Engjëll Musai/ Pas “Betejës për 20 përqindëshin” të Prof.Dr. Ardit Bido, edhe ‘shqiponjat do të bisedojnë me retë shqip’

66

-Nuk ka gjë më të bukur për Prof. Asc.Dr. Ardit Bido që “Beteja për 20 përqindshin” nisi nga Kryeqyteti i shqiptarëve Tirana dhe u mbyll në qytetin e Pavarësisë Kombëtare, në Vlorë.

-Thoma Cero: Jam i bindur se valët e bregdetit do vallëzojnë shqip. Jam i bindur që bekimet stërgjyshore dhe të tëra këto fshatra do të dalin në jetë të jetëve shqip. Edhe “shqiponjat do bisedojnë me retë shqip.”

Sigal

Përgatiti Engjëll Musai,

Drejtor i ‘Telegraf’

“Gjithsecili është i detyruar t’i shërbejë atdheut të tij pa shpërblim. Nuk është për t’u qortuar edhe ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet. Por s’ka poshtërsi më të madhe se të vësh atdheun në rrezik për interesa personale”. Pikërisht këto fjalë të arta të Sami Frashërit, ideologu i Rilindjes Kombëtare, gjuhëtar, enciklopedist, romancier, leksikograf, dramaturg dhe përkthyes m’u kujtuan kur po hidhja disa mendime për librin e studiuesit, por edhe kolegut të gazetarisë dhe medias Prof. Assc. Dr. Ardit Bido. Mendoj dhe gjykoj  se prezantimi i librit të tij “Beteja për 20 përqindshin”, ka brënda disa të vërteta, të cilave “Akademiku i Rilindjes Kombëtare” Sami Frashëri i ka paraprirë rreth 130 vite më parë. Kur studiuesi Bido flet për 20%, ka lënë pak më shumë rezerva, sepse në takimet e tij kishte minoritarë, por edhe “beleristë” me të cilët pas shumë diskutimesh, pse jo edhe me pak polemika u gjet një mirkuptim duke rënë dakord se ‘pilurjotët’, ‘vunjotët’ etj janë shqiptarë. Pra e vërteta është se 14.5% shkojnë me vetidentifikim grek dhe se nuk ka përçarje përmes së vërtetës, por ka vetëm ndërhyrje të qëllimshme dhe joshje nga nacionalistët politikë, pse jo edhe të disa qarqeve me nuanca fetare, ndaj personave dhe familjeve, që nuk kanë lidhje me minoritetet, por për interesa të çastit, si pensione, shpërblime dhe leje qëndrimi deklarojnë të kundërtën, madje duke pasur edhe dy emra një për në Greqi dhe një për në Shqipëri. Duke analizuar këtë fenomen më kujtohet një thënie e një mikut tim arvanitas në vitet e pas demokracisë, i cili thoshte se: “ Shqiptarët kanë dy emra, por edhe dy mëndje, një për në Shqipëri dhe një për në Greqi. Ndaj jo paqëllim  në hyrje të këtij shkrimi modest nga ana ime për librin  “Beteja për 20 përqindshin” të Prof.Assc. Dr. Ardit Bido përdora fjalët e arta të ideologut të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, pasi janë të vërteta që po i përjetojmë edhe sot pas 130 vitesh nga citimi i tij.

Studiuesi Ardit Bido zhvilloi një tur prezantimi të librit të tij “Beteja për 20 përqindshin” në Delvinë, Sarandë, Konispol, Himarë dhe Vlorë. Libri trajton fluiditetin e identitetit etnik në tri fshatra të Himarës dhe në popullsinë kuçovllehe të Konispolit dhe implikimet politike, që tentohen të krijohen artificialisht përmes censusit të këtij viti.

Përpara më shumë se 300 pjesëmarrësve në Delvinë, dhe në prani të dhjetra intelektualëve dhe studiuesve, Prof.Assc. Ardit Bido ka theksuar se ka një përpjekje për të shtuar artificialisht numrin e popullsisë me vetidentifikim grek, duke cënuar realitetet që shqiptarët dhe grekët e zonës i njohin mirë dhe jetojnë në paqe të plotë.

Sipas tij: “Kjo bashkëjetesë e këtushme që ne këtu, delviniotët, dhe unë s’di ndonjërin që thotë ‘delviniot’ për të përfshirë vetëm shqiptarët, pa llakaqotët, apo ndonjë llakaqot që thotë ‘delviniot’ për të përfshirë llakaqotët pa përfshirë shqiptarët. Dhe gjithmonë them ‘minoritarët’ sepse ata janë 100 % grekë etnikë, krenarë dhe 100 % shqiptarë, bashkëqytetarët tanë. Përmes këtij libri tentoj të pasqyroj tentativat, në radhë të parë pse ne kemi në tre fshatra, Himarë fshat, Dhërmi dhe Palasë, fshatrat e vetëm greqishtfolës të Himarës, pse kemi fise që identifikohen si ‘greke’ dhe ‘shqiptare’ historikisht. Ky është ‘fluiditeti i identitetit’, një koncept shkencor që ne në Ballkan, në nacionalizmat tona, e harrojmë. Por, që është një koncept shkencor i rëndësishëm, i trajtuar kudo në botë. Dhe, po ashtu, ndër ata vllehë të Konispolit, të cilët janë të vajtur pas ’45-s, janë kuçovllehë, janë me origjinë nga Pindi, të cilët kanë po ashtu disa vetëidentifikim shqiptar, disa vetëidentifikim ‘grek’ dhe disa ‘vlleh’.”, është shprehur Bido.

