Albert Habazaj:Çetat partizane në Vlorë në fazën e parë të LANÇ

185
Sigal

 

Nga MSc Albert Habazaj, paraardhës veterani, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar (LANÇ) (1939-1944), që u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore dhe nisi me rezistencën e armatosur  kundër agresionit italian më 7 prill 1939, duke u kurorëzuar me fitore, me çlirimin e plotë të Shqipërisë më 29 nëntor 1944, edhe për qarkun e Vlorës, si për gjithë Shqipërinë, është gjerdani më i ndritshëm i betejave për çlirimtarët shqiptarë kundër pushtuesve të huaj e lakenjve të tyre në të gjitha kohërat e ekzistencës së popullit shqiptar. Si çdo ndeshje e armatosur ndërmjet forcash kundërshtare, midis vendasve në trojet e tyre dhe të huajve, që erdhën për pushtim ushtarak të këtyre trojeve dhe nënshtrim të banorëve, edhe LANÇ ka kohëzgjatjen e saj dhe periudhat kyçe të zhvillimit.

Gjykojmë që të ndalemi pak më gjatë në vështrimin e çetave partizane, sepse ato ishin formacione luftarake të shkallës taktike, që u formuan në fillim të LANÇ, me direktivën e PKSH të marsit 1942. Ndër çetat e para partizane në Shqipëri përmenden Çeta Antifashiste e Pezës (krijuar më 5 Qershor 1940 nga patrioti Myslym Peza), e Skraparit, e Malësisë së Gjakovës, e Kurveleshit, e Gorës, e Shkodrës, e Dibrës, e Mokrës, e Moravës, e Matit, e Çermenikës. Ngritja e çetave partizane mori hov sidomos pas Konferencës i Nacionalçlirimtare (16 shtator 1942), që njihet ndryshe si Konferenca e Pezës. Deri në fund të vitit 1942 vepruan 23 çeta, kurse në gusht 1943 numri i tyre arriti në 68. Koherenca dhe kohezioni na kërkon që t’i shikojmë të lidhura ngushtë e thelbësisht si pjesë e së tërës formesat fillestare çlirimtare, që u finalizuan në Armatën fitimtare të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH), sepse kishin synim çlirimin nga pushtuesit dhe ëndrrën e lirisë forcën, që i mbante të bashkuara zemrat e atdhetarëve shqiptarë, pa dallim moshe, gjinie, feje, krahine dhe ideje. Pa u futur në imtësi, vlen të mos harrojmë se janë disa pika kyçe që pati kjo luftë e madhe antifashiste e çlirimit kombëtar. Së pari, pushtimi ushtarak, sepse më 7 prill 1939, ushtria fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmoi Shqipërinë, si nga ajri dhe nga deti, duke zbarkuar në Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë. Objekti i këtij shkrimi është qarku i Vlorës me 15 çetat partizane, si formacione luftarake të shkallës taktike në fazën e parë të LANÇ; vijon me 3 batalionet, 2 grupet, Zonën e Parë Operative dhe finalizohet me Brigadën e Pestë Sulmuese, si një nga formacionet më të mëdha të shkallës operativo-strategjike të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Pikërisht më 7 prill 1939, në Skelë të Vlorës, pranë portit detar bie trimërisht biri i Labërisë heroike, 21-vjeçari nga Gumenica Hamit Vashko, i cili pati nderin të ishte dëshmori i parë i rezistencës antifashiste dhe LANÇ në qarkun e Vlorës. Së dyti, përleshjet e para, ende sporadike, qëndresa popullore, grevat e protestat, manifestimet, demonstratat e përleshjet, që sa më shumë shtoheshin, aq më të organizuara bëheshin, duke dalur në pah atdhetarët e devotshëm, intelektualët, të vjetërit dhe të rinjtë, studentët e punëtorët, qytetarët e fshatarët me ileale të larta e të pastra lirie. Së treti, çast i rëndësishëm në historinë e LANÇ ishte krijimi i PKSH më 8 nëntor 1941, e cila u bë forca udhëheqëse politike e Frontit Nacionalçlirimtar dhe e LANÇ-it.  Kjo ngjarje u pasua më 4 dhjetor 1941 nga krijimi i Komitetit Qarkor për Vlorën, që vijoi me krijimin dhe organizimin e Rinisë Komuniste më 14 mars 1942, për të cilën Qemal Stafa erdhi dy herë në Vlorë. Së katërti, krijimi i dy njësiteve guerrile në qytet në periudhën mars-prill 1942, i pari me 7 dhe i dyti me 8 veta Kjo situatë lindi si nevojë e zhvillimeve të kohës, sepse pushtuesi nuk mund të mposhtej vetëm me greva e demonstrata.

