Aleksandër Meksi: Probleme dhe aspekte të restaurimit të Kishave Mesjetare në Shqipëri

18
Sigal

Ndër monumentet e kulturës shqiptare një vend të rëndësishëm zënë dhe ndërtimet e kultit të krishterë të shek.IV-XV. Këto ndërtime, si dhe ato të periudhës paleokristiane që i takojnë Antikitetit të Vonë, së bashku me të Mesjetës së Hershme e të Mesme, që shtrihen në të gjithë territorin e vendit, janë dëshmi materiale autentike me vlera të jashtëzakonshme për studimin e historisë së arkitekturës të ndërtimeve në përgjithësi dhe të historisë së popullit tonë.

Kishat janë një gjini e veçantë ndërtimesh të përcaktuara qartë dhe tërësisht të dallueshme nga ndërtimet e tjera si në anën e funksionit, ashtu edhe në atë të zgjidhjeve e të ndërtimit planimetriko-vëllimor: ndaj dhe studimi i tyre është me mjaft interes për të njohur zhvillimin historik, ekonomik e shoqëror të një vendi.

Informacionet e para për ndërtimet mesjetare të kultit janë të udhëtarëve të gjysmës së parë të

Shek.XIX, si: M Leake, Hughes, Hobhaus, Pouqueville etj.

Fillimit të shekullit tonë i takojnë të dhënat e arkeologëve austriakë C.Patsch dhe C.Praschniker, të cilët krahas monumenteve të periudhës antike interesohen dhe për disa ndërtime kulti në Zvërnec, Marmiro, Ballsh, Pojan.

Pas vItit 1944 janë studiuesit shqiptarë, ata që i orientojnë kërkimet edhe në këtë fushë. Që në hapat e para të kërkimeve , në ish – Institutin e Shkencave u mblodhën të dhëna për hartimin e listës së parë të monumenteve që do të viheshin në mbrojtje shtetërore, ku u përfshinë  edhe mjaft nga monumentet që njiheshin nga literatura.

Njëkohësisht nga J. Adhami, veçmas ose në bashkëpunim me H.Cekën dhe S.Anamalin, u filluan ekspeditat përnjohëse të monumenteve

Kërkimet për të zbuluar dhe vënë në mbrojtje shtetërore të ndërtimeve me vlera në kuadrin e Institutit të Monumenteve të Kulturës vazhduan për më tepër se dy dekada.

Në territorin e vendit tonë ruhen një numër jo i vogël kishash. Gjendja e tyre jo e mirë nga ana e qëndrueshmërisë së përgjithshme ose e elementeve të veçanta strukturore, si dhe transformimet e bëra gjatë shekujve e kanë bërë të domosdoshme ndërhyrjen konservuese – restauruese, për t’i bërë ato të qëndrueshme dhe për ndalimin e dëmtimit të mëtejshëm; ashtu dhe për të nxjerrë në pah vlerat e fshehura ose të tjetërsuara, që bartin këto monumente. Ndërhyrjet e para në këto monumente, të filluara që me vënien e tyre nën mbrojtjen shtetërore, kanë synuar në përmbajtjen e thjeshtë. Jo të gjitha kishat mesjetare kanë ardhur deri në ditët tona në të njëjtën gjendje, ndaj dhe ndërhyrjet në to nuk janë të njëjta. Duke u nisur nga ky aspekt, ne i kemi ndarë në dy grupe kryesore:

   1.Kishat rrënoja.

  1. Kishat, që mund të restaurohen dhe të konservohen si çdo monument tjetër.

 1.Kishat rrënoja.

