Tonin Alia: Krijohet Klasteri i Industrisë së Drurit

1538
Sigal

Muajt e fundit ka pasur një zhvillim shumë të rëndësishëm në industrinë e drurit në Shqipëri.

Kjo industri kaloi në një fazë tjetër falë mbështetjes së Cooperacionit Gjerman GIZ, përfaqësuar nga Koordinatorja e Projektit Eranda Begaj dhe me ndihmën e ekspertes maqedonase të ekonomisë Zj. Nikolina Trajanoska, e cila me trajnimet e saj i dha formë ideimit dhe krijimit të Klasterit Të Industrisë së Drurit në Shqipëri.

Klasteri është një grupim formal ose joformal midis ndërmarrjeve ose institucioneve, distributorëve të specializuar, universitetet dhe institucionet hulumtuese të tjera me interes

të përbashkët. Lidhje e suksesshme në klaster rezulton me rrjetin e lidhjeve të dobishme reciproke për këmbimin e informacioneve, ideve, përkrahjes lidhur me teknologjitë e reja, studimet dhe zhvillimin, fitimin e aftësive, tregjet, modelet e reja tregtare dhe sferat tjera me interes të përbashkët. Klasterët i sigurojnë kompanitë, rajonet dhe vendet që të fitojnë një përparësi konkurruese afatgjatë, t’i shfrytëzojnë mundësitë që i sjell globalizimi dhe me sukses të ballafaqohen me sfidat e tij.

Klasteri vepron si një ndërlidhës i fort midis ndërmarrjeve dhe korporatave private, institucioneve shtetërore, shkencore si dhe universiteteve. Ky lloj bashkëpunimin është edhe çelësi i zhvillimit afatgjatë të klasterit në vend.

Në Tetor të vitit 2011 u krijua Shoqata e Prodhuesve të Mobilierisë të Shqipërisë (SHPMSH) si një organizatë vullnetare për mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj, si dhe e interesuar për zhvillimin e kësaj industrie në Shqipëri sipas standardeve evropiane.

Objektivat tona në atë kohë ishin:

  1. Rritja e shkallës së përfaqësimit në forumet e biznesit
  2. Rritja dhe zhvillimi i marrëdhënieve bashkëpunuese me interes reciprok të anëtarësisë
  3. Rritja e partneritetit publik-privat si një marrëdhënie efikase bashkëpunimi mes SHPMSH dhe shtetit, për të shqyrtuar më shumë mundësi dhe potenciale zhvillimi për industrinë e mobilieve.
  4. Mbështetje për krijimin e shkollave profesionale ku praktikat të zhvillohen në ndërmarrjet e tyre prodhuese.
  5. Rritjen e përpjekjeve për anëtarësimin e SHPMSH në Federatën Evropiane të Përpunuesve të Drurit.
  6. Organizime dhe pjesëmarrje në ekspozita , seminare dhe takime Be to Be brenda dhe jashtë vendit, me qëllim promovimin e produkteve të drurit “Made in Albania”
  7. Pjesëmarrje në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare të prezantimit të teknologjisë inovatore, dizajnit, produkteve dhe lëndëve të para brenda profilit.
  8. Krijimin e mundësive për futjen e teknologjive të reja të prodhimit të mobilierive për të qenë sa më konkurrues në tregun lokal dhe më gjerë.

Nga informacionet që dispononte shoqata nga anëtarët tanë që ushtronin veprimtari në dymbëdhjetë qarqet e vendit rezultonte se:

  • Ushtronin aktivitetin rreth 1900 biznese nga të cilat 40% janë biznese të mëdha dhe 60% biznese të vogla.
  • Numri i të punësuarve në këto biznese ishte mbi 60 000 punonjës. Aktiviteti i tyre përfshinë prodhimin e mobilieve, arredim të brendshëm të banesave, hoteleve, restoranteve, zyrave, qendra sportive e kulturore, komplekseve turistike, prodhimin e dyerve e dritareve, prodhimi i banesave prej druri duke përdorur kryesisht lëndë të parë importi etj

Njëkohësisht pozitive ka qenë futja e teknologjive dhe pajisjeve të reja në këtë sektor si rezultat i investimeve private të kryera prej 250 milionë euro. Një pjesë e investimit është mbështetur edhe nga programe të ndryshme të aplikuara për vendin tonë nga organizata dhe fondacione ndërkombëtare.

