Përçarja e koalicionit  opozitar PD-LSI  është diversion i Ramës

321
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Çuditërisht, ka zëra nga eksponentë të PD-së, që shkaqet e humbjes elektorale të PD-së në 25 prill 2021 t’i “gjejnë” tek aleanca e PD-së me LSI-në. Madje, djallëzisht, po kultivohet edhe opinioni që rezultati fitues (parashikues) i PD-së u përmbys ditët e fundit, pas replikës së Presidentit të Republikës Ilir Meta me ambasadoren amerikane Yuri Kim, thua se në 25 prill votuan amerikanët e, jo shqiptarët. Apo, shqiptarët votuan partinë e ambasadores Yuri Kim e jo parti shqiptare. Në të vërtetë, ambasadorja Yuri Kim, haptazi u soll si sponsor politik i kryeministrit Rama, por kjo është subjekt i analizave të tjera.

Cili ka frikën e aleancës parazgjedhore PD-LSI?

Pse djallëzisht kryeministri Rama, duke nëpërkëmbur marrëveshjen konsensuale zgjedhore të 5 qershorit 2020, bëri ndryshime të mëdha në Kushtetutë, sa hoqi aleancat dhe koalicionet parazgjedhore nga Kodi Zgjedhor? Pikërisht, sepse fakti i koalicionit parazgjedhor PD-LSI e çonte në humbje matematike elektorale.  E vërteta, duke u bazuar në rezultatet zgjedhore, qoftë edhe këto të manipuluara, të vjedhura, të blear, qoftë edhe me 5%  fletë votimi të pavleshme  PD vërtet pati rritje të madhe elektorale, nga 27% në 2017 në 39% në 25 prill. Ky rezultat zgjedhor i 25 prillit është më i larti që ka arritur ndonjëherë PD-ja në zgjedhjet pluraliste. Pra, kaq është forca elektorale e PD-së. Sidomos, në zgjedhjet parlamentare, në një opozitë 8 -vjeçare, e një qeverie të korruptuar, me denoncime të përditshme të skandaleve, vjedhjeve, korrupsioneve, fajtore për mjerimin, papunësinë, rrënimin e bizneseve, krijimin e një monopoli në tregun e punës, shpërnguljen më të madhe në historinë e Shqipërisë, mbi 500 mijë shqiptarë emigruan vetëm në qeverisjen e kryeministrit Rama.  Pra, as 40 % nuk mund të marrë vota zgjedhore PD-ja  me këtë përqindje. PD-ja në vetvete, bashkarisht me të gjitha partitë e Djathta, kurrë nuk e arrin dot PS-në, e cila në zgjedhjet parlamentare më të vështira, për shkaqet e pasojat që lartpërmenda, mori  48,7%, pa përmbledhur edhe  2,4% të Partisë së Tom Doshit. Kështu që PD-ja, nëse kërkon që të marrë pushtetin, detyrimisht, duhet të jetë në koalicion parazgjedhor me LSI. Nëse marrim parasysh, që LSI humbi mandatin në 5 qarqe vetëm për disa dhjetëra vota më pak, ndëkohë që PD-së i tepruan në këto qarqe më shumë se 3-5 mijë vota, kuptohet qartë, se nëse PD-ja dhe Lulzim Basha do të kishin pranuar një listë zgjedhore me LSI në 25 prill, sot do të kishin fituar edhe këto zgjedhje parlamentare.  Mbrëmë, Taulant Balla në emisione televizive i bëri thirje PD-së, që të distancohet nga LSI, sepse “iu dogj” barku, e hëngri meraku për fatin e PD-së… Dëshmi  kjo që, është Rama që bën diversion, për të përçarë koalicionin PD-LSI.