Biora VOJKA: 113 vite më parë nisi copëtimi i trojeve shqiptare!

Më 29 korrik 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës, pjesë e Konferencës së Ambasadorëve të zhvilluar gjatë viteve 1912-1913.

Në Konferencën e Ambasadorëve nuk u njoh vetëm pavarësia e Shqipërisë, por u zyrtarizua edhe ndarja përfundimtare e kufijve shqiptarë. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, ndonëse vulosnin dështimin e planeve shoviniste të shteteve dhe qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, gjithsesi vendosën që fillimisht të shkëpusnin nga trungu shqiptar, Kosovën dhe tokat e Shqipërisë Lindore, që sot quhen Maqedonia Perëndimore. Më pas u diskutua dhe fati i trojeve në jug, si Çamëria. Kjo konferencë erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftërat ballkanike. Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera lidhur me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve. Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 për qind të territorit të saj jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

NOA

Vendimi

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912- 1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Austro-Hungaria u përfaqësua nga ambasadori Memdsdorf. Gjermania u përfaqësua nga ambasadori Lichnoësky. Italia u përfaqësua nga ambasadori Imperiali. Rusia u përfaqësua nga diplomati Benckerdorff. Britania e Madhe u përfaqësua nga ministri i Jashtëm i saj Grey. Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim. Konferenca filloi punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edëard Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti. Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike.

Copëtimi

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona, që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë, që u vendosën në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dhe qytetin e Tivarit dhe Podgoricën, ku, gjithashtu, kishte popullata shqiptare. Për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë aneksimin e trojeve shqiptare. Luftime të rrepta u zhvilluan në Plavë e Guci, ku sipas burimeve të kohës “zona kufitare u mbulua me gjak”. Forcat malazeze nuk mundën të marrin Plavën e Gucinë dhe kërkuan nga Kongresi i Berlinit një zonë tjetër. Kongresi caktoi Hotin e Grudën, ku sërish pati luftime të përgjakshme dhe forcat malazeze nuk arritën të thyejnë qëndresën shqiptare. Kongresi atëherë i dha Ulqinin Malit të Zi. Forcat e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u ndodhën para sulmeve të ushtrisë malazeze dhe nga lindja nga sulmet e ushtrisë Osmane, e cila u dërgua nga Sulltani për të shtypur Lidhjen dhe për të dorëzuar Ulqinin te malazezët. Shqiptarët u tërhoqën dhe u mundën nga forcat e shumta osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha, të cilat shkatërruan Lidhjen e Prizrenit në një sërë betejash. Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë. Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, nxitën shtetet ballkanike që të vepronin me shpejtësi në copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia lidhën aleanca politike dhe ushtarake ndërmjet tyre dhe në tetor të vitit 1912, ato i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke shënuar kështu fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Shqiptarët mbajtën një qëndrim asnjanës në këtë luftë, por u shqetësuan kur shihnin se shtetet ballkanike synonin ndarjen e territoreve shqiptare. Për pasojë shqiptarët mbajtën një kuvend në Vlorë dhe me 28 nëntor 1912 shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia nuk u njoh nga disa vende, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t’i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjatë kësaj kohe u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare. Leon Trocki, i dërguar si korrespondent mbi Ballkanin, tregon se si “fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbinë e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje…” Sipas burimeve të huaja, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913. Më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës, të cilat diskutuan për fatin e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan, por duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Çamërinë, por duke lënë brenda kufijve territore që sot janë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë si p.sh. Shën Naumi.

Pasojat

Copëtimi i 1913-ës la pasoja të rënda në kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare deri më sot, me pasoja që vazhdojnë të rëndojnë mbi kombin shqiptar, i cili është në tkurrje e sipër si pasojë e këtij copëtimi edhe në ditët e sotme. Katër vilajetet shqiptare të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, u propozuan për autonomi nga Lidhja e Prizrenit. Të gjendur nën pushtimin e ushtrive serbe, malazeze e greke, me qindra mijëra shqiptarë nga troje që sot gjenden në Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Greqi, morën rrugën e u dyndën si refugjatë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile, dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare. Copëtimi i trojeve shqiptare la jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët historikisht, dhe më shumë gjysmën e popullsisë shqiptare të asaj kohe. Në Kosovë, trupat serbe ushtruan terror dhe u munduan ta ndërrojnë përbërjen e popullsisë me anë të shpërnguljeve me dhunë. Gjuha shqipe u ndalua, dhe dhjetëra mijëra serbë, kolonë u vendosën në tokat e shqiptarëve të vrarë ose të përzënë. Më shumë se 150 000 shqiptarë u detyruan të lenë Kosovën në vitet 1912-1920. Shumica e tyre u vendosën në Shqipëri, në zonat e Fierit, Lushnjës, Durrësit e Kukësit. Po ashtu, popullsia çame u spastrua në përmasa të mëdha, duke lënë në Çamëri vetëm një pjesë të popullsisë çame të besimit ortodoks, që sot numëron 30-70 mijë banorë në Çamëri. Pasoja e këtij copëtimi ende ndjehen në kombin shqiptar, ku shembujt më të freskët janë Lufta e Kosovës në 1998-1999, dhe rebelimi i armatosur në Maqedoni në 2001-shin. Copëtimi i Shqipërisë është një barrë e rëndë për kombin shqiptar, e cila ka shtyrë shumë atdhetarë që pas copëtimit të punojnë politikisht e me përpjekje të armatosur, për ribashkimin e kombit shqiptar. Kjo i dha jetë dhe çështjes kombëtare shqiptare, ribashkimit të trojeve etnike shqiptare të copëtuara në 1913-ën.