Vidhet në Portin e Durrësit konteineri i “Alba Exotic”, ka dyshime se mund të ketë patur sasi kokaine

663
Sigal

Një kontenier i ngarkuar me banane që i përket kompanisë “Alba Exotic Fruit”, është vjedhur brenda ambienteve të portit të Durrësit. Ngjarja është regjistruar qysh prej 17 korrikut, por policia dhe autoriteti portual Durrës, është vënë në dijeni të kësaj situate, mesditën e pardjeshme. Aktualisht, kontinieri vijon të qëndrojë në ambientet e portit të Durrësit, në pritje për t’u skanuar. Ndërsa kapakët e vjedhur, janë zëvendësuar nga kompania ‘Majesk’, me kapakët e një kontinieri tjetër të prishur që ndodhet në port. Kjo situatë tregon edhe njëherë tjetër se, persona nga brenda portit, arrijnë të ndërhyjnë në trupin e kontinierit, nga ku nxjerrin sasi të konsiderueshme kokaine. Megjithëse një javë më pare, kompanisë “Alba Exotic Fruit”, ju bllokua një kontinier me banane, në të cilin ishte futur në pjesën e jashtme, 11 kg kokainë, tashmë rezulton se një tjetër kontinier i kësaj firme, është vjedhur brenda ambienteve të portit. Persona ende të paidentifikuar, kanë shkuar dhe hequr kapakët e ftohjes dhe besohet se, prej andej, kanë marrë diçka që mund të ketë lidhje me lëndët narkotike. Policia e këtij qyteti dhe autoriteti portual, jo zyrtarisht thonë se, kanë nisur hetimet për vjedhjen e kapakëve të ftohjes së kontinierit, por deri në këtë fazë çështja, ka mbetur e mjegullt, për sa i përket zbardhjes së personave përgjegjës.

Vjedhja e kapakëve, është kryer nga persona që kanë akses për t’u futur brenda në port dhe zonën e terminalit të kontinierëve. Mungesa e kapakëve është konstatuar qysh prej datës 17 korrik 2021 nga inspektorët e kompanisë ‘Majesk’, e cila kryen kontrollin e jashtëm të kontinierëve, gjatë qëndrimit në terminalet portuale. Për mungesën e kapakëve të ftohjes dhe dyshimeve se nga xhepat e kontinierit mund të jetë tërhequr sasi e madhe kokaine, zyrtarët e kompanisë ‘Majesk’, kanë njoftuar autoritet portuale dhe policinë e Durrësit, për të kryer hetime. Deri në këtë fazë të hetimeve, dyshimet janë se persona ende të paidentifikuar, kanë hequr kapakët e ftohjes dhe prej andej kanë nxjerrë pakot e kokainës, që besohet se janë futur nga Ekuadori ose në terminalet portuale të Marokut dhe Pireut në Greqi, itinerar të cilin ka përshkuar kontinieri në fjalë. Situata është mjaft serioze dhe kërkon një hetim të imtësishëm për të zbuluar personin përgjegjës që ka hequr kapakët e ftohjes së kontinierëve, nga ku dyshohet se më pas ka nxjerrë pakot e kokainës. Kapakët e hequr, nuk janë gjetur rreth terminalit të portit apo në zonën e qëndrimit të kontinierëve. Por me sa duket kjo është një metodë e ngjashme si rasti ku punonjësit e një peshkarexhe në Durrës, nxorën nga kontinieri pakot me kokainë që më pas rezultoi se ishin të mbushura me oriz. Grupet kriminale shqiptare shfrytëzojnë linjat e transportimit të frutave ekzotike për të transportuar dhe ata trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri dhe vendet e tjera të Evropës. Në 13 korrik 2021 në një nga kontinierët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u sekuestrua 11 kg kokainë, ndërsa u ndalua njëri nga aksionerët e kompanisë ndërsa tjetri është shpallur në kërkim./Ora News