Gëzim Zija: Drama e fshatrave të lumit Shushica dhe Urës së famshme të Bratit

Dy ditë më parë në Urën e Bratit, fshati Brataj, u mblodhën qindra banorë vendas, nga zona të ndryshme dhe turistë të huaj për të festuar çeljen e sezonit turistik. Sipas aktivistit Ilia Bombaj: “… Ata u përballën me një pamje që nuk i përkiste natyrës së mrekullueshme të Shushicës. Pellgjet ujëmbledhëse nën Urën e Bratit, ku prej vitesh pushuesit gjenin freski, qetësi dhe bukurinë e ujërave të kristalta, kishin humbur krejtësisht pamjen e tyre natyrore. Ato ishin mbushur me zhavorr dhe inerte të sjella nga rrjedha e lumit. Shkaku duket i qartë. Punimet që po kryhen në zonën e burimeve të Shushicës, të lidhura me projektin e devijimit të ujërave drejt resorteve turistike të bregdetit Jon, kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në mjedis. Zhveshja e terrenit dhe ndërhyrjet në natyrë kanë bërë që reshjet e shiut të transportojnë masivisht inerte nga lart poshtë, duke ndryshuar peizazhin dhe duke dëmtuar ekosistemin e lumit.”Për Shushicën ambjentalistët dhe qytetarët e Vlorës përkrahur nga një grusht banorësh fisnikë të fshatrave ( 37 fshatra e 50.000 banorë, 20.000 ha tokë nën ujë) protestuan ashpër dy vjet (2023-2025), por u “tradhëtuan” nga fshatarët, të cilët nuk morën pjesë në protesta dhe votuan 90% për Zamirin dhe Kryeministrin Rama.

Më 23.06.2025, kuçioti i mirë dhe atdhetar Astrit Balilaj shkruante, gati duke vajtuar këtë status në fb: “… Lumi Shushica, aty ku lind e merr jetë, aty në Lepushën e Kuçit, ku edhe fillon të ushqejë me jetë gjithë fshatrat e krahinës së Lumit te Vlorës, sot po vajton. E po aty si të jetë një vend i braktisur e i shkretë vazhdojnë punë pa pushim fadroma, kamiona e shkrepa për të groposur tubacionet gjigante që mund të gëlltisin edhe Drinin bashkë me Shkumbinin, e jo më Shushicën tonë modeste, e cila duke ikur nëpër rrugën, që Zoti i ka caktuar duket sikur iu lutet qeveritarëve tanë shurdhmemecë: “Aman, mos më burgosni në ato tubo te zeza o njerëz të zinj. Më lini të iki e qetë në rrugën e Zotit dhe t’i ushqej me jetë e mirëqenie banorët fisnikë të Lumit te Vlorës. O ZOT ME NDIHMO!…” Si u pa, Zoti nuk e kishte fare mëndjen nga ne, o Astrit fisniku, derisa solli komunistët në Shqipëri, për 45 vjet dhe sot pinjollët e tyre hajdutë dhe kriminelë. Planet e qeverisë ishin të qarta e të sakta dhe sjellja e tyre ishte në kundërshtim me ligjet shqiptare, të natyrës dhe ato humane. Përgjigja e qeverisë ishte dhe është:

Sigal

– Thyeni qafën ju 50.000 banorët e lumit të Vlorës se Lumi me VKM i ka kaluar Zamos. Keni tri alternativa:

– Të shisni menjëherë tokat te Zamiri e t’i bini fyellit ose të punësoheni bujq e barinjë te ai.

– Të shkoni syrgjyn në dhe të huaj te fëmijët si rrënjëdalë e varrëhumbur, e të hani bukën e tyre.

– Nëse doni, rrini aty ku jeni me një lopë e ca dhi dhe të rroni me bulmetin e tyre, si para dyqind vitesh, se aty grurë e perime do bëhen nëse zoti hedh shi në arën tuaj.

– Vazhdoni të votoni Rilindjen, që po ju shkurton ditët e vajtjes në botën e të shumtëve! Mos e hiqni nga qafa shallin e kuq të Enverit dhe nga balli yllin me pesë cepa të Leninit!

Shënim: U mbush viti që “specialistët” rrypa e debila të Rilindjes, po punojnë natë e ditë të fusin lumin Shushica në tuba. Kanë shkatërruar me mjete të tënda gjithë formacionet dhe strukturat natyrore të Shushicës por ai vazhdon të rezistojë e të mos futet në tuba po zhytet nën tokë ose shpërndahet gjithandej skërkave dhe lëndinave. Jemi në kohën kur kthehen bijtë e Labërisë nga mërgimi për pushime. Nëse u ka ngelur pak gjak nga të parët e tyre dhe marrin shembull nga protestat e sotme, le t’a shporrin Zamirin nga Lumi i Vlorës e t’i hedhin në greminë mjetet e rënda. Nëse jo, turpi do i mbulojë përjetë, që falën lumin për partinë, deputetin e zonës dhe Zamir oligarkun. Mbi shumë shtëpi, të braktisura, mbi muret e kulmeve të çative kanë filluar me kohë vajtimin e tyre qyqet e kukumjaçkat.