Nuk mund të harrojmë, të na hiqet nga mendja një ngjarje, e cila ka ndodhur lashtë, këtu e 30 vjet të shkuara në qytetin e Çorovodës, në Skrapar. Për njerzit e atij qyteti të vogël, mbaj mend, se ajo çka “mori dhenë” brënda orës ishte tronditëse, shokuese, e padëgjuar ndonjëherë në ato anë.
Cila ishte ngjarja. Një ndër mjekët më të mirë të Skraparit, gjenekologun Qazim Metani e arrestuan, i hodhën hekurat përpara kolektivit të spitalit dhe më pas, “në emër të popullit”, e dënuan me burg, plot 6 vjet. Pa një, pa dy, mjeku më i zoti, më i përgjegjëshmi për të kryer punën si specialist, më i gjenduri për hallet shëndetësore të njerëzve, përfundoi në birucë. Si një rrufe në qiell të hapët.
Po çfarë kishte bërë ky doktor Qazua, cilit të sëmurë i kish marrë rryshfet, kë pacient kish mjekuar keq e që të mund t’i kish marrë jetën? Kësaj pyetjeje po marr përsipër t’i përgjigjem, edhe pse të dhënat që kam rreth atij atij procesi gjyqësor të zhvilluar në një kohë pak të largët, i kam të pjesëshme, disi të harruara. Jo për t’i “hequr” vuajtjet, gjithë atë tragjedi që iu shkaktua këtij mjeku të nderuar dhe familjjes së tij, por, duke nxjerrë në dritë të vërtetën, duke i bërë “autopsinë” asaj që tashmë konsiderohet “problem i mbyllur”, të mund të përciell tek të gjithë ata që kanë njohur mjekun Qazim Metani, miqtë dhe armiqtë, kërkesën për t’i kërkuar ndjesë, qoftë edhe pas kaq dekadash. Në jetë ka njerëz që të urrejnë dhe të gjykojnë pa asnjë arsye. Këta urrejtës dhe gjykues zakonisht janë shumë të vegjël në shpirt, janë nga ai soj që të bëjnë hatanë po të kenë gjë në dorë, sidomos po të zaptojnë pak pushtet. Për fat të keq gjenekologu Qazim Metani ra “në rrjetë” nga këta monstra, nga disa kuadro të pështirosur të atyre viteve në Skrapar. Ata, kush i mban mend, nuk bënin punë tjetër, vetëm të mund të ndjeheshin vigjilentë përpara atyre “lart”, duke goditur e denigrauar, qoftë dhe njerëz me autoritet e reputacion në popull. Madje, në shënjestër ishin pikërisht këta, të “humburit” pas punës e përgjegjshmërisë për detyrën.
Po ku mund ta godisnin mjekun, gjenekologun, intelektualin, ndër më të mirët e asaj plejade në Skrapar? Njerzit e veckël e të paditur, të cilët kur u shkon mendja për të realizuar një të keqe, fantazojnë “gracka” të mëdha. Për të qënë të vërtetë, në të shumtën e rasteve ata ia arrijnë qëllimit, ashtu si u kurorëzua me sukses arrestimi dhe dënimi me burg i personazhit të këtij shkrimi, mjekut Qazim Metanit. Çfarë sajuan, kërkon të dijë lexuesi i këtyre radhëve. Po ua them me dy rradhë, por “mbajeni frymën”, sepse është vërtet një çudi që të lë pa mend. Mjekun gjenekolog “e kapën” tek teoria maltusiane, tek ajo teori, e cila tashmë është e njohur nga të gjithë: “Rreziku që kërcënon Botën nga shtimi i popullsisë”. Pikë e zezë, do të ulërinte nga dëshpërimi poeti Xhevahir Spahiu! Por, duam apo nuk duam, kjo është e vërteta, kjo është akuza që prangosi një mjek të talentuar në profesionin e tij. Sigurisht urrejtësit e së mirës, të specialistit, që në atë kohë ishin të kërkuar dhe mjaft të dobishëm për komunitetin e zonave të thella si