Ahmet Shqarri: Si nisi emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” në vitin 1983 sipas modelit italian. Transmetimet më të vështira dhe roli i Agron Çobanit dhe Alfons Gurashit

700
Sigal

Ishte e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë në efir valët e të parit emision ndryshe

Si nisi emisioni “ Nga njëra ndeshje në tjetrën”…

Kisha parasysh  modelin e emisionit  të  famshëm Italian që kishte nisur në vitin 1963

“Oponentët” më interesantë të këtij emisioni ka qenë Agron Çobani  së bashku me Alfons Gurashin

Nga: Ahmet Shqarri

-Kujtime-

…Një jetë pranë mikrofonit më lidh me shumë gjëra, ngjarje e kujtime, që në profesionin e gazetarit përjetohen përmes emocioneve të paharruara. Emisioni “ Nga njëra ndeshje në tjetrën” me historinë e tij, nga fillimi e deri tani, përbën një nga ato ngjarje që për mua mbetet nga më të çmuarat. Prandaj ditën kur ky emision  arriti shifrën e 500-të, unë si krijues e si drejtues i tij u përpoqa që të rikujtoj disa nga gjërat që më kanë lënë  më shumë mbresa, të cilët po i botoj në krye të këtij libri…

Si nisi historia e emisionit radiofonik, më i dëgjuari në Shqipëri?!

…Që nga ajo e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë në efir valët e të parit emision, i quajtur që nga starti i tij e deri tani “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, e deri të  shtunën e 14 marsit 1998, kur u zhvilluan  ndeshjet  e javës së 24-ët të kampionatit të 59-të Kombëtar të futbollit, emisioni radiofonik, tashmë tepër i njohur  për reputacionin që ka fituar, arriti në transmetimin e tij të 500-të !

Një Jubile, do ta quaja këtë numër transmetimesh të emisionit, që ishte dashur të  kalojë  përmes vështirësive të shumta, gjithsesi me ngjarje të bukura  e mbresëlënëse. Pa dashur që të bëj historinë e hollësishme të 500 emisioneve, që në fakt nuk do të mundja të bëja kurrsesi, për vetë volumin e madh të punës që është kryer për realizimin e transmetimeve  të tyre, për vetë ngjarjet e panumërta dhe personazhet e shumtë pjesëmarrës në to, ç’ka dpo të duhej ndoshta një libër më vete për t’i pasqyruar, natyrisht edhe për ato që do të vijnë më vonë, sidoqoftë e kam  të pamundur që të mos përmend ato ngjarje të fillimit, me të cilat nis vetë historia e këtij emisioni… Kisha  ditë dhe javë që përgatitesha për t’ia filluar kësaj pune dhe skicë-idenë e emisionit e kisha  diskutuar  disa herë me shokët e miqtë e mi plot kulturë e profesionistë, si regjizori Ylli Pepo me të cilin kishim nisur punë  në RTSH menjëherë sapo  përfunduam studimet  për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, i cili tashmë njihet ndër të tjera edhe si realizues i të  parës telenovelë në Shqipëri:  me Besnik Dizdarin koleg që në hapat e parë të karrierës sonë gazetareske, si dhe me fotoreporterin e shquar Petrit Kumi që në ato vite nuk linte ndeshje futbolli  të “17 nëntorit” pa parë dhe fotografuar  duke qenë ai me Ymer Halilin, Petrit Shaqirin, Agron Krutin, Besim Fushën, Lekë Hotin, Kosta Bein dhe Nikolin Babën, të vetmit që fotot e tyre i  botonin në gazetat e kohës, nën gjurmët e veteranit  Enver Shabani. Pra, pa e humbur fillin e mendimit që të gjithë këta miq e shokë, për hir të së vërtetës, kanë jetuar aq shumë, së bashku me mua, emocionet e atij emisioni  të parë…Dhe pasi kaloi e shtuna me ndeshjen  Dinamo-Flamurtari, të nesërmen me 2 tetor 1983 do të luheshin  gjashtë  takimet e tjera të javës së 5-të të kampionatit të  sezonit ’83-’84. Pikërisht me ndeshjet e kësaj jave  do të merrte  rrugë emisioni , që do të kishte si qëllim që të  transmetonte  direkt në Radio Tirana  të gjitha ndeshjet që zhvilloheshin  Brenda ditës dhe në të njëtin orë. Do të  ishte kështu, një lloj imitimi  i asaj që bëhej më shumë  vende të  tjera, ku futbolli kishte traditë dhe nivel, por duke pasur parasysh  modelin e emisionit  të  famshëm Italian “Tutto il calico minute per minute”, që kishte nisur edhe  ai jo shumë  larg në kohë, veçse 20 vjet më parë pikërisht më 1963-shin!.

