Frank Shkreli: 25-vjetori i shugurimit të Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork Ish Drejtor i VOA-s

Nga historia e Komunitetit Katolik Shqiptaro- Amerikan

            25-vjetori i shugurimit të Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork

Sigal

Me një ceremoni fetare dhe me një darkë të madhe, javën që kaloi, u shënua 25-vjetori i Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane në Scarsdale të shtetit të Nju Jorkut – një shugurim madhështor i kësaj Kishe që me veprimtarinë e saj fetare e patriotike i ka bërë dhe i bën krenarë të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine, të cilët si gjithmonë u mblodhën tok të gjithë së bashku nga shumë vende të Amerikës për të festuar këtë çerek shekulli përvjetor.  Ia vlen, me këtë rast, të përmendet fakti, sidomos për gjeneratën e re të famullisë dhe të komunitetit, se Kisha e re Zoja e Shkodrës në Nju Jork, ka një histori të gjatë e të madhërishme, rrënjët e të cilës shkojnë më thellë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, se 25-vjetët e kaluara. Meritat dhe kontributet në shumë fusha të aktivitetit të kësaj kishe, janë të mëdha gjatë çerek shekullit të kaluar, me të cilat brezi i ri dhe brezi i vjetër duhet të jenë krenarë. Nën udhëheqjen e shkëlqyeshme të Famullitarit të dashur për të gjithë ne dhe të njohur tani për veprimtarinë e tij të palodhshme, jo vetëm në Amerikë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, Dom Pjetër Popaj me grigjën e tij të mrekullueshme, besnike ndaj fesë dhe Atdheut, ka meritat kryesore e të mëdha dhe të pazevëndësueshme për sukseset e tij dhe arritjet e këtij komuniteti shumë aktiv. Aktivitetet fetare e atdhetare janë të shumta nën lidershipin e tij dhe të komunitetit të kësaj kishe, e cila javën që kaloi festoi me krenari 25-vjet në një vend të ri të mrekullueshën, por me rrënjët e traditës, që shkojnë thellë në fillimet e historisë së komunitetit katolik shqiptaro-amerikan.

Vijon një histori e shkurtër modeste e fillimit të aktiviteteve dhe e personaliteteve të kësaj kishe, e që shumë prej tyre që kanë luajtur role kyçe në arritjet e sukseset që gëzon sot Kisha Zoja e Shkodrës, kanë shkuar në amshim tanimë, por meritojnë që të pakën disa prej tyre t’u përmenden emrat për kontributin e tyre të çmuar gjatë dekadave të kaluara. Në këtë festim të 25-vjetorit të shugurimit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës në Nju Jork.  URIMET MË TË PËRZEMËRTA DOM PJETËR POPAJ DHE KËSHILLIT TË KISHËS DHE MBARË KOMUNITETIT NË KËTË PËRVJETOR. AD MULTOS ANNOS! Me modesti, krenari dhe mirënjohje e falënderim për punën e tyre, po sjellim një fjalim të autorit, një historik i shkurtër: më 10 Qershor, 2012 me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Lidhjes Katolike-Shqiptaro-Amerikane, paraardhëse e Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane:

“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’ (Dom Zef Oroshi, Neë York, 1962)

Të dashur e të nderuar klerikë! Shkëlqesi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan… Të nderuar zonja e zotërinj, anëtarë të vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miq e dashamirë. Si njeri që ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në fillim të 1970-ave e ndjej veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri fjalë dhe i privilegjuar që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike, jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në emigrim, por edhe për Kishën e shumëvuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare, për të shënuar 50-Vjetorin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 qershor, 1962.


Është kjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë: Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik, Dom Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël, por entuziast bashkëpunëtorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të paktën një e di se është këtu, Z. Tonin Mirakaj. Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të përgjithshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, Tonin Mirakaj, Sekretar, Loro Stajka Arkëtar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. Tonin Mirakaj për ndihmën që më dha me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara; veprimtari kjo në të cilën, në një mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejt për drejtë.


Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar më 8 mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes Katolike me qëllimin përpara, me moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhmen “Për Fe e Atdhe”, të lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë. Çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vinte vetes detyrë për të qenë: a) “Katolik i mirë, praktikues i fesë; b) Shqiptar -Amerikan i ndershëm; c) Vijues i Traditave të mira Kombëtare të gërshetueme me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më urgjent, po të merrej parasysh në atë kohë politika e regjimit komunist të Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin Zot. Themelimi i LKSHA-s u bë me vetëdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi dhe At Nargaj me bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim të vërtetë, mund të bahena atdhetarë të vërtetë! Ku të zhduket emni i madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta hajë, e vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuz besimin, i del i pabesë si besimit si atdheut, pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për njënin as për tjetrin.” Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të bashkëpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të Atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të shpëtuar nga kthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës. Vështirësitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine e ideje që të përkrahnin krijimin e një qëndre fetaro-kombëtare. Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkëpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve.

 

Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se nëqoftëse komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të shkrihej – duke humbur gjuhë, kulturë e tradita atëherë ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për themelimin e qëndrës katolike. Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjet më vonë u pasua me botimin e revistës “Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane”, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim zëdhënës, por për më tepër kjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë. Kështu që në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe gazetar i ‘Shqiptari i Lirë’ dhe ‘Dielli’ ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.

 

Megjithëse gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar bëheshin nëpër kisha të ndryshme amerikane. Puna e rëndë e Kryetarit Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të komunitetit të vogël katolik, 50-vjet më parë, u kurorëzua natën e Krishtlindjes të dhjetorit 1969, kur u dha mesha e parë në Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue të lagjes Bronks. Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Siç pat thënë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike më 1962, Dom Zefi ritheksoi edhe me këtë rast se “Kjo sot është një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndrit edhe votrat e errësueme në Atdhe” -duke shtuar se: “Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.

Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të atëhershëm të Nju Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën të gjitha të drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në qëndër, si dhe të drejtën për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime, kurorëzime dhe funeralet.

Akordimi nga Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons. Zef Oroshin Administrator të Qëndrës dhe bashkëpunëtor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arkipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij sjell një bashkëpunim të zellshëm e të frutshëm duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë. Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej gjatë viteve, nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente. Nga shënimet historike mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numëri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 shtator, 1978 bëhet inaugurimi i kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqësues të të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte kjo një ndërmarrje aspak e lehtë. Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, Kryeredaktori Xhevat Kallajxhiu përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të vërtetë të madhe”. Ai uron e përgëzon “iniciatorin e vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misjonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve’’- përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur i Zërit të Amerikës Xhevat Kallajxhiu. Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në shkurt të vitit 1987, me miratimin e këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andreë Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha, që vetëm pjesëmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë. Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në fund objektivit të lartë fetar e kombëtar.

Darkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Ëashington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, qershor, 1974.

 

Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361 Ëest Hartsdale Avenue, Hartsdale, Neë York, këtu ku jemi sot. Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro & Mansell” në Ëhite Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala. E gjithë kjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë përfundon më në fund në kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale. Por është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas blerjes së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emërin e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër Popaj. Në vend që të pushonte krahët mbas një pune jashtëzakonisht të rëndë, Dom Rroku, merr thirrjen e shëjntë për t’u këthyer dhe për të ndezur në Atdhe atë “shkëndinë e vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe, që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe” nga dekadat e ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë. Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në Atdhe, duke pranuar kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në Atdhe, – për të filluar atë që gazeta Neë York Catholic e cilësoi si “A Neë Daën for Albania” (Një Agim i Ri për Shqipërinë)-për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe Kombin e tij, si edhe për hir të dinjitetit dhe në falënderim të përjetshëm të para-ardhësve të mëdhej të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.