Ja si u ekzekutua opozita e parë shqiptare pas çlirimit

576
Sigal

Historiani Prof. Dr. Elmaz Leci. Paralele historike/ Si sot 74 vjet më parë, grupi i deputetëve të opozitës, u morën direkt nga salla e parlamentit dhe u mbyllën në qeli. Asakohe, “qeverinë” e Enverit e njihte vetëm Jugosllavia. Emrat e deputetëve të 2 Dhjetorit, manipulimi nga hetuesia dhe tortuarta deri në vdekje në birucat e Koci Xhoxes

 Prof. Dr. Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

 Më 23 dhjetor të vitit 1946 dhe më 15 maj të vitit 1947, Enver Hoxha arrestoi 16 deputetë të parlamentit të parë shqiptar të pas Luftës. Të gjithë me akuza të montuara e të pranuara nën torturë. Të gjithë intelektualë të shquar me mendime ndryshe nga ato të Enver Hoxhës. Udhëzimin për arrestimin e deputetëve, Enver Hoxha e mori në Beograd.

Pikërisht në vizitën e parë në Jugosllavi, Enver Hoxha në takim me Titon i raporton edhe për situatën në Parlament, për mendimet antikomuniste të Shefqet Bejës, Riza Danit e të disa deputetëve të tjerë që atë e shqetësonin. Tito aty për aty i jep Enver Hoxhës opsionin urdhër se “ndaj deputetëve që dalin kundër vendimeve komuniste, të merren masa ekzekutive”.

Në fakt “mllefin” ndaj Grupit të Deputetëve, kështu i etiketuan “grupi i deputetëve” dhe kështu u ka mbetur ky emërtim që pas arrestimit të tyre, Enver Hoxha e kishte që nga pragzgjedhjet e vitit 1945. Dhe pikërisht me dokumente, që më 17 tetor të vitit 1945, pikërisht në prag të zgjedhjeve për në Asamblenë Kushtetuese, u zhvillua Plenumi i 4-t i partisë, i cili analizoi situatën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Pjesëmarrësit në mbledhje u shprehën të shqetësuar mbi mbështetjen e masave ndaj regjimit të ri. Enver Hoxha në referatin e tij theksonte se “reaksioni (opozita kundër partisë së tij) nuk i kishte rrënjët në ujë”. Sipas drejtuesit kryesorë të PKSH-së, “situata ndërkombëtare kishte nxitur “reaksionin” për tu organizuar dhe për të krijuar një lëvizje opozitare”.

Në atë kohë Enver Hoxha konsideronte opozitarë një seri deputetësh të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 si Shefqet Beja, Selaudin Tota, Enver Sazani, Sheh Karbunara, Irfan Majuni, Tefik Delialliasi, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kostandin Boshnjaku, Kol Kuqali e Arif Gjyli, të gjithë personalitete, të gjithë “të lutur” nga Enver Hoxha që të pranonin të bëheshin deputetë për “interesa të Shqipërisë”, të futeshin në listat e Frontit, jashtë kandidaturave të partisë komuniste. Dhe ata të gjithë me që çështja i u shtrua për të mirën e Shqipërisë, pranuan por jo me mendimet e Enver Hoxhës. Ky “organizim” i “Qeverisë provizore”, më saktë i Enver Hoxhës i duhej opozita për zgjedhjet dhe ky, përfshirja e gjerë e personaliteteve jashtë radhëve të partisë për në listat e zgjedhje, ishte kusht që duhej të plotësohej patjetër. Ishte një kërkesë e diktuar, në antitezë me faktin që për dy vjet me radhë, nga krerët e Partisë Komuniste ishte punuar që menjëherë pas lufte, vetëm grupimi i tyre politik të dilte në skenë. Në fakt që nga “Mukja”, hapur fare filloi puna për eliminimin e eksponentëve të organizatave të tjera politike si “Balli Kombëtar” apo “Legaliteti”. Por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fatin e keq në Shqipëri e pati edhe “Grupi i deputetëve”, opozita, që lindi me shumë bujë dhe që pati një jehonë të madhe, për vetë faktin se mori përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe. Kjo u bë e mundur vetëm nga direktiva e aleatëve, të cilët deshi nuk deshi Enver Hoxha vetëm kështu ai mund të siguronte mbështetjen e duhur ndërkombëtare.

