Komisioni i Ligjeve dhe Administratën Publike vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektligjeve që prekin Reformën në Drejtësi deri në marrjen e një opinioni nga KE dhe qëndrimet e vetë organeve të drejtësisë. Olsi Komici, deputet nismëtar i dy projektligjeve që prekin ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i prezantoi nismat, ku nga komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit tashmë kapërceu nën petkun e deputetit nga ku tha se ndryshimet mund të përfshijnë shtyrjen e moshës së pensionit për gjyqtarët në prag të pensionit me qëllim angazhimin e tyre për zgjidhjen e dosjeve stok. Av. Gylsen Zhllima analizoi për “Telegraf” prapaskenat e këtyre propozimeve dhe situatën në të cilën ndodhet drejtësia sot. Ku ndër të tjera theksoi se: Rritja e moshës së pensionit për gjyqtarë e prokurorë tregon dështimin e reformës në drejtësi, pasi la mijëra dojsa stok pa u shqyrtuar.
- Emërimet në drejtësi, peng i interesave partiake
- Rritja e moshës së pensionit për punonjësit e drejtësisë është një tregues i qartë sereforma në drejtësi ishte më tepër një dështim me mijëra stoqe dojsesh të pashqyrtuara
- Drejtësia shqiptare rrezikon të dalë e diskredituar, ashtu si në rastet e njohura të skandaleve publike që kanë tronditur figura të rëndësishme ndërkombëtare
Pse në botë kërkohet ulja e moshës së pensionit, ndërsa në Shqipëri kërkohet rritja e saj për gjyqtarë e prokurorë?
Në Shqipëri ndodhin ngjarje nga më të ndryshmet, të cilat nuk mund të imagjinohen në vende normale. Rritja e moshës së pensionit për punonjësit e drejtësisë është një tregues i qartë se reforma në drejtësi ishte më tepër një dështim sesa një reformë që synonte të vendoste drejtësi dhe të përmirësonte gabimet e sistemit të vjetër të drejtësisë.
Reforma në drejtësi na ka servirur kaq shumë justifikime për të mbuluar dështimet e saj. Harta gjyqësore dhe, së fundmi, edhe ky skenar janë tepër shqetësues, duke pasur parasysh se rritja e moshës së pensionit po paraqitet si një mjet mbijetese për këtë drejtësi.
A duhet të rekrutohen gjyqtarë dhe prokurorë të rinj në vend të rritjes së moshës së pensionit?
Duhet të kemi emërime të reja në drejtësi në dy forma.E para, Shkolla e Magjistraturës duhet të rrisë sa më shumë numrin e aplikimeve. Nga ana tjetër, duhet të arrihet një dakordësi politike për të miratuar një dispozitë të re, që avokatët me përvojë të paktën 7 vite në drejtësi të kenë mundësi të aplikojnë në Shkollën e Magjistraturës, të kalojnë një testim të përshpejtuar dhe të futen në sistemin e drejtësisë për të dhënë drejtësi.
Nëse presim vetëm nga harta gjyqësore dhe nga rritja e moshës së pensionit, është e sigurt jo vetëm një dështim i radhës, por edhe rreziku i një konflikti të mundshëm civil, i cili nuk do të ishte në favor të stabilitetit të vendit.
Po ashtu, nuk është e vërtetë që problemi i drejtësisë së vjetër ishin “Plepat 1”, por është shumë e vërtetë që “Plepat 2” janë më të rrezikshëm se “Plepat 1”, për shkak të mënyrës së vendimmarrjes dhe mbingarkesës me dosje. Pra, e thënë qartë, kemi gjithnjë e më shumë mospranime të rekursit në Gjykatën e Lartë për shkak të numrit të madh të dosjeve dhe jo për shkak të dhënies reale të drejtësisë.
Duhet një guxim i madh nga legjislatori, i cili duhet të bëjë 100 hapa përpara dhe jo të frikësohet nga ndërkombëtarët apo nga reagimet e brendshme, për të futur të rinj dhe profesionistë në sistemin e drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të përballuar sa më parë një krizë sociale dhe politike, në mënyrë që Shqipëria të mos shndërrohet në një vatër destabiliteti në Ballkan për shkak të një dështimi total të sistemit të drejtësisë.
A ndihmon emërimi i të rinjve në punësim dhe kundër shpopullimit?
Punësimi nuk e nxit shpopullimin, por në asnjë rrethanë nuk rikthen personat që janë larguar për shkak të humbjes së shanseve dhe pabarazive. Ajo që duhet të kuptojmë si shoqëri është se emërimet në drejtësi, ashtu si në tërësinë e punësimit në Republikën e Shqipërisë, duhet të bëhen mbi parimet e meritokracisë dhe konkurrencës sipas standardeve, dhe jo sipas interesave partiake.Duhet të udhëhiqemi nga politika të shëndosha punësimi, në mënyrë që askush të mos e shohë menjëherë shpopullimin si zgjidhje, por qëndrimin në vend si një qëndresë kundër kësaj keqqeverisjeje, si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në keqqeverisjen e drejtësisë nga vetë ata që janë pjesë e saj.
A ka përtej kësaj interesa të ulëta dhe përfitime të paligjshme?
Nëse shikohen masa të tilla si, për shembull, rritja e moshës së pensionit dhe harta e re gjyqësore në sistemin e drejtësisë, ato nuk përfaqësojnë vetëm interesa të ulëta, por ndikojnë edhe si mënyra të paligjshme të mashtrimit publik, duke krijuar përshtypjen se me reformën e re në drejtësi nuk do të kishte gabime, apo çështje që do të cënonin drejtësine funksionale. Në realitet, kjo drejtësi po rrezikon të mbetet vazhdimisht në paligjshmëri.
Por në thelb duhet kuptuar se çdo ndryshim i bërë në mënyrë të njëanshme nuk e zgjidh problemin. Ajo që kërkohet është një reformë gjithpërfshirëse, e cila të ndalojë interesat e paligjshme që po synojnë ta bëjnë edhe këtë çështje të duket si e zakonshme dhe e justifikueshme, për të përballuar paligjshmërinë e krijuar nga vetë sistemi i drejtësisë.
Populli nuk duhet të mashtrohet nga ambasadorë apo individë që, në emër të një ‘drejtësie të re’, veprojnë kundër interesit publik për përfitime të ulëta. Këto përfitime të paligjshme nuk shfaqen menjëherë në publik, por dalin në pah me kalimin e kohës. Ndërkohë, dëmi i është shkaktuar shoqërisë shqiptare, duke krijuar çdo ditë viktima dhe përçarje sociale.
Drejtësia shqiptare rrezikon të dalë e diskredituar, ashtu si në rastet e njohura të skandaleve publike që kanë tronditur figura të rëndësishme ndërkombëtare, ku pasojat u bënë të dukshme përmes fakteve të pamohueshme. Paligjshmëria e këtij sistemi të drejtësisë pritet të shfaqet në forma skandaloze, të ngjashme me publikimin e videove komprometuese, që shkaktojnë tronditje të madhe në opinionin publik. Në këto raste mund të përfshihen konflikte të rënda interesi, ku gjyqtarë dhe prokurorë, që në dukje paraqiten si mbrojtës të ‘drejtësisë së re’, rezultojnë të jenë të implikuar thellë në shkelje etike dhe ligjore. Brenda këtij sistemi mund të dalin në pah materiale të ndryshme komprometuese, të cilat do ta tronditin drejtësinë nga themelet e saj, ashtu siç ka ndodhur në raste të njohura ndërkombëtare, ku skandale erotike kanë diskredituar rëndë institucionet përkatëse.



