Gjatë vitit 1942, në qytet dhe në fshatrat e Vlorës ishin 300 baza. Aksionet e njësiteve guerrile janë të shumta, por ndër atentatet e guximshme dhe përleshjet e përgjakshme kujtojmë përleshjen e 7 gushtit 1942, ku bie heroikisht Teli Ndini dhe natën e 18 tetorit të po këtij viti, kur japin jetën për atdheun 4 Heronjtë e Topanasë: Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tushi dhe Hiqmet Buzi. Kujtojmë që gjatë vitit 1942 në qarkun e Vlorës vepronin me dhjetra çeta vullnetare. Së pesti, nga njësitet guerrile, u kalua në çeta dhe formacione më të mëdha luftarake. Çetat partizane u formuan nga luftëtarë popullorë të njohur. Kështu, më 4 dhjetor 1942, në Vriz të Gjormit u krijua Çeta “Plakë”, me komandant Neki Imer Hoxhën dhe komisar Qazim Çakërrin, e cila po ato ditë kreu një aksion të rrezikshëm luftarak. Pasi futi në kurth një autokolonë armike te ura e Gjormit, bënë që 40 milicë, 2 karabinierë dhe 2 oficerë të dorëzoheshin, duke kapur edhe 50 pushkë, 4 mitrolozë të lehtë, 1 mortajë dhe shumë municione.

Qeveria kuislinge, e kryesuar nga Mustafa Kruja, më 17 dhjetor 1942 vendosi që të fillonte një nga operacionet në shkallë të gjerë, sidomos në qarkun e Vlorës. Në operacionin ushtarak që do të zhvillohej drejt luginës së Lumit të Vlorës, Mesaplikut, Kurveleshit e zonave të tjera, u caktua të merrnin pjesë një legjion i milicisë fashiste prej 1000 vetësh, reparte të motorizuara bersalierësh dhe 2 banda mercenarësh të gënjyer, të komanduara nga Halil Alia e Selim Kaloshi, me rreth 1500 vetë si dhe rreth 500 karabinierë. Repartet e Koorparmatës së 25-të me qendër në Vlorë, do të ndërhynin në rast nevoje. Si komandant i operacionit u emërua konsulli italian koloneli Franko Klementi e si përfaqësues i qeverisë Qazim Koculi. Më 31 dhjetor 1942, forcat fashiste filluan sulmin, por, falë qëndresës së armatosur, u detyruan të zmbrapseshin, duke lënë të vrarë edhe Qazim Koculin e prefektin Lele Koçi. Pak ditë më vonë, fashistët shkarkuan edhe Mustafa Krujën. Lufta e Gjormit (30.12.1942-02.01.1943) është një ndër luftimet më të mëdha në rrethin e Vlorës dhe i njohur edhe në historinë e LANÇ të popullit shqiptar. Forcat antifashiste drejtoheshin nga Hysni Kapo dhe Hysni Lepenica, ngaqë sipas një marrëveshje, në luftim krahas partizanëve morën pjesë edhe forca nacionaliste. Jehona e luftës së popullit tonë kundër pushtuesve i kaloi kufijtë e Shqipërisë, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist, të cilat në dhjetor 1942 e njohën zyrtarisht Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kështu vepruan qeveritë angleze, amerikane dhe sovjetike. Këto deklarata forcuan besimin e popullit tonë në kauzën e lirisë, duke i dhënë një shtytje të mëtejshme luftës së armatosur, që ishte rruga e vetme për fitore.  Gjatë viteve 1942-1943, në qarkun e Vlorës u krijuan 15 çeta partizane dhe 3 batalione. Ne dhe brezat i kujtojmë dhe i nderojmë këto formacione luftarake partizane bazë: Çetën “Plakë” krijuar në Gjorm më 4.12.1942; Çetën e “Rinisë”, krijuar në Gumenicë, më 3.06.1943 dhe çetën “Zigur Lelo”, në Matogjin (Smokthinë) më 5.06.1943. Me këto 3 çeta u plotësua dhe u formua batalioni “Halim Xhelo” në Vidhet – Mallkeq më 20.06.1943. Kujtojmë që në Mallakastër, më 4 shkurt 1943 u formua Çeta “Plakë”, e para çetë partizane në Mallakastër me komandant Mehmet Shehun.

