Evdal Nuri: 5- Maji  dhe familja e Vrionasve

974
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ata nuk vunë lule të freskëta në Altarin e Lirisë,  por gjakun dhe jetën e tyre

Vrionasit, dëshmorë e patriotë
Ata nuk vunë lule të freskëta në Altarin e Lirisë,  por gjakun dhe jetën e tyre. Mund të mos shkonin në luftë si shumë shokë të tjerë. Sot i kujtojmë  për  trimëri e patriotizëm. Jetuan shumë pak, pjesën tjetër të jetës ia falën Atdheut që e donin  aq shumë si paraardhësit e tyre .

I pari, Hamdi Vrioni.  Për të është folur pak. Arsyeja se familja e tij ka qenë e heshtur, ose më mirë të themi, e “mbërdhitur”, pasi pas çlirimit, shiheshin si bejlerë. Në fakt, ishte nga një derë e madhe. Hamdiu ka qenë  natyrë  e qetë, por trim. Më kanë folur Sazani partizan i Brigadës I-rë Sulmuese,  veterani  Xhafer Frashëri e të tjerë. E ëma Shazia, kur mori lajmin e vdekjes, i ra të fikët. Shumë  kujtime i mësuam nga motrat e tij  Sadija, Myzegjeni, Nedreti, Sheriari  e Ylja. U tronditën shumë për vdekjen e tij, aq sa mbajtën  veshur rrobat e zeza vite të tëra. Vëllezërit  Enveri, Faruku, Shkëlqimi  flisnin me admirim për  zgjuarsinë e trimërinë e tij. Duke dëgjuar shumë për këtë njeri, e ndjeva për detyrë të hidhja në letër këto rreshta të cilat do të gëzojnë familjen, nipërit e mbesat, që vetëm kanë dëgjuar, por kurrë  s’kanë lexuar për të! Në një betejë të ashpër  që zhvilluan forcat e Brigadës së I –rë Sulmuese  në kodrën e Marglliçit  të Patozit,  dha jetën duke luftuar heroikisht,  me forca të shumta naziste, partizani trim  Hamdi Vrioni.

Mehmet Ali Vrioni, n/Kryetar i Lidhjes së Prizrenit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bir i familjes patriotike Vrionase. Babai  i tij  Faik Vrioni, ishte avokat i aftë, i zoti për të zgjidhur çështje të rëndësishme. Në Berat, por dhe në Skrapar ku punoi, sa herë ngecte puna, thoshin: “Thërrisni Faik Beun, ai i bën derman këtyre punëve”. Pushtimi i Shqipërisë nga  Italia fashiste, ngjalli një revoltë të patreguar tek  Hamdiu. Në vitin 1942, u pranua në rradhët e Rinisë  Komuniste,  ku u tregua mjaft aktiv. Aktivitetin e tij revolucionar  e zgjeroi në shkollën Normale të Elbasanit. Atje ra në sy të fashistëve, ndaj dhe përjashtohet. Më 1 Maj të vitit 1943, Hamdiu bashkë me 100 studentë të  Normales të Elbasanit, lanë  shkollën, pasi e quanin më të rëndësishëm çlirimin e Atdheut, e dolën partizanë. Ai u inkuadrua në Batalionin Dumrea. Që në ditët e para të jetës partizane merr pjesë në djegien e gazermave të ushtrisë fashiste në Papër. Ka qenë pjesmarrës aktiv në shumë beteja  që zhvilloi batalioni  “Dumrea”. Kudo shquhej për  trimëri e vetmohim. Për këtë, shtabi i batalionit e zgjodhi si partizan të dalluar që në formimin e Brigadës së Parë Sulmuese në Vidhkuq të Korçës,  15 gusht 1943. Në radhët e batalionit të  IV-t,  u zgjodh përgjegjës i rinisë së kompanisë së dytë. Hamdiu mori pjesë në të gjitha luftimet që ajo zhvilloi  që nga Vithkuqi në Bellovodë, Pogradec, Krrabë, Dumre, Mallakastër. Ai  shfaqi  një trimëri të pashoqe në betejën që zhvilloi Brigada e Parë Sulmuese, në Nëntor të vitit 1943 në Patos, duke dhënë jetën si trim.
Tjetër dëshmor Vrionas.  Rahuf Vrioni,  dëshmor, pas shumë betejash dha jetën  në zonë e Skraparit.  Të vjen keq, por dhe varri s’i dihet!                                                           
Nesim (Neka) Vrioni.
Anëtar i njësitit gueril në Kuçovë. Në qendër të Kuçovës ekzekutoi një nga spiunët italianë.
Shehafedin Vrioni. Nxënës në shkollën Normale të Elbasanit. Në 1 maj të 1943 la shkollën, e me 100 nxënës, doli malit partizan. Të vdekurit në luftë u harruan, të gjallët u burgosën e persekutuan vetëm se kishin mbiemrin Vrioni. Ky ishte fundi i trishtë i kësaj familje patriote, atdhedashëse, që s’kurseu asgjë për Atdheun që e donte aq shumë.

