EURO 2020-2021/ Rekordmeni Ronaldo i jep fitoren Portugalisë, Gjermania s’ka “fuqi” të përballojë sulmin e ‘gjelave’

364
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ditën e djeshme janë zhvilluar përballjet e fundit, të raundit të parë të ndeshjeve në grupe të kampionatit “Euro 2020”, i cili për shkak të vitit pandemik po zhvillohet këtë vit me një risi, ku për herë të parë kompeticoni, nuk do të ketë vetëm 1 vend organizator, por do të luhet në 12 stadiume të ndryshme, me finalen e madhe që do të luhet në mitikun “Wembley” në Londër. Hungari-Portugali dhe Francë-Gjermani ishin sfidat që u luajtën mbrëmjen e djeshme në kuadër të grupit F.

Hungari 0-3 Portugali

Luzitanët vijnë tepër të motivuar në këtë kompeticon, pasi janë ata kampionët në fuqi, për t’u mundur. Përballja e parë e tyre këtë edicion, do të ishte përballë Hungarisë, e cila u fitua nga portugezët me rezultatin 0-3. Do të duhej të prisnim deri në minutën e 84’, ku pas një aksioni të bukur ekipor mesfushori i krahut të majtë, i cili aktivizohet tek ‘Borusia Dortmund’, Rafael Gerreiro, do të zhbllokonte ndeshjen, pak aksioneve të shumta të udhëhequra nga Kristiano Ronaldo, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës. Tre minuta më pas, në të 87’ një penallti e shkaktuar nga mbrojtësi hungarez Orban do të shndërrohej në gol, këtë herë nga kapiteni, Kristiano Ronaldo dhe do të ishte sërish ai i cili në minutën e 92’ do të shënonte dhe tretin. Kapiteni Ronaldo vendosi 2 rekorde të reja në botën e futbollit pasditen e djeshme. Së pari, Ronaldo u bë i pari futbollist, i cili luan në 5 Kampionate Evropiane rradhazi, që nga viti 2004 e deri më tani, dhe së dyti, Ronaldo me 2-golëshin që shënoi ditën e djeshme, u bë golashënuesi më i mirë në histori të evropianëve, me 11 gola të shënuar në total.

Francë 1-0 Gjermani

Supersfida e mbrëmjes së djeshme midis, Francës, kampiones së Botës në fuqi dhe Gjermanisë u mbyll me fitoren e gjelave më rezultatin minimal 1-0. Lojë e shpejtë dhe e bukur me gjermanët që kërkuan në çdo moment golin e barazimit, që pas shënimit të autgolit të mbrojtësit gjerman Humels në minutën e 20’, i cili do të ishte i vetmi gol i lejuar i ndeshjes, pasi goli i minutës së 67’ i sulmuesit francez Mbape dhe ai i minutës së 85’ nga Benzema do të quheshin të parregullt, duke evituar kështu një turpërim të ‘pancerave’ të udhëhequr nga Joakim Lëv. Kjo fitore dhe kjo formë loje vërtetoi sërisht se Franca do të jetë ekipi për t’u mundur nga çdo kombëtare tjetër që kërkon fitimin e trofeut të ‘Euro 2020’. Përballjet e tjera në grupin F do të luhen ditën e shtunë, ku francezët do të përballen me Hungarinë, ndërsa kampionët në fuqi të Europës, Portugalia do të përballen me Gjermaninë. Sakaq, ditën e sotme do të nisi xhiro e dytë e ndeshjeve në grupe, ku në orën 15:00 do të luhet sfida Finlandë-Rusi, e vlefshme për grupin B, si dhe 2 sfidat e grupit A, Turqi-Uells, në orën 18:00 dhe supersfida Itali-Zvicër, në orën 21:00