Mbaj mend atë ditë kur ndeshjet donin edhe dy orë që të nisnin dhe unë kisha kohë që sillesha nëpër koridoret, zyrat dhe studio e Radio Tiranës duke u lidhur herë pas here me radioklronistët dhe teknikët e Radios nëpër qytet ku do të zhvilloheshin  ndeshjet si dhe me frekuencën e postës Qëndrore të Tiranës, pa bashkëpunimin e së cilës nuk mund të kuptohej  ekzistenca e këtij emisioni. Nëpër të gjitha rrethet, që një natë më parë, ishin nisur makina me teknikët dhe aparaturat përtkatëse, të improvizuara  ashtu thjeshtë, por të vëna në provë që më parë  për sigurinë e tyre në transmetim. Edhe aparatet telefonike që do të bënin  lidhjet me Studion Qendrore të Radios, bënin pjesë në pajisjet e transmetimit mbushur  me kabllo të ndryshëm  e të shumëllojshëm. Që disa ditë më parë opinion ishte informuar për këtë emision special, nëpërmjet një shkrimi të  hollësishëm te botuar në gazetën e vetme të atyre viteve, “Sporti”.

Me kufje në vesh…

E mbaj  mend mirë atë çast kur me kufje në vesh, aty brenda në studio, duke pasur asistencën e teknikëve Fadil Alimehmeti dhe Sabahete Qylafku, prisja kohën e duhur  për të nisur atë që kisha  projektuar  prej kohësh. Pra, ishin  dy teknikë të turnit të pasdites, ndërkohë që të tjerë të turnit të paradites ishin marrë me provat nëpër rrethe, në kontakt me teknikët, për të cilët përmenda se kisha  shkuar  nëpër qytete ku do të zhvilloheshin  ndeshjet, që një natë më parë. I hodha një sy teknikëve, që qëndronin përtej xhamit hermetik te studios, si për ti dhënë zemër njëri-tjetrit, sidomos F.Alimehmeti, që do t’i duhej ti përballonte edhe ndonjë problem që mund të haste teknikja e tij kolege, që ashtu si shumë shoqe të tjera më vonë do të ankoheshin gati për çdo emision, me shqetësimin  se “Nuk e njohim futbollin”. Praktika e mëvonshme, sidoqoftë, ka provuar se këtë  transmetim nga Studio Qëndrore e kanë marrë në dorë pikërisht femrat ku megjithatë duhet thënë se, më parë teknikët me përvojë Rexhep Reçi e Hasan Stërmasi dhe më vonë dora e Fatmir Dizdarit dhe tani edhe e Rubin Kristos, i kanë dhënë dhe i japin atij lustrën e duhur!. Kështu pra, pasi provova të lidhem para ndeshjeve ne të gjitha rrethet në orën e caktuar fiks 15;00 sipas proogramit, u lëshua sinjali. Ishte një muzikë e huaj e ilustruar  me pak ambient stadium, ku thuhej vetëm:Po fillojmë emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Sapo sinjali mbaroi, para se të shtypja butonin e transmetimit  direkt, që do të ndizte pastaj dritën e kuqe, mbaj mend që u kollita për të qorruar zërin. Ishte më shumë një ngarkesë emocionale, që duhej ta shkarkoja. Më vonë kjo gjë mu bë shprehi gjatë gjithë kohës kur do të transmetoja këtë emision për çdo javë dhe jo rrallë  por edhe dy herë në javë. Sidoqoftë për të qenë i sigurt për të mos e provuar dështimin  që në fillim me lidhjet telefonike, pasi bëra një hyrje të shkurtër e dërgova linjën për ndeshjen 17 Nëntori-Labinoti në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku komunikimi për studio e Radio Tiranës, prej kohësh bëhet nëpërmjet një kablli nëntokësor, pa pasur nevojë për telefon. E bëra këtë edhe për faktin se ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme  të javës që do të transmetohej nga më i miri  dhe më i vjetri i radiokronistëve Ismet Bellova. Dhe pa u zgjatur, pas Tiranës ia nisëm me radhë: Ymer Striniqi në Shkodër për ndeshjen Vllaznia-Lufdtëtari, Vlash Pambuku në Berat për ndeshjen Tomori-Partizani, Vladimir Ngjela në Korçë për ndeshjen Skënderbeu-Naftëtari, Bujar Qesja në Durrës për ndeshjen Lokomotiva-Besa dhe Avni Kërtuka në Burrel për ndeshjen 31 Korriku- Traktori…

Transmetime të vështira

Thashë se nuk do të  zgjatem megjithatë kujtimet për atë  emision të parë të transmetimit e të gjitha ndeshjeve  të javës së pestë, për kampionatin kombëtar të sezonit ’83-’84, s’po më lenë të shkëputem lehtë! Atëherë…pas transmetimit të sinjalit të mbylljes, ku u dëgjuan  edhe “Frushiot” që shoqëronin fundin e tij, nisën dhe urimet dhe përgëzimet e ndërsjellta, ku mbaj mend se nga më entuziastët ka qenë tekniku Hysen Sala, i cili atë ditë mori përsipër transmetimin  nga Burreli. Edhe pse tifoz i madh i “17 Nëntorit, ai u detyrua atë ditë nga eprorët që të transmetonte ndeshjen, sipas tij “pa rëndësi”, 31 korriku-Traktori, por edhe  tekniku Stavri Janiqi, me gjithë qetësinë dhe skrupulozitetin e tij, dukej shumë i kënaqur me realizimin e atij transmetimi  të parë. Madje edhe shoferët duke filluar nga më i vjetri Koço Duka dhe Rifat Tare, kanë qenë aq të impenjuar atë ditë saqë i kanë ndjekur ndeshjet nëpër kabinat  e transmetimit, të stadiumeve ku ishin të  pranishëm me teknikët, duke përcjellë me vëmendje  çdo fjalë të radiokronistëve…

Ishte e para herë!

