit, dëm që sipas ekspertizës së specialistëve shkon deri në afro 40%. Dëm i madh, por nuk shikon asnjë dritë jeshile dhe asnjë shpresë për kompesim nga shteti. Po sikur të mos mjaftonte ky dëm i natyrës, fermerët shprehen se edhe tregu ka rënie të ndjeshme krahasimisht me vitet më parë. Shteti duhet të jetë rregullator në tregun e prodhimit vendas dhe jo vetëm të kërkojë tatimet dhe taksat dhe të premtojë e mos të jap asgjë.

Vetë fermerët kanë ngritur në këtë zonë tre-katër pika grumbullimi të prodhimit për të lehtësuar tregun, por siç pamë e na thanë, procesi i vjeljes po ecën ngadalë, megjithëse është në fazën kulminante të saj. Kërkesë–oferta ka rënie të ndjeshme, ndoshta nga konkurenca, por fermerët janë në hall, por asnjë nuk ua qan. Ndodhen totalisht të braktisur nga shteti në këtë investim të madh, përveç premtimeve boshe që kanë marrë nga demagogët qeveritarë. Gjithmonë, këta shtatë vitet e fundit janë goditur fermerët e kësaj zone. Vitet e kaluara i rëndonte politika e referencës në doganën e Qafë-Botës, ku trari ulej e ngrihej “pa doganë”, sipas interesit klientelist duke dëmtuar interesat ekonomike të fermerëve të kësaj zone me futjen e mandarinës greke në Shqipëri. Këto janë trajtuar në shtyp vitet e kaluara, por në vesh të shurdhër.

Nga ajo që pamë, duket qartazi se arritje të tilla dëshmojnë shumë për punën e këtyre njerëzve duarartë, por nuk po gjendet një zgjidhje përfundimtare, e frytshme, për plotësimin e nevojave të konsumatorit dhe sigurisë së tregut për fermerët të cilët, me ç’kanë arritur dhe synimet që kanë, mund të themi se po materializohet orientimi i tyre për rritjen e ekonomisë familjare dhe sigurimin e të ardhurave materiale për rritje investimesh dhe për një jetesë normale në fshat. Këto arritje na entuziazmojnë e kënaqin, po disi gjendja me tregun na dëshpëron. Duhen rishikuar politikat e qeverisë në mbështetje të fermerëve, të cilët çdo gjë e kanë arritur me sakrifica të mëdha dhe punën e tyre të gjatë e këmbëngulëse, pse jo dhe tepër të guximshme. Fermerët na thonë se sigurimi i këtyre arritjeve nuk ka qenë i lehtë. Në rrugën e tyre u është dashur një luftë e ashpër me pengesat qeveritare dhe natyrore që u kanë krijuar vështirësi të shumta. Këto qëndrime ndaj tyre kanë dëmtuar ndjeshëm të ardhurat e pritshme dhe të planifikuara. Të tregojnë pemët e mbushura plot me kokrra duke ngritur supet lart, të pashpresë, mes një vështrimi të lëngëzuar. Kjo situatë ndjehet dhe preket tek këta fermerë punëtorë të palodhur, por shteti vijon të heshtë për kompensimin e prodhimit të dëmtuar, vijon të bëjë shurdhin dhe të paditurin. Por pavarësisht kësaj situate, fermerët vijojnë punën, dëmet t’i kompensojnë me investimet e tyre dhe të shpresojnë tek mbijetesa ndaj dëmeve të shumta, të shpresojnë tek e nesërmja, pasi shpresa vdes e fundit. E gëzofshi ç’farë keni arritur me djersën e ballit , o punëtorë duarartë, o njerëz të sakrificës, vullnet hekurt e të palodhur! Dhe ja tek na afrohet edhe Petrit Mulla, një nga fermerët e kësaj zone, ai vjen sëbashku me djalin e tij Aliun, i cili ka mbaruar studimet e larta për menaxhim-biznes, por dyert e punësimit në shtet janë të mbylluara dhe është vetëpunësuar në fermën e tij. Jo, -na thonë,-urimet për fermerët jepen me gotën e rakisë. Dhe na kthjejnë në klubin e ngritur në Lëmin e Rrahut nga vëllezërit Zotaj, të cilët kanë edhe fermën aty, edhe magazinën e grumbullimit. Dhe ngrihet gota e urimit me rakinë e re nga vreshtat e tyre: Gëzuar dhe njëherë e mot më shumë! Shëndet dhe bereqet!