Myqerem TAFAJ*/Reformat e kanë afruar sistemin tonë arsimor pranë standardeve europiane

546
Sigal

*Ministër i ASH

Viti 2012 ishte një vit përpjekjesh dhe pune të palodhur për thellimin e reformave në arsim, të cilat, para së gjithash, u vunë në shërbim të rritjes së cilësisë në të gjithë hallkat e sistemit tonë arsimor. Viti 2012 ishte vit jubilar, viti i Jubileut të madh të 100 – Vjetorit të Pavarësisë. Gjatë këtij viti nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët, si asnjëherë tjetër, u bënë i autorë dhe aktorë të nismave, projekteve dhe veprimtarive të shumta që u organizuan në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit. Tradita më e mirë e institucioneve tona arsimore u pasurua me evenimente që shënuan kulme të arritjeve të tyre historike, duke e bërë më të bukur dhe më madhështor këtë jubile. Qysh nga viti 2005 e në vazhdim shumë reforma arsimore, me synime të qarta të zhvillimit bashkëkohor dhe me mbështetje në tabanin e fortë të traditës kombëtare, kanë bërë që sot shërbimi arsimor të mbërrijë nivele të reja që kanë tejkaluar edhe shumë objektiva të strategjisë sonë kombëtare për arsimin parauniversitar dhe atë të lartë. Reformat e thella të ndërmarra në këto 7 vjet, të shoqëruara me investimet e realizuara, e kanë përafruar sistemi arsimor shqiptar me atë të vendeve europiane, ndërkohë që një sërë treguesish sasiorë të tij janë të krahasueshëm me ato të vendeve të zhvilluara. Të gjitha arritjet, rezultatet e sukseset e reformave në sistemin tonë arsimor janë para së gjithash fryt i punës së palodhur dhe i përkushtimit të mësuesve dhe pedagogëve në çdo shkollë dhe universitet të vendit, ndaj përmirësimi i vazhdueshëm i statusit të mësuesit ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së kësaj qeverie. Gjatë periudhës së tranzicionit profesioni i mësuesit thuajse u braktis. Sot ai është një ndër profesionet më të kërkuara. Shumë mësues të mirë të shkollave të qyteteve dhe fshatrave e braktisën këtë profesion, sepse nuk mund të jetonin me pagën që kishte mësuesi deri në vitin 2005. Në 7 vitet e fundit paga e mësuesve është rritur mbi 2 herë, çka ka bërë që sot mësuesi të ketë një pagë dinjitoze, e cila qëndron mbi mesataren e pagave të sektorit publik në vendin tonë. Qeveria ka investuar dhe po investon me përparësi për mbështetjen e kualifikimit të mësuesve, për të fituar aftësi dhe kompetenca të reja, të cilat nuk i kanë fituar gjatë studimeve universitare, për shkak të programeve të vjetra mësimore, kompetenca që kanë nevojë për aktualizim më të shpeshtë për shkak të zhvillimeve të reja në fushat përkatëse. Me përparësi është mbështetur kualifikimi i vazhduar në fushën e IT, trajtimin e problemeve sociale në shkollë, didaktikën dhe teknikat e reja të mësimdhënies, etj. Prej vitit 2010 ka filluar reforma e formimit universitar të mësuesve, mbështetur në traditën tonë dhe modelet më të mira ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë të Finlandës. Kjo reformë është shoqëruar edhe me përfshirjen e profesionit të mësuesisë në grupin e profesioneve të rregulluara, çka shënon një standard të ri, i cili ndikon dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e statusit të këtij profesioni dhe rritjen e nivelit të kualifikimit të mësuesve të rinj. Ashtu si për mësuesit, edhe për pedagogët përmirësimi i statusit është parë si një përparësi që ndikon drejtpërsëdrejti në rezultatet cilësore të arsimit të lartë. Zgjerimi i sistemit të arsimit të lartë publik dhe zhvillimi i shpejtë i atij privat kanë çuar në një rritje mbi dy herë të numri të pedagogëve me kohë të plotë dhe angazhimin e një numri shumë të madh specialistësh dhe ekspertësh të fushave të ndryshme si pedagogë me kohë të pjesshme në mësimdhënie në institucionet e arsimit të lartë. Në vitin akademik 2004-2005 stafi akademik numëronte 4140 pedagogë, ndërsa në këtë vit akademik janë rreth 10600 pedagogë me kohë të plotë dhe të pjesshme, çka flet qartë për një zhvillim shumë premtues të burimeve njerëzore me nivel të lartë kualifikimi në vend, nëse konsiderojmë faktin që mësimdhënia dhe kërkimi shkencor në arsimin e lartë janë një faktor shumë i fuqishëm zhvillimi edhe për vetë individët që zhvillojnë një veprimtari të tillë. Fondi i Ekselencës i Qeverisë (gjatë vitit 2012 me shumën prej 1 milion Euro u mbështetën 65 studentë për studime universitare jashtë vendit, madje edhe në 15 universitetet më të mira të botës) dhe një sërë programesh mbështetëse të BE (Erasmus, Tempus, Marie Curie, Jean Monnet, etj) si dhe të vendeve partnere (programet e bursave: Fulbright, DAAD, Aleanca Franceze, Programi i Austrisë, Programi i Italisë, dhe të disa vendeve të tjera në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe) kanë krijuar të gjitha mundësitë për një kualifikim të shpejtë dhe përfitim të përvojës internacionale aq të domosdoshme për përgatitjen e brezit të ri të profesoratit të vendit tonë në nivele dhe standarde të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara. Edhe pse vitet e fundit nuk kanë qenë vitet më të mira buxhetore, për shkak të ndikimit të krizës botërore financiare dhe sidomos prekjes prej saj të vendeve fqinje, qeveria ka rritur jo vetëm pagat, por ka vazhduar të investojë në infrastrukturën arsimore. Investimet e bëra për infrastrukturën fizike si dhe në atë didaktike e laboratorike në shkolla e universitete kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies. Investimet e mëdha të ndërmarra në futjen e IT në sistemin arsimor shqiptar kanë qenë motori i vërtetë i modernizimit të tij. Gjatë vitit 2012 u realizua për herë të parë online aplikimi me formularin A2 dhe A3 dhe regjistrimi i studentëve të rinj, çka u kurseu studentëve të rinj kohë dhe shpenzime të konsiderueshme të udhëtimit dhe qëndrimit pranë universiteteve. Studentët e regjistruar në vitin akademik 2011/12 u pajisën për herë të parë me një numër kombëtar regjistrimi nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Janë ndërtuar sistemet elektronike për regjistrat kombëtarë të nxënësve, studentëve, mësuesve dhe pedagogëve.