Të dyja këto çeta partizane “mëma”, në bashkëveprim me çetat territoriale të Armenit, Romësit, Karbunarit, Gorishtit kanë kryer veprime luftarake në Patos, Selenicë, Bregun e Vjosës, etj., duke shpartalluar forcat fashiste. Këto aksione të suksesshme të shkurtit 1943, shënuan një hov të ri të Luftës antifashiste. Jehona e këtyre luftimeve tronditi perandorinë e Çizmes Apenine.

Po ashtu, kujtojmë dhe nderojmë çetën “Halim Xhelo” krijuar në Mazhar (Lapardha), më 7.04.1943; çetën “Ismail Qemali”, krijuar në Karbunar më 10.04.1943; si dhe çetën “Kanan Maze”, krijuar në Sevaster, më 3 maj 1943. Me këto 3 çeta u plotësua dhe u formua batalioni “Ismail Qemali” krijuar po në Vidhet – Mallkeq më 20.06.1943. Po atë ditë u hap dhe spitali partizan i qarkut. Me nderim kujtojmë çetën “Bashkimi” krijuar në Babicë më 20.06.1943; çetën “Veli Bajrami” krijuar në Vezhdanisht më 15.05.1943, si dhe çetën e Myzeqesë, krijuar në Poro më 9.09.1943 me pjesëmarrës nga Novosela, Mifoli, Bishani, Alibani), të cilat plotësuan batalionin Perlat Rexhepi” krijuar më 10.09.1943 në Matogjin; kurse në Mallakastër formohet batalioni “Ismail Klosi”. Gjithashtu ne dhe brezat kujtojmë dhe nderojmë dhe 5 çeta autonome: çetën “Hodo Zeqiri”, krijuar në Tragjas më 10.06.1943; çetën “Sino Micoli”, krijuar në Bolenë më 15.02.1943; çetën “Halim Rakipi” – te Lisi i Muharrem Veliut më 5.06.1943; çetën e Bregut, krijuar në Vuno më 1.08.1943; si dhe çetën “Sali Murati”, krijuar në Vranisht më 25.08.1943.

