Dr. Agim Nesho: Mandati i 3-të i zotit Rama, është një ekuacion me shumë të panjohura për Shqipërinë dhe shqiptarët

491
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Intervistoi: Jakup B. Gjoça

Regjimet oligarkike të Ballkanit luajnë me presion ndaj BE-së, duke vazhduar politikat e tyre të bashkëpunimit si me Rusinë, Kinën dhe Turqinë

Dr. Agim Nesho, ish- ambasador në SHBA, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se, SPAK nuk mund të mjaftohet me arrestimet e nëpunësve të nivelit të ulët, pa ndëshkuar pushtetarët për pasuritë e vjedhura me tenderat fiktivë, ndryshe kjo lojë, do t’i shërbejë fasadës së pushtetit të korruptuar. Ish- ambasadori Nesho thekson se, duhet menduar mirë, kur Turqisë i jepen koncesione strategjike, sepse ato një ditë, mund të errësojnë perspektivën evropiane të Shqipërisë. Dr.Nesho e thotë hapur që për ndërkombëtarët, Shqipëria është një çështje periferike, prandaj edhe ne nuk mund të kemi pritshmërinë, se do jenë ndërkombëtarët, që do sjellin demokracinë si dhuratë për shqiptarët dhe, nuk mund të presim nga ata, të luftohet korrupsioni. Zoti Nesho, jep edhe një këshillë opozitës, që duhet të hapet partia drejt një fronti demokratik gjithëpërfshirës, sepse vetëm kështu, mund të çmontohet regjimi. Ndërkohë, pohon se mandati i 3 i Ramës, është një ekuacion me shumë të panjohura për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Nesho, këto arrestime të SPAK ndaj kryebashkiakëve, zv/ministrave, a mund të quhen lufta kundër korrupsionit, kushti kryesor i BE-së, ndërkohë që ende nuk hetohen ministra të akuzuar për abuzime dhe korrupsion me tendera dhe koncesione?

-SPAK ka filluar të veprojë dhe kjo duhet të përshëndetet nga opinioni publik, i cili është i prirur të jetojë në një shoqëri demokratike dhe të respektojë shtetin ligjor. Këto janë kushtet paraprake që ne t’i bashkohemi sa më shpejt BE-së dhe të jemi pjesë e familjes evropiane. Deri tani, kemi parë që aksioni i SPAK-ut është drejtuar ndaj nëpunësve të nivelit të mesëm, ndonjë kryebashkiaku, por jo të vërë para drejtësisë, drejtuesit e institucioneve kryesore në vend për aferat e tyre korruptive, afera të cilat janë skandaloze. Pa u ndëshkuar dhe rikthyer pasurinë kombëtare të shpërdoruar dhe vjedhur në tenderat fiktivë dhe të parapërcaktuar nga pushtetarët si në infrastrukture, ndërtim, koncesione, PPP-të, etj., kjo luftë kundër korrupsionit do të mbetet një lojë e bukur që do t’i shërbejë fasadës së pushtetit të korruptuar në Shqipëri, i cili gjithmonë e më shpejt po konsolidon pushtetin e tij oligarkik në Shqipëri. Pavarësisht se institucionet ndërkombëtare janë investuar seriozisht në reformën e drejtësisë në Shqipëri, kjo reformë nuk mund të ketë sukses në qoftë se klasa politike që e drejton vendin nuk përkrah shtetin ligjor, balancën e pushteteve dhe një sistem drejtësie të pavarur. Për tetë vjet kemi parë ‘Rilindjen’ dhe Kryeministrin Rama që bërtasin për reformën e drejtësisë, por kjo qeverisje ka sjellë si rezultat rritjen e korrupsionit, abuzimin me ligjin, favorizimin e oligarkëve me fondet publike, duke kryer veprime arbitrare e klienteliste në dëm të interesave kombëtare të vendit. Në qoftë se SPAK, sillet ‘vërdallë’ dhe nuk thyen sistemin, atëherë kjo reformë është e dështuar dhe reforma në drejtësi i ka shërbyer vetëm ‘Rilindjes’ për të konsoliduar pushtetin e saj autoritarist.