Janë të shumtë monumentet, që kanë arritur deri në ditët tona në gjendje rrënoje si rezultat i braktisjes nga banorët, të dëmtuara nga veprimet e njeriut ose të natyrës, por që kanë rëndësi si dëshmi historike apo dhe arkitektonike e për këtë janë deklaruar si monumente kulture dhe në mbrojtje shtetërore. Veç tyre janë dhe monumentet, që dalin në dritë nga gërmimet arkeologjike, që duhet të mirëmbahen në gjendjen, që rezultojnë me muret pjesërisht të ruajtura dhe me dyshemetë dhe fragmente me vlerë të skulpturës dekorative…

Një pjesë e kishave rrënojë ruhen me mure deri në një farë lartësie, ndërsa të tjerat kanë

të dëmtuara vetëm kornizat dhe pjesët e sipërme të mureve ku mbështetet çatia. Në monumentet e para (Mullet, Kamenicë, Butrint, Mazrek, Nëmnshat, Çiflik e gjetkë) punimet kanë synuar dhe do të synojnë në konservimin e tyre si në rrënojat  e zakonshme. Në të dytat (në Sop) muret ruhen deri në nivelin e çatisë.

  1. Kishat, që mund të restaurohen dhe të konservohen si çdo monument tjetër.

Në këtë grup hyjnë pjesa më e madhe e kishave mesjetare që janë, ose deri vonë ishin në funksionim. Koha ka lënë gjurmë në to, duke dobësuar strukturat dhe duke u tjetërsuar pamjen prej meremetimeve të ndryshme, sidomos në çatitë, pjesët e sipërme të mureve dhe të dritareve. Duke qenë se këto ndryshime janë të ndryshme për secilin monument, edhe ndërhyrjet për ruajtjen e tyre dallojnë nga rasti në rast. Për shkak të ndryshimeve që monumentet kanë pësuar gjatë shekujve, nuk ka qenë i mundur kurdoherë kthimi i tyre në fazën fillestare. Rastet që kemi hasur në praktikë janë tre.

Rasti i parë ndërtimor

(Mesopotam, Kurjan, Marmiro, Durrës), kur monumenti nuk kthehet dot në fazën fillestare, sepse ka humbur elementë, formën e të cilave është e pamundur ta përcaktojmë me saktësi, kështu nuk mund të rindërtohet, sepse një veprim i tillë do të ishte falsifikim i dokumentit historik.

Rasti i dytë,

kur shtesat, që janë vënë për të përforcuar monumentin nga uljet, dobësimet e strukturave mund të hiqen; veçse duke vënë përforcime të reja brenda strukturave që jo gjithmonë është e mundur dhe e lehtë, sepse do të duhet të hiqnim përkohësisht afresket, ose të kryenim operacione të përbëra dhe mjaft të vështira ( Mesopotam, Labovë, Mborje, Peshkëpi e Sipërme)

Rasti i tretë,

kur shtresat kanë vlerë historike ose artistike, heqjen e të cilave e quajmë të padrejtë, sepse përbëjnë një dukument historik, që në mjaft raste me rëndësi të dorës së parë (Perhondi, Shkodër, Shëmëri, Zvërnec, Apoloni,, Durrës, Peshkëpi e Sipërme)…

Restaurimi  i monumenteve mesjetare të kultit kërkon edhe zgjidhjen e problemeve të veçanta, si trajtimin e fasadave dhe riformulimin e elementeve arkitektonike(dritare, korniza dhe dyer)

Për nga gjendja e sotme dhe problematika e ndërhyrjeve restauruese të domosdoshme kishat mesjetare i ndajmë në dy grupe kryesore: ato që për vetë gjendjen e tyre mund të mirëmbahen, duke pasur nevojë për punime në një shkallë shumë të vogël elementë të restaurimit, dhe ato, të cilat kanë nevojë për punime të plota restaurimi.

Po paraqesim shkurtazi aspekte të restaurimit të disa prej kishave Mesjetare .

 

Kisha e Marmiroit – Vlorë

Restaurimi i kishës së Marmiroit u krye në vitin 1967.

