Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Moj vetullbardha, buzë detit

60
Sigal

Sarandës, djepit kulturor të Çamërisë

Moj princeshë nga qielli ulur
me kurorë madhështie,
të merr fjalën ta bën pluhur
kur nxjerr hiret mes shkëmbinjve.
Moj princeshë në brigje Joni,
në agimet dritëlara.
Ja, këtu ka nisur zoti
bukuritë që ka Saranda.
Bota e madhe pa kufinj
me kështjella, gurë e male!
Këtu dielli bën krushqinë,
me ullinj e portokalle.

Vetullbardha buzë deti
ç’dorë, moj, të ka ujdisur?
Me gjithë yjet që ka qielli
Ballin-o ta kanë stolisur.
Dhe kur dhëmbët i nxjerr dimri,
dhe tufanet vijnë te dera,
ti vjen pranë si trëndafili
çelur- në tre pranvera.
Dëgjoj zënë e lashtësisë
nëpër dallgë pi verë amfore!
Moj shenjtorja që sjell dritë
Jepna frymën engjëllore.

Kur na merr syrin dogana
gjoksdjersitur, supelodhur.
Ti na vjen si në përralla,
na fshin ballin e rrudhosur.
Kur zgjatojnë udhë bote
trastë ngarkuar, halleshumë
Marrim fjongon kaltërore
nga ky breg e nga ky muzg.
Kur na mbyt një natë kurbeti,
dhe dysheku bëhet ferrë.
Dhe një gur i marrë prej deti
bëhet diell, luleshqerrë.