“Aksioni i SPAK-ut është drejtuar ndaj nëpunësve të nivelit të mesëm, ndonjë kryebashkiaku, por jo të vërë para drejtësisë drejtuesit e institucioneve kryesore për aferat e tyre korruptive, të cilat janë skandaloze”

“Pa u ndëshkuar pushtetarët për pasurinë e vjedhur në tenderat fiktivë, koncesionet, kjo luftë kundër korrupsionit do të mbetet një lojë e bukur, që do t’i shërbejë fasadës së pushtetit të korruptuar në Shqipëri”

– Zoti Nesho, a është strategji  politike e kryeministrit që po shton dozat e kritikave të ashpra ndaj Bashkimit Evropian pse nuk u hapën negociatat, ndërkohë, kryeministri Zaev i Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ka kritikuar BE-në? 

– Çështja e integrimit Evropian të Shqipërisë është prioriteti ynë, është prioritet kryesor i politikës tonë të jashtme. Për të arritur rezultate konkrete në procesin e integrimit  Evropian, vendi duhet të bëjë hapa të rëndësishëm për t’ju përafruar standardeve dhe vlerave Evropiane. Fatkeqësisht, këto standarde demokratike gjatë periudhës  8 vjeçare të pushtetit të ‘Rilindjes’ janë përkeqësuar nga dita në ditë. Shqipëria në të gjitha raportet e Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të rëndëshishme ndërkombëtare, gjithmonë e më shumë po rrëshqet në një regjim jo liberal, me mungesë të funksionimit të institucioneve demokratike, me shtet të kapur, me korrupsion galopant dhe të pakontrolluar, me problematika serioze dhe në përpjekje për kontroll të shtypit të lirë, etj. Si e tillë, Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e BE-së dhe refuzohet të jetë e tillë. Por në të njëjtën kohë BE, po përjeton një situatë komplekse gjeopolitike, ku fuqi ekspansioniste si Kina, Rusia e Turqia, po rrisin presionin dhe po kërkojnë hapësira për influenca. Duke u ndërgjegjësuar tashmë për këtë situatë kritike në rajonin e Ballkanit Perëndimor,  BE është shprehur qartë dhe hapur që, ky rajon i përket Bashkimit Evropian, gjë që e bën qasjen e saj ndaj regjimeve vulnerabël dhe të korruptuar të Ballkanit, shumë fleksibël, shumë diplomatike dhe me shumë ‘karrota’ të shpërndara, pa insistuar në të vërtetën e hidhur. Nga ana tjetër, regjimet oligarkike të Ballkanit, luajnë me presion ndaj BE-së, duke vazhduar politikat e tyre të bashkëpunimit si me Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Ata luajnë si të pavarur, duke i kujtuar BE-së se kanë alternativa të tjera. Në fakt, kjo kontradiktë zgjidhet vetëm nga shtetet dhe shoqëritë demokratike, kur populli kërkon zbatimin e kontratës  sociale me qeverinë, e cila nuk mund të shfajësohet me dështimet e saj. Zoti Rama po luan këtë lojë ashtu si dhe Vuçiç, duke pasur përkrahjen e Turqisë, por edhe klimën anti-demokratike që interesat e nacionalizmit të ri serb kanë sjellë në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Zaev është një politikan i ri, i cili nuk kontrollon sistemin, duke kapur shtetin, si zoti Vuçiç dhe Rama. Ai ka mbetur akoma demokrat, duke mos pranuar mandate të tejzgjatura dhe pa pretendime të jetë një lider global.

“Zoti Rama është pjesë e këtij skenari, pa menduar thellë që, koncensionet ndaj Turqisë, një ditë mund të errësojnë perspektivën evropiane të Shqipërisë”

“Për ndërkombëtarët , Shqipëria është një çështje ‘periferike’, dhe janë të prirur të shikojnë nga e ardhmja në qoftë se nuk përbën një problem për interesat e tyre kombëtare”

-Kryeministri Rama a i kundërvihet Bashkimit Evropian me afrimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me Turqinë? Tregues i qartë është se në Shqipëri mungojnë investimet nga vendet e BE-së, ndërkohë që investitorët turq, kanë koncesione strategjike në Shqipëri, sikurse në telekomunikacion, mbrojtje, miniera, aeroporte, etj.,?