Jemi në një kohë që “Qeverinë” e Enver Hoxhës, nuk e kishte njohur asnjë qeveri, përveç asaj jugosllave. Dhe kushti vendimtar i njohjes i aleatëve të mëdhenj, ishte zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Enver Hoxha i inspiruar nga jugosllavët hyri në rol. Iu “qep” njerëzve patriotë që ta mbështesnin me kandidaturat e tyre në zgjedhjet e 2 dhjetorit. Dhe ata, nisur nga interesat kombëtare, pranuan të vendoseshin në listat e Frontit, por nuk ndërruan bindjet e tyre demokratike, sepse ato njerëz qenë jo vetëm të mençur por edhe me integritet.

Enver Hoxha, jo se nuk i njihte ata personalitete dhe bindjet e tyre, jo se nuk kishte informacion për ta e për mendimet e tyre, madje edhe për qëndrimet e tyre demokratike pro perëndimore, por në ato momente mbi gjithçka atij i interesonte legjimiteti i zgjedhjeve. Ndërsa pas zgjedhjeve, pra pasi hodhi lumin, Enver Hoxha për “ndjekjen” e atyre, që i cilësuan një apo dy vjet më pas “opozitarë”, “tradhtarë” e “armiq”, ai ngarkoi “fuqiplotë” për eleminimin e tyre direkt Koçi Xoxen.

Nga gjurmimi i elementëve, që më pas u quajt Grupi i deputetëve dhe vija e tyre, informacionet mbi veprimtarinë e tyre i vinin Enver Hoxhës direkt e indirekt. Shefqet Beja, që u bë deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, mendimet e tij do t’i shprehte hapur me gojë e me shkrim se ai “ishte për një sistem liberal ekonomik”. Këto mendime binin ndesh me atë nga e kish drejtuar “busullën” rregjimi. Mendimet që shprehnin deputetët  “regjistroheshin” e arkivoheshin nga Enver Hoxha. Në disa artikujt që botoi në gazetën “Bashkimi” që gjatë qershorit të vitit 1945, Shefqet Beja do të shprehej mbi politikat ekonomike, që “duhet të zbatoheshin në Shqipëri dhe rrugën ku e si duhet të ecte ekonomia shqiptare”. Në ato artikuj Shefqet Beja shpaloste “idetë e tij për një sistem liberal ekonomik, ku peshë dhe rëndësi duhet t’i jepej prodhuesit privat, i cili duhet të kujdesej vetë për cilësinë e prodhimit dhe gjetjen e tregjeve të shitjeve”. Jo vetë kaq, jo vetëm në drejtim të ekonomisë, por Shefqet Beja nuk i fshehu edhe pikëpamjet e tij mbi sistemin politik, “që duhej të vendosej në Shqipërinë e pasluftës”. Në referatin e mbajtur në Kongresin e Frontit në gusht të vitit 1945, Shefqet Beja u përpoq të minimizonte rolin e partisë komuniste në drejtimin e vendit, duke i mëshuar rëndësisë se Fronti të paktën duhej të merrej si një organizatë që përfshinte një shumicë absolute shqiptarësh. “Frontit i bie barra – theksonte Shefqet Beja, – që ta udhëheqë e ta edukojë popullin në rrugën e demokracisë dhe ashtu si në kohën e luftës, ku ai ishte organizuesi dhe mobilizuesi i popullit…, ashtu dhe sot, akoma më shumë i takon të jetë udhëheqësi dhe mobilizuesi i popullit për demokracinë dhe konsolidimin e saj në vendin tonë”.

 

Koncepte të ngjashme për zhvillimin ekonomik e politik të vendit kishte edhe Konstandin Boshnjaku, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Konceptet e tij mbi zhvillimin ekonomik të vendit, ai i a paraqiti më 22 dhjetor 1945, me anë të një Promemorie Këshillit të Ministrave. “Jam i mendjes që ne, inisiativës private -shkruante Konstandin Boshnjaku, – duhet t’i japim rëndësi të madhe, duhet të ikurajojmë dhe sidomos të mos e shqetwsojmë herë pas here, pasi…pa inisiativën private nuk mund të bëhet as rindërtim, as ndërtim dhe asnjë përparim në ekonominë tonë”. Në atë Promemorie, Konstandin Boshnjaku paralajmëronte Këshillin e Ministrave dhe drejtuesit e lartë komunistë se mungesa e iniciativës private do të çonte në një ekonomi parazitare. Ai shprehej i pakënaqur me Reformën Agrare… Sipas Boshnjakut, shteti nuk duhet të ndërhynte në sipërmarrjen e lirë dhe politika ekonomike duhej të kishte qëllim shtesën e prodhimit dhe pasurimin e atyre që punojnë”.

