Damian Gjiknuri : Tranzicioni në energjinë e gjelbër

113
Sigal

Bashkorganizuar nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Milli Majlis i Republikës së Azerbajxhanit, nga datat 22 deri në 24 maj në Baku po zhvillohet Konferenca me temë “Roli i Parlamenteve Kombëtare në Promovimin e Sigurisë dhe Stabilitetit përmes Ekonomisë së Gjelbër, Ndërlidhjes dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Në këtë aktivitet, Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga Delegacioni i Përhershëm në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Damian Gjiknuri, Ermonela Valikaj dhe Helidon Bushati.

I ftuar si folës në panelin për “Rolin e Koncepteve dhe Teknologjive të Gjelbra në Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Rimëkëmbjen Ekonomike”, ishte edhe Damian Gjiknuri, kryetar i delegacionit të përhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në fjalën e tij ai u shpreh se, “Shqipëria është i vetmi vend në botë që prodhon 100 % energji të rinovueshme falë hidroenergjisë, shtimit të kapaciteteve të energjisë diellore dhe së fundi edhe atë të erës, që mes të tjerash shkaktojnë një efekt pozitiv për ekonominë e gjelbër”.

Lidhur me sigurinë dhe stabilitetin, kryetari i delegacionit, Damian Gjiknuri theksoi se, është domosdoshmëri vijimi i një agjende të përbashkët drejt një të ardhmeje më të sigurt për Evropën dhe botën.

Konferenca ndër të tjera u ndal edhe në përshpejtimin e tranzicionit në energjinë e gjelbër.

Përfaqësuesi i delegacionit kanadez, John Alder kishte përgatitur edhe një raport rreth kësaj teme, për të cilën delegatët e asamblesë do të votojnë rezolutën në Sesionin Vjetor që do të mbahet në Vankuver këtë vit.