Pjesëmarrja në arsimin e lartë është një ndër sukseset e rëndësishme të kësaj qeverisjeje. Sot Shqipëria ka thuajse 3 herë më shumë studentë në krahasim me vitin akademik 2004/2005. Në vitin akademik 2012/13 u regjistruan në shkollat e larta rreth 72% e atyre që përfunduan me sukses të gjitha provimet e maturës shtetërore. Në këtë mënyrë vendi ynë po ecën i sigurt në rrugën e një vendi të BE, në rrugën e një ekonomie dhe shoqërie të mbështetur në dije. Në vitin 2020 në BE 35 % e vendeve të punës do të kërkojnë arsim të lartë. Universitetet publike të vendit tonë ofruan 60 mijë kuota studimi në të gjitha ciklet (bachelor, master, doktoratë) dhe në të dy format (me kohë të plotë dhe të pjesshme, ku rreth 40 % ishin të orientuara në shkencat teknike, IT, shkenca natyrore, ekonomi, turizëm, shërbime, bujqësi, etj. Në këtë vit u mbështeten 18 laboratorë shkencorë të universiteteve publike dhe 53 projekte kërkimore përmes Fondit të Shkencës.

Viti 2013 është një vit plot sfida në arsim. Thellimi i reformave të nisura do të afrojë më shumë sistemin tonë arsimor me standardet e vendeve europiane duke i paraprirë zhvillimit të Shqipërisë Europiane. Edhe pse ky vit është një vit elektoral unë jam optimist se reformat do të ruajnë ritmet e do të vazhdojnë të implementohen me sukses. Optimizmi e ka bazën në përkushtimin, pasionin, motivacionin dhe profesionalizmin e mësuesve dhe pedagogëve, drejtuesve të shkollave dhe universiteteve, zellin dhe talentin e nxënësve e studentëve si dhe në mbështetjen e shkëlqyer të prindërve dhe familjeve të tyre.