Skrapari, kishin goxha fakte për të argumentuar atë që Qazim Metani ishte një maltusian i thekur. Kishin muaj e vite që e gjuanin për ta kapur. Sepse gjenekologu Qazim kish një “të metë” të madhe, ishte njerëzor, jetonte me hallet e popullit, nuk i shkonte mendja kurrë se dikush e përgjonte, që e ndiqte prapa, e që një ditë të bukur do ta spiunonte “tek porositësit”. Fjalavjen, kur atij i paraqitej një nënë në maternitet nga zonat e thella, nga Tomorica, për t’u konsultuar rreth ecurisë së shtatëzanisë, ai në punë e sipër merrte vesh se ajo, perveç fëmijës që mbante në bark, kishte lënë në shtëpi edhe tetë fëmijë të tjërë. Shumë, apo jo?! Ca më keq që gjendja ekonomike e familjes ishte e fukarepsur, në kufinj ekstrem. Gjenekologu si person human, si njeri që e njihte mirë gjendjen ekonomike dhe mundësitë e pakta që kishte nëna për të përballuar rritjen e një fëmije tjetër, e këshillonte për ta abortuar. Madje t’i gjëndej afër dhe çdo gjë të kryhej në kushte spitalore, pa as më të voglin shpërblim. Por këto këshilla të mjekut me zemër të madhe u gjuajtën nga ata që e survejonin, të cilët mbajtën shënim deri sa ia mbushën “thesin plot” me të dhëna të një pune armiqësore si maltusian. Pastaj çfarë bënë? E përballën me “drejtësinë”, e futën në burg.
Në ata vite mbajmë mend edhe diçka tjetër që ka të bëjë me një ndër arsyet pse e denigruan aq keq mjekun gjenekolog. Na kujtohet se mjeku Qazim Metaniai ish kërkuar dy herë nga ministria përkatëse për ta transferuar në Tiranë, në maternitetin më të madh të asaj kohe dhe nga më të specializuarit që kishte vendi. Pse e kërkonin. Sepse Qazim Metani i kish përfunduar studimet me rezultate të shkqlqyera. Ky shkëlqim nuk i ish ndarë as në jetë. Siç deklarojnë kolegët, në pak vite punë kish shpalosur talentin e atij kontigjenti mjekësh, të cilët këkoheshin “me qiri”. Kish përvetësuar disa gjuhë të huaja dhe pas 4 muajësh nga dita e arrestimit do të mbronte dezertacionin në fushën e gjenekologjise. Po ku të lini të bëje çap “kolegët”, ata që kishin profesionin e tij, por që kishin kapur karrige pushteti për të bërë prapësira? Nuk e lanë, duke sajuar një mijë e një të paqëna, shpifje që mund t’i kap vetëm mendja e njerëzve xhelozë e djallëzorë, cmirëzinj.
Grupi i kukuvajkave që shkatërruan jetën dhe të ardhmen e një intelektuali si Qazim Metani, janë ende gjallë, i kemi parë këtu rrotull. Nuk ndjehen mirë kur bie fjala për punën e atyre viteve në Skrapar në sektorin e shëndetësisë. Nuk ndjehen mirë sepse u del përpara Qazim Metani, ai që i bëri të ndjehen të poshtëruar nga opinion i shëndoshë për gjëmën që i shkaktuan një njeriu të mirë.
Bota është një vend i rrëzikshëm për të jetuar jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqia, por për të atyre që i shohin ata dhe nuk u bëjnë gjë. E kush nuk e dëgjoi “zërin e brëndëshëm” , atë që ia thoshte shpirti ato ditë në Skrapar që Qazim Metanit iu hodhën hekurat nga ata që shikonin tek ai konkurentin e paarritshëm? Të gjithë, apsolutisht të gjithë “e dëgjuan” atë zë, por nuk u ndje kush. E lanë mjekun pasionant, të zotë dhe të ndershëm, prapa hekurave.