Gjatë muajit gusht u formua edhe komanda e qarkut dhe komanda e vendit. Duke e parë historinë lokale si pjesë të së tërës histori kombëtare, gjykojmë se është detyra jonë që t’i njohim brezat me vendlindjen, me historinë e saj, me kulturën, jetën dhe luftërat për liri, pavarësi, integritet dhe përparim. Sidomos sot, kur jo rrallë herë, po kalohet indiferendshëm LANÇ, ne duhet të jemi të vëmendshëm, të përgjegjshëm, seriozë, atdhetarë të përditshëm. Ashtu siç është e shkruar historia e vërtetë, siç na i kanë thënë të parët, edhe ne duhet t’ua transmentojmë fëmijëve tanë se, në qarkun e Vlorës, bijtë e bijat më të mirë të Vlorës dhe Labërisë, përveçse në çetat vullnetare të fshatrave, fillimisht u rreshtuan me armë në dorë në çetat partizane si çeta “Plakë” e Vlorës, që u formua më 4 dhjetor 1942; në çetat “Halim Xhelo”, “Ismail Qemali” e “Kanan Maze”, që u formuan gjatë muajve prill – maj 1943; në çetat “Zigur Lelo” e “Rinisë”, “Hakmarrja”, “Hodo Zeqiri”, “Halim Rakipi e “Bashkimi”, që u formuan gjatë muajit qershor; në çetat partizane të Bregut të Detit, asaj të Myzeqesë, “Bashkimi i Popullit” dhe “Sali Murati” që u formuan gjatë muajit gusht 1943. Së gjashti, Lëvizja ANÇ i kishte zgjeruar hapësirat e saj dhe kushtet e rrethanat po kërkonin krijimin e formacioneve më të mëdha partizane, që e tejkalonin fazën e parë të luftës dhe sidomos pas krijimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, çetat partizane hynë në përbërje të formacioneve të mëdha të saj si në batalionet, grupet partizane dhe brigadat sulmuese. Batalionet partizane u rreshtuan fillimisht në grupet partizane, si nevojë e drejtimit të veprimtarisë luftarake të batalioneve. Gjatë muajit nëntor 1943 në qarkun e Vlorës u formuan tre grupet e para partizane I, II, III. Konkretisht, për qarkun e Vlorës, batalionet u rreshtuan në Grupin e Parë dhe të Dytë të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër dhe më pas në brigadat sulmuese, ku e përmirësuan më tej strukturën e tyre organizative mbi bazën e 4-5 kompanive. Pra, njësite guerrile, çetat dhe batalionet partizane, të rregullta dhe ato vullnetare  territoriale të vetëmbrojtjes i përkasin fazës së parë të LANÇ. Faza e dytë nis më 10 Korrik 1943 me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH në Labinot të Elbasanit përbërë nga 12 anëtarë me komandant Spiro Mojsiun dhe Komisar Politik Enver Hoxhën. Pas kësaj ngjarjeje historike, struktura e UNÇSH u përsos. U krijuan: organizimi i mirëfilltë ushtarak drejtues, Shtabi i Përgjithshëm, brigadat sulmuese, grupet partizane dhe shtabete qarqeve si dhe Zona e Parë Operative…