-BE është investitori më i madh për ekonominë dhe financat e Shqipërisë. Turqia mike, nën regjimin gjysëm-diktatorial të Presidentit Erdogan, është kthyer në një fuqi rajonale të fuqishme, e cila kërkon të rikthejë fuqinë e Perandorisë Osmane. Me një vizion të qartë dhe me shumë zgjuarsi dhe ambicie, ajo po shtrin influencën e saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor, që kanë qenë pjesë e Perandorisë, sidomos në infrastrukturë, aeroporte, telekomunikacion, porte, sistemin bankar, por edhe në rikthimin e kulturës dhe fesë, si pjesë të identitetit të ri neo-otoman. Mençuria e Presidenit Erdogan është sjellja me liderët e korruptuar dhe ambiciozë  të Ballkanit dhe më gjerë, të prirur nga interesat, pushteti dhe garancitë që iu jep një fuqi perandorake pa rregulla loje demokratike. Zoti Rama është pjesë e këtij skenari, pa menduar thellë që koncensionet ndaj Turqisë, një ditë mund të errësojnë perspektivën evropiane të Shqipërisë. Klientelizmi dhe sharlatanizmi i lojës midis Perëndimit dhe Turqisë, e ashtuquajtur politika e tij e jashtme kreative, është një zero me bisht, përpara vendosmërisë dhe vizionit të një lideri të fortë si Erdogan.

-Zoti Nesho, opozita bën fjalë për masakër zgjedhore, sa edhe Kryetari i PD-së Basha, ka deklaruar se nuk i njeh ato zgjedhje. Por institucionet ndërkombëtare, DASH,  ambasadat në Tiranë, nuk kanë reaguar, nëse vërtet në 25 prill ndodhi masakër zgjedhore. A mendoni se ndërkombëtarët nuk i ‘ha meraku’ sa zbatohen standardet demokratike në zgjedhje në Shqipëri, por interesohen për stabilitokracinë?

– Zgjedhjet e 25 Prillit për çdo shqiptar janë fare të qarta që kanë qenë një masakër zgjedhore, e mirë-përgatitur me kohë nga Partia-Shtet e ‘Rilindjes’. Prishja e konsensusit politik të 5 qershorit dhe ndryshimi i rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme, presioni ndaj administratës, blerja e votës, patronazhimi, mos dënimi i krimit zgjedhor, etj, përbëjnë kuadrin e masakrës zgjedhore. Sigurisht këto dukuri negative janë evidentuar në raportet e OSBE-ODHIR dhe Misionit Amerikan pranë OSBE-së në Vjenë, dhe në një situatë normale, nuk mund të lihen pa u ndëshkruar. Nuk ka shtet ligjor pa legjitimitetin e institucioneve të tij dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për shqiptarët kjo është jetike dhe e domosdoshme për funksionimin e shtetit demokratik. Për ndërkombëtarët Shqipëria është një çështje ‘periferike’ dhe janë të prirur të shikojnë nga e ardhmja, nëqoftëse nuk përbën një problem për interesat e tyre kombëtare. Sensibilizimi i kësaj situate, mund të vinte vetëm nëpërmjet pakënaqësisë popullore. Ky është dhe momenti që lidershipi i vendit duhet të vendosë prioritetet dhe të neglizhojë presionet burokratike, që janë të prirura të ruajnë stabilitetin. Kjo është diçka parimore dhe opozita duhet t’i shkojë deri në fund.

“Në qoftë se do të ketë një opozitë të fortë e përkrahur nga opinioni publik, atëherë mund të kemi një kompromis politik që mund të çojë në transferimin e pushtetit”

“E vetmja gjë që mund t’i kërkohet opozitës, është hapja e Partisë drejt një fronti demokratik gjithëpërfshirës. Vetëm në këtë mënyrë mund të çmontohet një regjim”

– Mendoni se kongresi i jashtëzakonshëm paszgjedhor ka futur Partinë Demokratike në shinat e reformimit?

-Përpara një regjimi që forcohet nga dita në ditë, opozita e ka gjithmonë e më shumë të vështirë për të gjetur hapësira për të risjellë ekuilibrat demokratikë të vendit. Opozita e ka bërë mirë luftën e saj për të sensibilizuar opinionin publik për karakterin e regjimit, për korrupsionin, për lidhjen e politikës me krimin e organizuar etj. Regjimet nuk rrëzohen vetëm nga opozita pa u ndërgjegjësuar për një front të gjerë popullor, ku opozita mund të marrë rolin kryesor. Në vendet lindore, ku ne fatkeqësisht bëjmë pjesë, psikologjia e masës, është shumë e nënshtruar ndaj pushtetit dhe regjimi popullor, lë për të dëshiruar. E vetmja gjë që mund t’i kërkohet opozitës, është hapja e Partisë drejt një fronti demokratik gjithëpërfshirës. Vetëm në këtë mënyrë mund të çmontohet një regjim.