Mendimet e Konstandin Boshnjakut, të Shefqet Bejës e të dhjetëra të tjerëve ishin mendime që binin ndesh me mendimet e konceptin për drejtimin e ekonomisë komuniste shqiptare. Po përse i promovojë dhe i la Enver Hoxha këto njerëz që të ngjiteshin lart deri në deputetë dhe t’i dilnin “ferra” nëpër këmbë?!

Duhet thënë se për ato momente, ato figura i duheshin Enver Hoxhës, vetëm e vetëm për të legjitimuar pushtetin komunist, siç duhet thënë se ato figura Enver Hoxhës i u deshën përkohësisht që opinioni i gjerë shoqëror ta mbështeste për në pushtetin që e kishte marrë me grykën e pushkës.

Megjithëse Enver Hoxha dhe “ko” pak a shumë i dinin mendimet properëndimore të njerëzve të tillë si Shefqet Beja, Riza Dani, Islam Radovicka etj sepse ai kontrollonte dhe diktonte çdo segment të procesit zgjedhor të 2 dhjetorit, përsëri ai për arsyet që theksuam ju “dha atyre viston e opozitarit” por duke zbatuar gjithnjë politikën e frikësimit, gjë që bëri që opozita ta kishte të pamundur të dilte e organizuar në zgjedhje.

Zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 u zhvilluan nën trysninë e komunistëve dhe ato u bënë objekt kontestimi nga perëndimorët. Asambleja Kushtetuese e dalë nga “zgjedhjet” e 2 dhjetorit përbëhej nga 82 deputetë, nga të cilët 48 ishin komunistë. Qëndrimet e deputetëve opozitare e dhanë shenjën që në seancën e parë të 10 janarit deri më 14 mars 1946. Ata diskutuan gjatë, shfaqën rezerva e kundërshtime nëpër Komisionet e Kuvendit si për miratimin e ligjeve në bllok, ashtu edhe për të ardhmen e politikës ekonomike deri për Rregulloren e Kuvendit, që ishte një pretencë ndaj lirisë së fjalës.

Lufta politike mes deputetëve komunistë dhe atyre pa parti në periudhën janar mars 1946, ishte e ashpër dhe e pabarabartë. Pati kundërshti të forta për projekt statusin e Republikës apo Kushtetutën e parë të pas çlirimit, ku deputetët opozitarë stigmatizuan thelbin e saj si të tërë ideologjik, ashtu edhe ato social e ekonomik. Dhe duke mos parë asnjë rrugëdalje e asnjë përfillje për mendimet opozitare, deputeti Riza Dani, siç shkruhet edhe në Proces Verbalin e seancës së Kuvendit, propozoi me ironi në seancën plenare që “Shqipëria të deklarohej Republikë Socialiste Popullore”.

Diskutimet dhe miratimi i një seri ligjeve dhe përfundimisht i Kushtetutës e njëllojtë në parime si ajo jugosllave, u dha fund edhe shpresave më të vogla të deputetëve opozitare për një Shqipëri demokratike. Si rezultat deputeti Shefqet Beja e të tjerët nuk i shfaqën më kritikat e tyre në Parlament sepse ishte e pamundur, pasi etiketimet “borgjezë” e “tradhtarë” i ndoqën kudo nga pas deputetët me mendime properëndimorë. Në anën tjetër Enver Hoxha “vigjilonte”. Isht koha kur në periudhën 1946, Enver Hoxha përzuri nga Shqipëria misionet anglo-amerikane, madje shtypi me zjarr e hekur edhe kryengritjen e Postribës në Shkodër. Si rezultat i kësaj fryme që ndihej kudo në poret e shoqërisë së ndershme shqiptare, me urdhër të Enver Hoxhës nisën edhe arrestimet në masë, veçanërisht ndaj intelektualëve të shquar. Bujë bënë arrestimet e inxhinierëve në Maliq dhe pas tyre u erdhi “radha” edhe deputetëve opozitarë, që nuk i vinin për josh mendimeve të Enverr Hoxhës.