Gjatë bashkëbisedimit ai u ndal edhe tek Mursia, i cili është një fshat ortodoks shqiptar në Konispol, ku në vitin 2011 pati shënim të rremë si grekë, duke e çuar artificialisht numrin e grekëve në Konispol në mbi 20%. Një nga pjesmarësit e takimit, mësuesi mursjot Thoma Cero sqaroi thelbin e debatit. “Jemi në një situatë, ku në zonën e fshatit tim, Mursisë, pretendohet për minoritet. Është absurde. Unë gjysmën e krevatit e kam grek, kam gruan minoritare. Dhe nuk e mësova greqishten tërë jetën. Ku dolën këta minoritarë?! Në 1904-n hapën shkollë greke në Mursi, ku nuk dinin asnjë fjalë greqisht. Një misionar francez erdhi atëherë për të studiuar kufirin dhe ndenji edhe në Delvinë, nga ku tha se bashkëjetësën që pa këtu, do të donte ta shihte në Europë pas 200 vjetësh. Jam i bindur se valët e bregdetit do vallëzojnë shqip. Jam i bindur që bekimet stërgjyshore dhe të tëra këto fshatra do të dalin në jetë të jetëve shqip. Edhe shqiponjat do bisedojnë me retë shqip. “, është shprehur Z. Cero.

Një takim i jashtzakonisht i ngrohtë u zhvillua me intelektualët e Sarandës, me pjesmarrjen e të gjitha komuniteteve të atij qyteti, labë, minoritarë grekë, çamë, bregas dhe komuniteti i shoqatës “Tomorri” me banim prej më shumë se 50 vitesh në Sarandë dhe Ksamil. Pjesmarrësit e shumtë vlerësuan paanshmërinë e studimit dhe bashkëjetesës në këtë zonë. Pedagogia e historisë, Dr. Esmeralda Kolaneci, ka vlerësuar se ky botim ka karakter shkencor dhe hedh hapin e parë në kryerjen e studimeve të thelluara, që do t’u shërbenin studentëve dhe strukturave shtetërore. Më tej ajo shprehu vlerësimin maksimal si për anën profesionale, përgjegjshmërinë dhe ligjshmërinë e librit të studiuesit Ardit Bido “Beteja për 20 përqindshin. Sipas saj “Prof. Bido është personi adapt për të bërë studime të tilla, prandaj ka ngritur peshë edhe opinionin publik dhe ka marrë vlerësime maksimale të njerëzve të botës akademike dhe të letrave.

Harta e perandorisë Austriake, Turqisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë nga S.a. Mitchell në 1864

Padyshim takimi më i rëndsishëm në të gjithë komponentët e tij ishte ai i  Himarës, ku morën pjesë disa dhjetra vunjotë, pilurjotë, qeparotas e borshjotë me vetidentifikim shqiptar dhe himarjotë me vetidentifikim grek e shqiptarë. Bido ka nënvizuar se përmes nacionalizmit politik tentohet të prodhohet një 20 % i paqenë, që do të kishte implikime politike afatgjata. Po ashtu, ky artificialitet, do të sillte për rrjedhojë sipas tij dëmtimin e kohezionit të komuniteteve të atjeshme që jetojnë në harmoni, çka ka nisur edhe përmes propagandës në rrjete sociale të këtyre nacionalistëve politikë. Qëndrimi dhe fjala e Prof.ASSC.Dr. Ardit Bido u prit me shumë interes nga të pranishmit. “Erdha për prezantimin e një botimi, i cili ka të bëjë edhe me Himarën, edhe me Konispolin, por ka të bëjë me të gjithë. Çfarë feje e çfarë etnie kemi, e kemi marrë vesh që 15 vjeç me shokët tanë të fëmijërisë. Këto kthehen në çështje politike, në çështje të interesave ekonomike dhe jo ashtu siç janë, si çështje të realiteteve lokale, të cilat janë të kahershme.” -deklaroi studiuesi Bido në fund të fjalës së tij .

Takimi i radhës, por jo i fundit për prezantimin e librit u zhvillua në Konispol, ku personat me vetidentifikim grek nuk tejkalojnë 13%, në prani të dhjetra studiuesve të qytetit, Markatit dhe Mursisë. Vlora e Pavarësisë Kombëtare ishte qershia mbi tortë, aq më tepër që jemi në pritje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Në krah të studiuesit ,Prof.Assc.Dr.Ardit Bido ishte enciklopedisti i Vlorës, profesor Bardhosh Gaçe si dhe Odise Çaçi, i cili është nga Palasa, një prej tre fshatrave me fluiditet të identitetit në Himarë. Dhe nuk ka gjë më të bukur për Prof.Ardit Bido që “Beteja për 20 përqindshin” nisi nga Kryeqyteti i shqiptarëve Tirana dhe u mbyll në qytetin e Pavarësisë Kombëtare, në Vlorë.

E nisa këtë rrëfim modest të librit të studiuesit Prof.Assc.Ardit Bido “Beteja për 20 përqindshin” me një thënie të ideologut të “Rilindjes Kombëtare” Sami Frashëri” dhe po e mbyll me fjalët e patriotit dhe luftëtarit Cen Elezi Ndreu: “Kurrë mos tradhëtoni Atdheun! Edhe 1000 trimni m’i ba pas tradhëtisë nuk kanë vlerë !” Ndoshta libri i studiuesit Ardit Bido tregon se ai është një atdhetar i vërtetë, por edhe frymëzues i vlerave euro-perëndimore drejt të cilës të gjithë ne ëndërrojmë.