Jonida Qirko: Mumtaz Dhrami përjetëson në bronx Gjirokastrën

538
Sigal

Në Gjirokastër u zbulua për herë të parë bazoreliefi që paraqet Sahatin, Kështjellën, banesat Monument Kulture

UNESCO përjetësohet në bronx nga skulptori Mumtaz Dhrami

Jonida Qirko

Në Gjirokastër u zbulua për herë të parë bazoreliefi në bronx i realizuar nga Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami, Nderi i Kombit, vendosur në murin e Memorialit të UNESCO-s. Një vepër e re simbolike arti i shtohet dhe hijeshon Qendrën Historike të qytetit të Gjirokastrës. Fjala është për një bazoreliev të derdhur në bronx, vepër e Skulptorit te Popullit Mumtaz Dhrami, e cila është vendosur dhe zbuluar sot së në murin simbolik që përjetëson pranimin e qytetit muze të Gjirokastrës nga UNESCO, si një vlerë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Bazorelievi paraqet të skicuar një pamje të përgjithëshme të qytetit me Sahatin, Kështjellën, banesat Monument Kulture, simbolin e UNESCO-s dhe një mesazh në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, i cili u bën të ditur vizitorëve dhe turistëve, se prej Korrikut 2005, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Kjo vepër artistike e mjeshtrit të madh të daltës, skulptorit me origjinë gjirokastrite Mumtaz Drami, është pjesë e projektit që ka si qëllim përmirësimin e imazhit të mëparshëm të këtij memoriali, që në mënyrë simbolike është vendosur aty pas pranimit të Gjirokastrës në UNESCO, pasi vlerat e këtij objekti ishin zbehur nga koha. “Ky projekt i Qendrës Kulturore Mediatike ‘Antigonea’, gjeti mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe përkrahjen e Bashkisë së Gjirokastrës, pasi ndryshimi i pamjes së memorialit ishte bërë i nevojshëm dhe për faktin tjetër, se ai gjendet në hyrje të Zonës Historike dhe Pazarit Karakteristik, pikërisht në zonën me trafikun më të lartë të vizitorëve dhe turistëve”, tha sot (dje) në ditën e përurimit kryetari i QKMA, gazetari Engjëll Serjani. Sipas statistikave zyrtare, Gjirokastra vizitohet çdo vit nga rreth 160 mijë turistë vendas dhe të huaj. Kjo ndërhyrje në këtë objekt simbolik, që tashmë ka zënë vend në këtë nyje të Gjirokastrës turistike, ishte e nevojshme dhe u krye në kohë, në kuadrin e 15- vjetorit të pranimit të Gjirokastrës dhe Polifonisë Shqiptare në UNESCO.

Kompozimi artistik i pllakës së re të Memorialit, QKMA ia besoi një artisti shumë të njohur gjirokastrit, sikurse është Nderi i Kombit, Skulptori i Popullit, Mumtaz Dhrami. Ideja artistike e autorit përfshiu një rikonceptim tërësor, duke derdhur në bronx përmbajtjen e mesazhit të shkruar në dy gjuhë dhe një pejzazh të përgjithshëm të qytetit, vendosur midis logos së UNESCO-s dhe simbolit “Ëorld Heritage” (Trashëgimi Botërore). Derdhja në bronx e kompozimit të ri të autorit Mumtaz Dhrami, nënvizoi gazetari Engjëll Serjani, e bën këtë simbol edhe më të bukur artistikisht, edhe më tërheqës për vizitorët, por edhe më jetëgjatë. Kësisoj, krahas përmirësimit të pamjes së përgjithëshme, me bazorelievin e ri të derdhur në bronx, Memoriali ruan në vazhdimësi pamjen e murin të gurit të ndërtuar në këtë vend në vitin 2006, në njëvjetorin e pranimit të Gjirokastrës në UNESCO dhe me rastin e vizitës së ish-Zëvendës Drejtorit  të Përgjithshëm të UNESCO-s, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Mounirv Bouchenaki, Doktor i Arkeologjisë, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Kategoria II, Qendrës Rajonale Arabe për Trashëgimi Botërore (ARCËH) dhe Ish-Drejtori i Përgjithshëm i ICCROM. Përfshirja e vlerave të trashëgimisë arkitekturore dhe urbanistike tradicionale të Gjirokastrës dhe Iso-Polifonisë në listën e vlerave të Trashëgimisë Kulturore të Botërore të mbrojtur nga UNESCO, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Gjirokastrën dhe Shqipërinë. Kjo organizatë ndërkombëtare, që njihet si tempulli më i lartë i kulturës botërore, përcakton me protokolle dhe karta të posaçme kriteret shkencore dhe profesionale të mbrojtjes dhe promocionit në nivel ndërkombëtar.