Grupin e deputetëve i arrestuan në dy faza. Grupin e parë i arrestuan më 23 dhjetor të vitit 1946, ndërsa grupin e dytë i arrestuan më 15 maj 1947. Me deputetët arrestuan edhe figura të tjera të njohura të Luftës si Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku e të tjerë. Edhe në procesin gjyqësor, deputetët i ndanë në dy pjesë, duke i etiketuar grupi i Riza Danit dhe grupi i Shefqet Bejës. Gjykimi për Grupin e parë filloi më 4 shtator të vitit 1947, ndërsa për Grupin e dytë më 31 dhjetor 1947. Akuzat ndaj të dy grupeve ishin se:

  1. Të akuzuarit kishin krijuar një grup ilegal që në muajin shkurt të vitit 1945 dhe kishin krijuar edhe një organizatë kundërevolucionare.
  2. Për drejtimin e organizatës kishin krijuar edhe një Komitet Qendror të kryesuar nga deputeti Shefqet Beja.
  3. Grupi kishte mbështetje kriminelët e arratisur me të cilët do të bënin kryengritje për të marrë pushtetin.
  4. Grupi ishte edhe organizator i kryengritjes së Postribës.
  5. Grupi ishte i lidhur dhe merrte udhëzime nga misioni amerikan në Shqipëri.

Për të kuptuar se si funksioni procesi gjyqësor dhe paragjyqësor dmth hetimor, sepse po të shohësh dokumentat e kohës, ato të “flasin se akuzat” ishin pranuar edhe nga deputetët gjatë procesit hetimor, po ndalemi pak se si ishte procesi hetimor ndaj Grupit të deputetëve dhe çfarw metodash u përdorën ndaj tyre që disa i bënë edhe të “epeshin” apo të “pranonin” apriori ato që donin hetuesit. U përdorën ndaj deputetëve torturat më çnjerëzore si: 1- Jeleku, tortura më e tmerrshme, (njeriu lidhej pas një huri dhe merrte pamjen e një qengji që piqej në hell). 2 – Kamxhiku dhe druri. 3 -Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra. 4 – Korrenti elektrik, deri sa personit i binte të fikët. 5 – Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë. 6 – Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur, deri sa t’i priteshin gishtat. 7 – Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë, kjo u përdor sidomos ndaj deputetit Shefqet Beja, por edhe ndaj të tjerëve. 8 – Kripa në gojë, duke ta mbushur plot gojën dhe lidhur atë me fasho që të mos e nxirrje. 9 – Shpifnin gjoja sikur do të ekzekutonin ose do të varnin dhe u shtinin në ajër ose të fusnin kokën në litar. 10 – Tortura morale në lidhje me familjen, duke të deklaruar se do t’i burgosin, do t’i çnderonin, do t’i vrisnin, madje në Shkodër, për të thyer rezistencën e Dulo Kalit, çuan në një dhomë ngjitur me të, dy vajza të burgosura dhe dy burra të burgosur dhe ato ja informuan Dulos sikur ishin vajzat e tij dhe i kishin sjellë aty për t’i çnderuar. 11 -Futja kokëposhtë në fuçi plot me ujë me fekale. 12 – Një herë Myftar Tarja (hetues dhe ish zv. i Koçi Xoxes) i futi një ish personi Toptanas në Hetuesi, nevojë në gojë dhe çorape të palara. 13 – Djegia e mishit me cigare etj., tortura nga më çnjerzoret.

Nesër do lexoni:

Ndaj Grupit të deputetëve, u përdorën alkool me shkrepse në duar, gjellë me kripë e lënia pa ujë

“Grupi i deputetëve” doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore

Shefqet Beja, që kishte qenë pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, u dënua me vdekje, me varje.

-Sheh Karbunara, që kishte qenë një ndër firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, u dënua me vdekje me varje

– Si u manipulua nga hetuesia pjesa më e madhe e procesit hetimor dhe atij gjyqësor ndaj grupit të parë të deputetëve