Punimet e restaurimit filluan me pastrimet nga rrëzimet për të pasur të qartë monumentin. Pas kësaj u forcuan qemerët dhe kupolat. U pajantuan muret dhe filloi çlirimi nga shtesat si ato në krahët e kryqit, ashtu edhe ato mbi çati, duke nxjerrë në dukje formën e vjetër. Pas çlirimit nga shtesat, u përforcuan muret ekzistuese, tamburi dhe kupola, duke i plotësuar deri në nivelet e dikurshme në bazë të gjurmëve që ruheshin. Nëpërmjet këtyre punimeve nausi mori formën e tij të dikurdhme, kryq i lirë me kupolë dhe çati me frontone mbuluar me tjegulla. Së fundi u sistemuan mbetjet e mureve të narteksit. Nga një monument që po rrënohej, kisha ruan vlerat e saj dokumentare duke rifituar deri në një farë mase edhe ato estetike…

Gjatë vitit 1970 u ndërmorën ekspedita restaurimi në kishat bizantine të Beratit, në atë të Shën Mëhillit dhe të Shën Triadhës, si dhe në kishën e Shën Kollit në fshatin Perhondi, pranë po këtij qyteti.

Kisha e Shën Mëhillit – Berat

Nga studimi i kishës së Shën Mëhillit rezultoi se hajati i shtuar në anën perëndimore ishte mjaft i vonë dhe pa asnjë vlerë arkitektonike, madje fshihte vlerat e monumentit. Gjithashtu u arrit të saktësohen dhe të nxirren në pah të gjitha elementet e vjetra të kishës si : korniza, dritare etj. Ndaj u synua që monumenti të kthehej në gjendjen e ndërtimit fillestar… duke pasur parasysh  gjendjen e mirë të monumentit dhe ndryshimet e pakta në kohë, u krye plotësimi i elementëve arkitektonik si kornizat dhe pjesët e tjera të dëmtuara për t’i dhënë kishës pamjen e dikurshme….Veprimi i fundit ishte mbulimi i çatisë me tjegulla vendi, duke iu pëgjigjur formës së vjetër të çatisë. Pas restaurimit mund të themi se monumenti u paraqit me vlerat e tij historike jo vetëm të paprekura, por edhe të nxjerra në dukje, ndërsa nga aspekti estetik, edhe pse fillimisht kishte një atmosferë pak a shumë të re, monumenti na u shfaq me një fytyrë shumë më interesante dhe më piktoreske.

 

Kisha e Shën Triadhës – Berat

Restaurimi i kishës së Shën Triadhës në kala të Beratit ndryshonte në problematikën që shtronte. Projekti i restaurimit qe heqja e mjedisit shtesë në anën veriore të nartekstit, nxjerrja e formave të vjetra të çatisë dhe rindërtimi i saj sipas tyre, hapja e dyerve dhe e dritareve, rindërtimi i elementëve arkitektonikë, si korniza e dritare, mbulimi i çatisë dhe çlirimi nga dherat në anën lindore dhe veriore. Punimet filluan me pastrimin e dherave dhe heqjen e mbulesës me rrasa guri duke filluar që nga kupola. Pas heqjes së rrasave mbi kupolë dolën në llaç gjurmët e çatisë së dikurshme në dy faza të vjetra ndërtimi. Çatia më e vjetër është e njëjtë me atë të kishës së Shën Mëhillit, ndërsa çatia e dytë ishte ngritur më lart… punimet e restaurimit ndihmuan për vlerësimin më të madh të mundshëm arkitektonik të kishës së Shën Triadhës.