Dhe që nga ajo ditë e parë e transmetimit e deri tani nga ‘oponentët” më interesantë të këtij emisioni ka qenë Agron Çobani  që së bashku me Alfons Gurashin, ishin nga të parët, për të mos thënë ata që i dhanë  udhë radiokronikës në Shqipëri. Sidomos regjizori i mirënjohur  Albert Minga, të cilit për çudi edhe  pse kohët ndryshuan, megjithatë nuk i iku asnjë çast dashuria dhe pasioni  për skuadrën e qytetit të tije të lindjes, “Flamurtarin” e Vlorës. Lojërat e mrekullueshme she rezultatet e shkëlqyera të Flamurtarit në fund të viteve ’80 sidomos në arenën ndërkombëtare patën sjellë edhe ato çaste të paharruara  bashkëpunimi  me regjizorin Minga si dhe me kolegun  tjetër  Vladimir Grillo me të cilin patra nisur të hedh hapat  e para në gazetarinë sportive në RTSAH.  Ishin punë të realizuara që ende nuk kanë të krahasuar me ndonjë  transmetim tjetër të drejtpërdrejtë televiziv që bëhet sot për ndeshjet  e kampionatit  tonë të futbollit . Nartyrisht në atë kohë, në skenën  tonë të  futbollit  luante një tjetër  “Flamurtar”, ishte një “17 Nëntor” gjithashtu tjetër , që me skuadrat e shquara  të traditës “Vllaznia”, “Partizani” e “Dinamo” bënin që stadiumet tona për çdo javë të shndërroheshin në arena  me të vërtetë të magjishme  nga lojërat spektakolare që ato paraqisnin…

Por jo vetëm ajo ditë, por dhe shumë e shumë të tjera që erdhën më pas, kanë qenë të tilla, të ngarkuara plot punë, pasion, emocione dhe shqetësime të pafundme!…

Në fakt ai emision i parë i 2 tetorit 1983 nuk lindi ashtu vetvetiu. Ai ka qenë piketuar më parë  që në fillim të viteve ’70 kur Radio Tirana , nga ai transmetim tradicional i një ndeshje të vetme futbolli, që kishte nisur në fund të viteve  ’30 dhe pastaj me dy të njohurit  e tjerë të radiokronikës shqiptare të futbollit Ismet Bellova dhe Skifter Këlliçi, nisi të gërshetojë më vonë  transmetimin edhe të dy ndeshjeve  përnjëherësh, duke zgjedhur me këtë rast dy stadium ku luheshin ndeshjet më të rëndësishme  të javës dhe ku zakonisht ishte asistenca e teknikëve  plot përvojë dhe të shquar  të Radio Tiranës, Naqo Berberi dhe Skënder Paçrami. Ndërkohë jo vetëm futbolli kishte hyrë kështu në linjë transmetimi  direkt por edhe  sportet e tjera, që kishin lulëzimin e tyre në vitet ’80-të. Ishin vite ku transmetoheshin  direkt nga Radio Tirana  ndeshje të kampionateve të basketbollit , ku për të parë lojërat e të madhit  Agim Fagu me shokë biletat shiteshin që një javë më parë. Po kështu edhe për volejbollin që atë kohë kishte protagonist  të jashtëzakonshëm, si :Asllan Rusi, Dashamir Fagu apo e famshmja Elas Tase, për të vazhduar më pas me transmetime  të sporteve të tjera, ku merrnin pjesë protagonist  të shquar të atyre viteve, si Pirro Dhima në peshëngritje, Agim Tafili në çiklizëm, e të tjerë..

Nesër do lexoni:

-Nuk harrohen Ismet Bellova, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mneri, Robert Papa, Ilir Meta

– Ustallarët e kësaj pune  si Ismet Bellova, Aleko Gjergo dhe Veli Rada  ishin ata që shkonin  më shpesh nëpër rrethe

– Frenk Sinatra, kur doli televizioni, pati thënë se:“Ttelevizioni një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë më ngjan si radio!…

-Nuk harrohen Ismet Bellova, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mneri, Robert Papa, Ilir Meta

– Ustallarët e kësaj pune  si Ismet Bellova, Aleko Gjergo dhe Veli Rada  ishin ata që shkonin  më shpesh nëpër rrethe

– Frenk Sinatra, kur doli televizioni, pati thënë se:“Ttelevizioni një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë më ngjan si radio!..