Fakt është se cilësia e mobilieve të prodhuara në Shqipëri ka ardhur duke u përmirësuar aq sa prodhimet vendore konkurrojnë importin, në një mënyrë të veçantë ato të ardhura jashtë (Tregut Evropian). Kjo është vërtetuar dhe nga suksesi i arritur në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara.

Shoqata jonë ishte e ndërgjegjshme se sfidat po bëheshin përherë e më të vështira dhe se kërkonin hapa më të vendosur në funksion të përmirësimit të cilësisë, rritjes së prodhimit, përballimit të konkurruencës dhe ballafaqimit me tregjet evropiane e më gjerë ndaj një pjese e anëtarësisë së ish-shoqatës mirëpriti dhe aderoi pa rezerva e u bë pjesë e Klasterit të Industrisë së Drurit, krijuar dhe mbështetur nga Cooperacioni Gjerman, GIZ-it, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AIDA-s dhe Universitetit Bujqësor .

Tashmë organizata jonë e re ka të përcaktuar qartë vizionin – misionin – qëllimin strategjik dhe aktivitetet në vazhdim por kërkohet sot dhe jo më vonë, përpjekje maksimale të anëtarëve krijues të Klasterit dhe jo vetëm por dhe të strukturave shtetërore mbështetëse që çdo ditë të ecim një hap më shumë në funksion të arritjes së qëllimit tonë të përbashkët.

Kjo sfidë kërkon angazhim konkret për të:

  • sensibilizuar të gjithë prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve të industrisë së drurit të bëhen pjesë e Klasterit,
  • rritjen e përpjekjeve lobuese pranë strukturave shtetërore për zgjidhjen e një sërë problemesh dhe shqetësimesh që ka sot ky sektor,
  • konkurrimin me projekte dhe sigurimin e mbështetjes financiare dhe të tregjeve më të favorshme,
  • plotësimin e kushteve të nevojshme për anëtarësimin e Klasterit në organizatat ndërkombëtare që operojnë në fushën e përpunimit të drurit.
  • Etj

Gjatë promovimit të këtij Klasteri u zgjodhën dhe organet drejtuese të tij:

Kryetar                        Z. Sulejman Ulliri

Drejtues Teknik          Z. Preng Prenga

Menaxhere                 Znj. Julinda Kllapi

Përveç përkrahjes së jashtëzakonshme të subjekteve prodhuese në industrinë e drurit që janë dhe aktorët kryesor të kësaj nisme, GIZ si nismëtarë dhe ekspertë të ekonomisë me trajnimet e saj, gjetëm dhe një mbështetje jo fort të vogël edhe nga ana e institucioneve shtetërore dhe universitare ku nuk mund të lë pa përmendur miqtë nga:

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë
Nikoll Gega
,
ish- përgjegjës sektori
Genci Hoxhaj, përgjegjës sektori politikave industriale
Laureta Dibra, përgjegjës sektori
Preng Prenga përgjegjës sektori
Ministria Financave dhe Ekonomisë

Majlinda Hafizi, Drejtoria e Zhvillimit të Politikave Ekonomike
AIDA
Pëllumb Qosja, ekspert
Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
Ines Muçostepa
Majlinda Saraçi
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Universiteti Bujqësor i Tiranës
Leonidha Peri, dekan
Entela Lato

Arben Bejtja

 

Nga Tonin ALIA, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Mobilierisë së Shqipërisë