Kurrë mos gjyko njerëzit mbi atë çfarë thuhet për ta, por vlerësoi mbi atë që do t’i njohësh vetë. Kjo thënije na bën të ndjehemi borxhlinj edhe ndaj mjekut Qazim, njeriut që “e bënë pis” ata që nga koka tek këmbët ishin katran të zinj. Sa është numri i nënave që trokitën tek ai, i fëmijëve që ka pritur e u ka dëgjuar të qarat e para kur kanë dalë në jetë, i çifteve që i gëzoi me sihariqin e lindjes së fëmijës së parë? Janë qindra, janë mijra. Por janë të rrallë, shumë të rrallë ata që i shkuan atje ku vuante “dënimin” e thanë: Ti nuk je për këtu doktor, nuk je nga ata që të përfundosh si një kriminel. Të tjerë duhet të ishin në vendin tënd.
Njerëzit më të mirë të kësaj Bote janë ata që kanë njohur pabesitë, vuajtjet, humbjen dhe sërish kanë gjetur vendin e tyre, serish janë ngritur në këmbë, duke bërë ziliqarë qoftë edhe ata që kanë qënë shkakëtarë të së keqes. Njerëz si këta nuk janë rastësisht të tillë. Ata gjejnë forca dhe ngrihen përsëri në këmbë sepse, siç thotë një mendimtar i lashtësisë “Të gjitha të këqiat që duken të tmerrshme, asgjë nuk është e pamposhtme”. Besojmë se një ndër këta heronj të pamposhtur është eshe përsonazhi ynë i këtyre radhëve, mjeku gjenekolog Qazim Metani. Ai, ashtu natyrshëm, pa asnjë lloj sforcimi njerëzor apo profesional, mbetet ashtu si ish, ashtu si në vitet kur filloi punë në spitalin e Çorovodës, për t’i shërbyer njerëzisë. Sigurisht, Qazim Metani bëri disa vite burg, por kurrë, asnjëherë nuk i ka shkuar ndermend të hiqet si i persekutuar edhe pse, për hir të së vërtetës, u persekutua e u denigrua si askush tjetër. Sepse, siç e dimë të gjithë, jo në një rast “persekutimin” e kanë përdorur si një trampolinë për të përfituar padrejtësisht, për të kapur vende e poste që nuk e meritojnë. Për të konkretizuar madhështinë profesionale dhe intelektuale të mjekut gjenekolog Qazim Metanit më duhet të jap iformacionin se ai, sapo doli nga burgu në vitin 1991 e deri më sot nuk punon as në Tiranë, as në ndonjë qytet tjetër këtu rrotull të lakmuar për të bërë para, por fiks në qytetin, tashmë “të humbur”, të Poliçanit. Shkoni po deshët sepse aty do ta gjeni, në spital, duke kryer të gjitha specialitetet e mundëshme të profesionit të mjekut. Mesa duket Qazim Metani ka parasysh shprehjen me kuptim të thellë filozofik: “Dy gjëra e shkatërrojnë njeriun: Tradhëtia e mikut dhe mëshira e armikut”. Ai, për fat të keq, i përjetoi, i vuajti në kurriz të dyja këto gjëra. Por, nëse do të ishim realistë, nëse do të ishim të vëmendshëm në jetën plot sfida, paksa tragjike, ai ka dalë fitimtar dhe nuk mundën ta shkatërrojnë, as tradhëtia e miqve dhë as mëshira e armiqve. I sfidoi me karakterin e tij të fortë. Dhe për tu vënë “kapakun e florinjtë” ai shpesh shprehet, duke perifrazuar një thënie të huajtur nga njerëz të ditur “Kush më ka njohur nuk do të më harrojë kurrë…. Kush më ka harruar, nuk më ka njohur kurrë.”



