Kisha e Shën Kollit në Perhondi – Berat

Për nga rëndësia e monumentit dhe plotësimi i detyrave në planin arkitektonik dhe përforcues restaurimi i kishës së Shën Kollit në Perhondi përbënt një ndër rastet më të vështira restauruese të kishave bizantine. Në gjendjen përpara restaurimit kisha u takonte disa fazave ndërtimore. Faza e parë i përkiste fundit të shek. X-fillimit të shek. XI, faza e dytë fillimit të shek. XIII, faza e tretë shek. XIII-XIV. Në shek. XVIII i janë shtuar hajatet, ndërsa në vitet ’30 të shek, tonë qe ndryshuar narteksi. Ideja e restaurimit kishte për qëllim vlerësimin e bazilikës dhe kambanores bizantine, unike për vendin tonë, duke ruajtur gjithnjë fazat e periudhës së parapushtimit turk, sepse  shtesat e tjera të mëvonshme ishin pa vlerë arkitektonike dhe cënonin soditjen e vlerësimin e monumentit. Punimi i fundit ishte restaurimi i kambanarës. Dy dritare dyshe të tjetërsuara u rindërtuan në bazë të dritares së ruajtur. Përveç restaurimit në anën e jashtme u punua dhe në brendësi: duke nxjerrë në dukje dyshemenë e shek. XVI me fragmente të shek. X-XI , të cilat nuk i prekëm, duke lënë në të njëjtën kohë, themelet e murit ndarës naos-narteks, me restaurimin dolën në pah vlerat e vërteta të monumentit duke ruajtur të paprekur dokumentin historik.

 

Kisha e Shën Kollit në Kurjan – Fier

Restaurimi tjetër i vitit 1970 i kishës së Shën Kollit në Kurjan i rindërtuar në shek. XVI, kur dhe është pikturuar nga piktorët Joani dhe Nikolla i Onufrit. Ky rindërtim, i bërë me tulla dhe me llaç balte ka humbur çdo gjurmë që do të na ndihmonte për të përcaktuar formën e vjetër. Restaurimi filloi me heqjen e hajatit të vonë, prishjen e çatisë, shtytjen e murit të pjerrët të narteksit dhe  lidhjen e mureve anësore  me breza betonarmeje për t’ia përforcuar, si dhe ndërtuam kornizën mbi të  gjatë viteve të fundit është kryer një ndërhyrje konservuese në ndërtesën e kishës dhe mjedisin rrethues.

 

Kisha e Shën Mërisë së Vllahernës – Berat

Restaurimi u krye në vitin 1980. Në shek. XVI ajo humbet kupolën mbi tamburin dhe sistemin e qemerëve mbi të cilin ngrihet dhe meremetohet duke u kthyer në një kishë njënefëshe,

që ruan nga ndërtimi i vjetër pjesët e mureve anësore dhe mjedisin e altarit.

Punimet e  u përqendruan me forcimin e themeleve jugore e lindore, në çlirimin e murëzimit të diakonikonit dhe në përforcimin e strukturave të lakuara të tij në përforcimin e murit perëndimor të pjerrët dhe të shpërbërë, që  ruante piktura me mjaft vlerë të Nikollës (viti 1578), si edhe mbulimi i ri i pjesës së mbeturtë narteksit, krahas përforcimit të çatisë, që ruante  elemente të shek. XVI dhe pikërisht për këtë u ruajtën.

Gjatë viteve 1988-1989 u kryen punime restaurimi edhe në kishën e Manastirit të Apolonisë. Nga dëmtime të ndryshme sizmike, në pjesën jugore të kishës ishin shfaqur një sërë çarjesh, ishte pjerësuar muri jugor dhe qenë copëtuar kapitelet e naosit. Të gjitha këto dëmtime, që rrezikonin qenien e vetë monumentit e bënë të domosdoshme ndërhyrjen restauruese. Punimet filluan me puntelimin e brendësisë  së kishës dhe me pajantimin e murit jugor. Këtej u kalua në heqjen një nga një të kapiteleve, të cilat u zëvendësuan me riprodhime të tyre në beton me mbushës granili. Ky operacion u bë duke hequr e zëvendësuar një nga një të katër kapitelët. Pas kësaj u vendosën dhe u çimentuan tirantat metalike. Në fund u zhvesh brendësia dhe suvatimet e vona. Në këtë mënyrë mund të themi se u shmang çdo mundësi dëmtimi i mëtejshëm i monumentit.

