Progonati, një fshat në zemër të Kurveleshit, ka një histori mbushur plot lavdi nëpër shekuj të cilat janë të regjistruara në memorien dhe kujtimet e njerëzve të pakët të mbetur në këtë fshat sot nga braktisja e tranzicionit, por edhe të progonatasve të shpërndarë anë e kënd Shqipërisë dhe vendeve të botës. Ata kanë marrë me vete traditat, historinë, rrëfenjat dhe bukurinë natyrore të vendit të tyre të lindjes, me dashurinë e pakufishme për ta shpërndarë kudo si virtytin më të vyer dhe medalje të krenarisë së fshatit e komunitetit të tyre. Një gurqoshe e kësaj godine krenarie të këtij fshati është edhe Zenel Hila, të cilin progonatasit e pagëzuan dhe e thërrisnin “xhaxhi”, madje edhe më të moshuarit se vetë Zeneli. Kjo mirënjohje dhe ky respekt vijon edhe sot , ndonëse kanë kaluar 25 vjet nga largimi i tij nga kjo jetë. Kujtohet me mirënjohje dhe respekt sepse njerëz si Zenel Hila janë të rrallë që lënë gjurmë me thjeshtësinë e portretit të tyre, me profilin e tyre si model në postet shoqërore dhe shtetërore që mbajtën gjatë jetës. Progonati, përveç bukurisë magjike që natyra i ka falur, ka dhe një histori të mbushur me trimëri dhe kontribute të mëdha në luftërat e shumta për liri, pavarësi dhe çlirim kombëtar. Zenelin, ndonëse LANÇ-i e gjeti të martuar e me fëmijë, kjo nuk e pengoi të rreshtohej në rreshtat e batalionit partizan të krahinës, i përkrahur fuqishëm edhe nga nëna e tij duke thelluar kështu më tej traditat patriotike të familjes dhe fshatit ku lindi. Qe janari i vitit 1943-it kur vuri bustinën me yllin e kuq partizan dhe tregoi një trimëri dhe devotshmëri, zell dhe energji për zbatimin e detyrave luftarake që i ngarkoheshin. Plagosja në këmbë në luftën e Luzatit do t’i shoqërohej me dhimbje gjithë jetën e tij, por nuk e ligështoi e nuk e pengoi të mbetej shembull i punës e në ballë të saj. Ky zell e ky vetëmohim, përkushtim dhe dashuri për njerëzit dhe vendin i mbeti edhe pas luftës dhe mbeti përherë një person i dalluar e i palodhur. Dhe puna e “xhaxhit” u shpërblye nga shteti me dekorata e vlerësime të shumta si : Medalja e Kujtimit, Medalja e Çlirimit, Medalja e Trimërisë, dy Medalje Pune nga Kuvendi Popullor. Si kryetar i këshillit popullor nga më jetëgjatët në krahinë, plot 18 vjet nga viti 1956- 1971, në kohë të trazuara e të turbullta politike , e karakterizoi dashuria për njerëzit pa zhvilluar luftën e klasave, por urrejtja për kriminelët, vjedhësit dhe njerëzit me vese të shëmtuara e të pështyra njerëzore nuk ju shua gjithë jetës së tij. Pas ardhjes së demokracisë nuk e kurseu përkrahjen për ish të persekutuarit në dhënien e dëshmive dhe dokumentacionin që u kërkohej. Përgjigjja e tij ndaj skeptikëve dhe atyre që vijonin ti shikonin këto shtresa me syrin e armikut , ishte e shkurtër dhe e qartë: “ T’u jepet se u takon. Ne me ta jemi marrë gjithë jetën.” Emri i tij i lavdishëm dhe i respektuar mbeti vetëm në kujtimet e progonatasve dhe njerëzve që e njohën dhe u shërbeu me dashuri dhe drejtësi. Mirë do qe që ndonjëra nga këto vepra në fshat e zonë ta mbanin emrin e tij. Por Zenel Hila i Progonatit nga mbirë si rrënjët e rrapeve aq të shumta e monumentale të këtij fshati. Agron MEMA