Jusuf Vrioni                                                                                                                               

Vrionasit  kanë bërë histori
Si deputetë, ministra, kryeministra, firmëtarë  të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.  Në Lidhjen e  Prizrenit, Mehmet Ali Pashë Vrioni u zgjodh  n/Kryetar i saj.  Omer Pashë Vrioni,  komandant i lartë në periudhën e Perandorisë Osmane. U dallua në betejën e Egjyptit kundër Napoleonit. Nyzhet  Vrioni, anëtar i Shoqatës ‘Bashkimi’ dhe delegat në Kongresin e Triestes, 1913. Ai  do të merte pjesë gjithashtu, si delegat në Kongresin e Manastirit, më 1908. Më vonë, Iliaz  Vrioni dhe Sami Bej Vrioni, do të ishin ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912, në Vlorë. Sami  Vrioni dhe Qemal  Vrioni, tentuan të gjenin shpëtim në Kongresin e Durrësit, në dhjetor të vitit 1918, duke u bërë delegatë përfaqësues të Beratit. Në vitin 1920, Iliaz Vrioni, ish-kryetar i Shoqatës ‘Bashkimi’, udhëhoqi delegatët e Beratit për në Kongresin e Lushnjës.  Iljaz Bej Vrioni,  tri herë  kryeministër, dhe pesë herë  ministër i Jashtëm. Djali, Jusuf  Vrioni, përkthyes i shkëlqyer  i  frëngjishtes. Ismail Kadare e ka quajtur  ‘fisniku  i dijes’.
S’mund të ndryshojë asgjë!
Ishte  viti 1987 ku Partia  filloi të hapej. Komunistët  jepnin  llogari para masave. Po bëheshin mbledhje të hapura  partie me pjesmarrjen e atyreve pa parti. Këto më dhanë guximin të shtroja  një shqetësim  që më kishte munduar gjithë jetën. Gjeta rastin dhe ia parashtrova një kolegu e drejtuesi të formave të edukimit, e njëkohësisht, komunist  i orëve të para.(emrin s’po ia  përmend  se  s’jeton më).

 

-“Si ti dhe unë  kemi mbaruar për shkenca shoqërore”.

-“Po”, -m’u përgjigj.

Partizanët e Brigadës I-Sulmuese

-“Në materializmin historik  theksohet: “Historinë e bëjnë masat e gjëra, e jo individët, sa do të shquar të jenë. (Për të qenë brenda, se s’njihem për trimëri, shtova se dhe sh. Enver ka thënë “Jeni ju, pa jemi ne”). Kuptohet, sqarova, se dhe individët e veçantë pozitivë e shpejtojnë historinë  të ecë përpara, kurse ata negativë e frenojnë. Luftën  Antifashiste Nacional Çlirimtare  e bëri populli ynë heroik. Për çlirimin e vendit dhanë jetën  28 mijë dëshmorë. Po t’më pyesësh jam në gjendje të them 10-ra emra heronjsh, që i kemi  dëgjuar e lexuar, e qindra  artikuj  për ta. Shumë mirë bëjnë, se e meritojnë! Por të kuptohemi, lufta nuk u nga nga disa, por nga qindra, mijëra  partizanë. Disa u vranë me një heroizëm të pashoq dhe u bënë heronj. Disa të tjerë, u shpallën dëshmorë. Si heronjtë  dhe dëshmorët dhanë jetën për çlirimin e vendit. Heronjtë  pa dëshmorët  s’do ta kishin çliruar  Atdheun. Dëshmorët pa heronjtë do ta kishin çliruar, por  me pak mundime më shumë.  Mirëpo  ç’po ndodh ? Shumë dëshmorë  mund të kujtohen më tepër, fjala vjen  në një mbledhje solemne, apo miting  për çlirimin e qytetit. Këtu,  krahas emrave të heronjve, të përmenden edhe 10-të dëshmorë. Vitin tjetër 10 dëshmorë të tjerë e, kështu me rradhë. Ndërsa  heronjtë  kujtohen  100 herë, dëshmori të  kujtohej të paktën një  herë. Sa do të gëzoheshin  prindërit, motrat, vëllezërit të afërmit, kur të dëgjonin emrin e birit të tyre në këtë aktivitet. Në fund të fundit dhe këta derdhën gjak, këta s’janë pak, por  mijëra”. Ja thashë  këto se, shpesh kisha dëgjuar vërejtje të tilla. ‘Merita’ ime ishte  se gjeta  kohën e rastin  për t’ja paraqitur këtë  shqetësim masiv, një kolegu e kuadri të vjetër partie. Më dëgjoi  e   m’u duk se u bind, por më tepër ngeli ngushtë. S’më dha përgjigje dhe unë s’e zgjata. Kaloi një muaj dhe pasi mbaruam mësimin  më ftoi për kafe.

-“Pyeta për shqetësimin tënd  shokët e Partisë lart. Ai do t’na japë mend ne, -më thanë. -Ai  të shikojë  veten se është “Laramani”. Të  rrijë urtë, se e njohim mirë se kush është! Nga babai është mirë, por nga nëna, nip Vrioni. Ç’të duhen këto punë, o Evdal, -më tha butësisht, – i dinë të  tjetër  këto punë.”  Mbylla  gojën e s’më zuri gjumi ditë të tëra nga “frika” se mos më ndodhte gjë. Duket që kjo punë u la me kaq, e shpëtova!  Ishte tjetër kohë atëhere! Jo me një mendim apo vërejtje, por dhe me një fjalë,  mund ta pësoje keq! Dhe në fakt, kështu bëra. Nuk u ndjeva më.