 

Kisha Lindja e Shën Marisë në Labova të Kryqit

 Restaurimi i njërës prej kishave më të shquara të mesjetës ishte prej shumë vitesh subjekt debatesh për nevojnën e një ndërhyrje restauruese që duhej  të shmangte rrezikun e rrëzimit të kupolës mbi tambur, sepse ishte pjerrë prej gati  dy shekujsh. Për të pasur një ndërhyrje të saktë ishte e domosdoshme të studiohej qëndrueshmëria e saj me metodat më të fundit dhe me ndihmën e specialistëve gjeolog dhe konstruktorëve. Përpara ndërhyrjeve u lehtësuan sistemet e lakuara të mbulesës nga rrasat e gurit, mbushjet pa respekt me materiale ndërtimi dhe puna filloi me restaurimin e strukturave mbajtëse nga poshtë lart...vetëm shtesat e vona në anën perëndimore dhe jugore u mbuluan me rrasa guri për të evidentuar më mirë ndërtesën fillestare. Së fundi u sistemua  terreni rreth ndërtesës, sidomos në zonën lindore ku ishte punuar.

 

Kisha e Shën Mërisë në Peshkëpi të Sipërme

Restaurimit  për shmangien e dëmtimeve të mëtejshme dhe për vlerësimin më të mirë të monumentit iu nënshtrua dhe kisha e Shën Mërisë nëp Peshkëpi të Sipërme. Kisha ishte tjetërsuar nga ndërhyrjet përforcuese gjatë shekujve të kaluar, të kërkuara për ta shpëtuar nga rrënimi, por t kushtëzuara nga mundësitë ekonomike të komunitetit të krishterë dhe kufizimet e kohës. Kisha në vitin 2019 ju nënshtrua   një restaurimi tërësor si përforcues të strukturave mbajtëse, ashtu edhe vlerësues të arkitekturës, për vet rëndësinë e tij në suazën e arkitekturës bizantine në Shqipëri.

Kisha e Shën Kollit në manastirin e Mesopotamit

Pas strudimit të gjendjes të kishës Shën Kollit në manastirin e Mesopotamit u hartua projekti i restaurimit me synimin vlerësimin maksimum të mundshëm, duke ruajtur ndërhyrjet e shekujve XVIII-XIX, të cilat e kishin tjetërsuar atë pas humbjeve të pjesëve përbërëse…

Mbetën  për një kohë të dytë kërkimet për mbetje të pikturës murale në muret e ndërtimit fillestar, pastrimi i shiritave me mozaik në dysheme dhe restaurimi i dritares së sipërme në murin verior të narteksit.

Përveç këtyre ndërhyrjeve restauruese janë ndërmarrë punime dhe në një sërë kishash njënefshe si në Buhal, Sop, Balldren, Berat, Apoloni, Çetë e gjetkë, sipas nevojave që paraqisnin,..janë  përqendruar në konservimin e mureve dhe në ndërtimin e çative të reja, të cilat në mjaft raste japin mundësi edhe për vlerësimin e pikturave, deri atëhere të fshehura nën tavane. Po kështu, një punë e vazhdueshme konservuese, për aq sa ka qenë e mundur, është kryer në të gjitha monumentet mesjetare të kultit. Pra, nga rasti në rast (gjendja e monumentit dhe tjetërsimet e tij në kohë) ka ndryshuar edhe mënyra e restaurimit si në tërësi, ashtu dhe në trajtimin e elementëve të veçantë arkitektonikë. Përvoja e fituar në çdo rast shërben së tepërmi për restaurimet e mëvonshme.

Punimet konservuese-restauruese të kryera në këto monumente janë një kontribut, jo vetëm për shkencën e restaurimit, por edhe për historinë e arkitekturës së vendit tonë, sepse kanë ndihmuar së tepërmi në vlerësimin shkencor të këtyre monumenteve.

 

Marrë nga libri:

Kishat e Shqipërisë

Historia, Arkitektura ,

shek. IV-XV (botim 2022)