– Zoti ambasador, pse kryeministri Rama këmbëngul në “Mini-shengenin”, duke u përplasur publikisht edhe kundër kryeministrit Kurti, kur për interesat e Kombit, Tirana dhe Prishtina duhet të kenë strategji të përbashkët, të njëjtë, për politikën e Jashtme? A mund t’i shërbejë Kombit shqiptar një bashkëpunim Tiranë-Beograd, kur Tirana injoron Prishtinën?

– Mini-shengeni është një inisiativë e Vuçiç dhe një projekt alternativ për të sjellë dominimin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Nuk mund të ketë inisiativa perëndimore që të bazohet në katër liritë kryesore të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, duke mos respektuar sovranitetin e çdo vendi në rajon. Kosova nuk mundet vetëm të marrë pjesë në të, por duhet të njihet si vend sovran dhe i barabartë me të tjerët. Në këtë drejtim kryeministri Kurti ka të drejtë të mos njohë këtë inisiativë individuale, por të kërkojë aplikimin e inisiativave evropiane të bashkëpunimit rajonal.  Zoti Rama ka mbetur peng i bashkëpunimit me Vuçiç dhe projekteve të tyre të përbashkëta për Ballkanin. Nga ana tjetër, Mini-Shengeni si inisiativë lokale, rrit rrezikun e rritjes së influencave të fuqive jo Evropiane në Ballkan, si Rusia, si dhe prish politikat e përbashkëta evropiane për tregun e lirë. Serbia është pjesë e Bashkimit Euro-Aziatik dhe gjithmonë e më shumë po sillet si një vend satelit i interesave të Kinës dhe Rusisë në Ballkan. Për ata që mendojnë se Minishengeni është një kompromis që duhet ta pranojmë si zgjidhje për marrëveshjen Kosovë-Serbi, është një naivitet që nuk kontrollon ambiciet nacionaliste të Beogradit, nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme por bën realitet dominimin serb në Ballkanin Perëndimor.  Shqipëria ka nevojë për një strategji të mirë përgatitur për çështjen kombëtare, e cila para së gjithash, kërkon reflektim nga  zoti Rama, ose largimin e tij.

“Mini-Shengeni si inisiativë lokale, rrit rrezikun e rritjes së influencave të fuqive jo evropiane në Ballkan, si Rusia, si dhe prish politikat e përbashkëta evropiane për tregun e lirë”

Cili është parashikimi juaj për mandatin e tretë të kryeministrit Rama? 

– Mandati i 3-të i zotit Rama është një ekuacion me shumë të panjohura. Së pari, pushteti është forcuar financiarisht dhe kontrollon çdo aspekt të jetës politike, ekonomike të vendit. Shikoni investimin për portin e Durrësit dhe firmat në parajsat fiskale, që financojnë atë.

Së dyti, pakënaqësia popullore është rritur, largimet në masë nga Shqipëria janë shtuar, varfëria gjithmonë prezente. Në qoftë se do të ketë një opozitë të fortë e përkrahur nga opinioni publik, atëherë mund të kemi një kompromis politik, që mund të çojë në transferimin e pushtetit.

Së treti, doktrina e Presidentit Biden për rikthim të regjimeve demokratike, si kusht për funksionimin e suksesshëm të rendit botëror dhe fitoren e demokracisë, mund të prekë shumë shpejt situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe të sjellë ndryshime pozitive. Regjimet autokratike do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë, pavarësisht sjelljeve të tyre klienteliste për të fituar kohë.

Të gjithë këta faktorë do të jenë përcaktues në mandatin e tretë të zotit Rama. Por mbi të gjitha, duhet të jetë ndërgjegjësimi popullor për një ndryshim të domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë. Ndryshe do të vegjetojmë në Mbretërinë e Pashpallur të Vezirit të Ndritur, Rama.

-Faleminderit!