Zona e Parë Operative (1943-1944) u krijua në Kuç të Kurveleshit, më 04.08.1943 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, si njësi organizative e veçantë e UNÇSH. Përfshiu në varësinë e saj forcat partizane dhe ato vullnetare – territoriale të qarkut të Vlorës, të Gjirokastrës dhe të krahinës së Mallakastrës, të organizuara në 5 grupe partizane dhe disa dhjetëra formacione vullnetare – territoriale. Shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër – Mallakastër (ZIO) përbëhej nga komandanti – kapiten Islam Radovicka, komisari politik – toger Bedri Spahiu, zëvendëskomandanti – Hasan Pulaj, zëvendëskomisari – Hysni Kapo, oficeri i planeve – Jaho Gjoliku, ndihmësoficeri i planeve – Qazim Kondi, si dhe nga anëtarët: Baba Fejzo, Rexhep Plaku, Nuredin Aliu, Hariz Velo dhe Faslli Jaho. Pranë shtabit u organizua agjitpropi, shërbimi i intendencës, i shëndetësisë, i ndërlidhjes, kompania e shërbimeve dhe spitali. Më 25 gusht 1943 në Shpellën e Ramicës u krijua i pari Spital Partizan për Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Shtabi kishte dy vendkomanda kryesore të alternuara: nga data 4.08-10.10.1943 qëndroi në Kuç, ndërsa nga data 10.10.1943-10.10.1944 në Sheper. Qendra e Shtabit u vendos në Nivan të Zagorisë. Zona e Parë Operative u bë burim për formimin e Br. V, VI, VIII, XVI e XIX të UNÇSH, dha qindra luftëtarë për Br.III, VII,  dhe XI S. Forcat partizane të ZIO zhvilluan veprimtari të gjerë luftarake, nga të cilat mund të përmendim luftën e Konispolit, të Libohovës, të Drashovicës; luftuan në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë etj.; përballuan e zmbrapsën një varg operacionesh ndëshkimore të forcave naziste si dhe mësymjen e përgjithshme armike të dimrit 1943-’44; morën pjesë në mbrojtjen e punimeve të Kongresit I ANÇ të Përmetit (1944); gjatë Mësymjes së Përgjitshme për çlirimin e Shqipërisë së Jugut, në bashkëveprim të ngushtë me brigadat e UNÇSH çliruan qytetet e Gjirokastrës, Sarandës, Delvinës, Vlorës e Fierit. Në shtator 1943, pushtuesit fashistë u zëvendësuan nga nazistët, të cilët u pritën gjithashtu me armë. Një nga betejat më të rëndësishme dhe më të gjata të vitit 1943, e para betejë ballore në Shqipëri e UNÇSH dhe e forcave vullnetare territoriale kundër pushtuesve gjermanë, ishte Lufta e Drashovicës (15.09.1943-04.10.1943), ku vërtet u shkrua një epope. Telegrafisht, mund të përmendim se në fushën e betejës armiku la mbi 200 të vrarë e robër, përveç të plagosurve. Në duart e partizanëve ranë 5 autoblinda, 7 topa, 600 kuaj dhe shumë municion e maleriale të tjera. Nga kampi i përqëndrimit u çliruan 600 robër italianë dhe 100 jugosllavë të internuar. Por në fushën e betejës ranë dhe 20 partizanë dhe u plagosën mbi 50 të tjerë, ndër ta dhe drejtuesi i luftës në qarkun e Vlorës Hysni Kapo.

Së shtati, Brigada e Pestë Sulmuese “Heroinë e Popullit” është formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës, formuar mbi bazën e dy batalioneve partizane “Ismail Qemali” dhe “Halim Xhelo”, si dhe vullnetarëve të rinj që plotësonin radhët. Br.V S është një nga 27 brigadat e Ushtrisë së lavdishme NÇL. Vlen të theksojmë se efektivi i saj përbëhet nga bijtë e bijat më të mira të Vlorës e të Labërisë, luftëtarë të vjetër, ish-partizanë të Çetës “Plakë” të Vlorës, e të shumë njësive të tjera. Fillimisht kishte 3 batalione, me një efektiv të përgjithshëm prej 960 partizanësh. Me një organizim të tillë, Br.V S ishte formuar që më 28 nëntor 1943 në Gumenicë, madje ishte angazhuar në luftime për përballimin e operacionit nazist “Bergkessel” në luginën e Lumit të Vlorës, në dhjetor 1943, ku ra dhe komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abaz Shehu. Ajo u përurua më 20 janar 1944 në fushën e Bramyshnjës së Tërbaçit dhe përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe politike-ushtarake. Më 20 janar 1944, Brigada u plotësua me 5 batalione me mbi 1200 partizanë, fillimisht secili me nga 3 kompani. Efektivi i përgjithshëm i Brigadës nga 1200 partizanë në Bramyshnjë, kur po nisej nga Novipazari më 15 mars 1945 numri efektiv i Brigadës arrin 3000 luftëtarë. Brigada kishte 5 batalione me nga 200-400 partizanë dhe në çdo batalion kishte 4 kompani me nga 40-80 vetë. Karakterizohej nga thellësia e veprimeve luftarake në drejtim 2300 km, me temp minimal e maksimal të marshimeve: 20-50 km në ditë, si dhe vazhdueshmëri të marshimeve të sforcuara 3-5 ditë. Rruga luftarake e Br. V S, e betejave të saj të lavdishme, duket nga vetë luftimet e ashpra e të pandërprera që ajo zhvilloi prej skajeve jugperëndimore të Atdheut deri tek ato verilindore në Kukës e në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren e në Drenicë të Kosovës, madje edhe përtej tyre, deri në Sanxhak e në Bosnjën Jugore. Luftimet e saj, si ato për thyerjen e operacioneve naziste në dimrin e viteve 1943-’44 në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër, ato të Sevasterit, të Kuçit e të Borshit në mars e në prill të vitit 1944, të Çarshovës e Biovizhdës së Përmetit në maj, të Qafës së Gjarpërit e të Gurit të Prerë gjatë thyerjes së Mësymjes armike të Qershorit 1944; kalimi i Shkumbinit dhe luftimet në Shupal të Tiranës, në Macukull e Klos të Matit, në Sinë e Korab të Dibrës, në Lumë të Kukësit, në Gjakovë e Prizren dhe në malet me borë të Sanxhakut, do të kujtohen gjithnjë si beteja, ku është derdhur shumë gjak trimash të kësaj njësie partizane kundër një armiku të madh, të egër, të fuqishëm dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Nga Br. V, Br. VI dhe njësi të tjera partizane, që përbënin dy divizione të plota, me luftën heroike e gjakun e derdhur nga bijtë dhe bijat më të mirë e të devotshëm, u çliruan Kosova dhe krahina në Mal të zi e Maqedoninë e Veriut. Brigada ndoqi me luftë pushtuesit gjermanë deri në thellësitë e Malit të Zi e në territoret e Sanxhakut të Bosnjës. Është legjendare mësymja në pllajën e Sanxhakut e Brigadës V, duke qenë në vijën e parë të Divizionit V S (në të cilin bënin pjesë dhe Br. III dhe XXV S) dhe të Br. VII të UNÇJ. Mësymja nisi më 21 dhetor 1944 kundër mbrojtjes së fortifikuar të forcave naziste e çetnike, në kushtet e një terreni të vështirë me dimër të ashpër. Pas 23 ditë luftimesh, ato çliruan qytetet Senicë, Priepolje e Preboi dhe më 12.01.1945 dolën në kufijtë e Bosnjës jugore. Gjatë veprimtarisë së saj luftarake Br. V, nga 28 nëntori 1943 deri më 7 dhjetor 1945, që zgjati 752 ditë, i shkaktoi armikut humbje të ndjeshme në forca të gjalla e teknikë luftarake, mijëra të vrarë, të plagosur e robër. Nga radhët e saj ranë në fushën e luftës 370 dëshmorë, midis tyre 9 Heronj të Popullit Abaz Shehu, Hysen Çino, Zonja Çurre, Zaho Koka, Dervish Hekali, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Laze Nuro Ferraj dhe Kastriot Muço. Rol të rëndësishëm në kryerjen me lavdi të detyrave të saj luajtën kuadrot që e udhëhoqën Brigadën në rrugën e gjatë luftarake prej 2900 km, në mbi 40 luftime, qysh nga Operacioni Nazist i Dimrit 1943, deri në çlirimin e krahinës së Sanxhakut më 12 Janar 1945 e marshimin nga data 7-15 mars 1945 për t’u kthyer përsëri në Kosovë, ku qëndroi deri në fund të vitit 1945. Sipas historikut të parë të Brigadës “Rruga luftarake e Brigadës V Sulmuese”, Tiranë; “Naim Frashëri”, 1968, f. 46, Kuadri që udhëhoqi forcat e Brigadës V gjatë Ofensivës së Dimirit ishte ky: Komanda e Brigadës: Komandant i Brigadës Shefqet Peçi, Komisar politik Hysni Kapo, Zëvendëskomandant Dervish Hekali, Zëvendëskomisar Manush Myftiu, Intendent Kadri Brahimi, Sektori i Shëndetësisë Dr. Ibrahim Dervishi, Sektori i Agjitacionit dhe Propagandës Andrea Varfi, Dhimitër Mandro. Seksioni Politik: Përgjegjës i Seksionit Politik Hito Çako, anëtarë Bilbil Klosi, Veis Pipa, Ramize Gjebrea. Brigada botonte organin e saj luftarak revistën “Buçitja”. Brigada V S është dekoruar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe njihej e nderohej në popull si “Brigadë e flakës, e zjarrit dhe e sulmit”.