Ahmet Mehmeti: Nuk harrohet genocidi i pandëshkuar grek në Çamëri

683
Sigal

Shteti grek sot u mohon të gjitha të drejtat shqiptarëve autoktonë çamë me gjoja bashkëpunimin e tyre me nazi-fashizmin

Prej 27 qershorit 1944 deri në 13 mars 1945 në Çamëri u masakruan 2909 vetë prej të cilëve 214 gra, 96 fëmijë

 

Ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Muaji mars në shekullin XX ka regjistruar tragjedi për kombin shqiptar, veçanërisht për Çamërinë. Gjithçka nisi me masakrën në Prroin e Selanit në Paramithi ku u vranë 72 burra më 1913 dhe më pas me masakrën e Filatit më 1945, që u bë epilogu i masakrave genocidiste që nisën më 27 qershor 1944. Të flasësh me fakte për çka ka ndodhur në territorin shqiptar jashtë kufijve aktualë, është detyrim moral dhe historik që do u shërbejë brezave për të vërtetat mbarëkombëtare.

Prej 27 qershorit 1944 deri në 13 mars 1945 në Çamëri u masakruan 2909 vetë prej të cilëve 214 gra, 96 fëmijë, ndër ta 32 nën moshën 3 vjeç. U dhunuan 745 gra e vajza si dhe u rrëmbyen 76 të tjera. Si pasojë e spastrimit etnik dhe fetar me dhunë vdiqën ose u rrëmbyen e u zhdukën rrugëve 2473 vetë (nga dhuna, uria, sëmundjet, etj), gjithsej të vdekur 5277 vetë. U shkatërruan 68 fshatra e qytete. U dogjën 5800 shtëpi dhe u rrënuan 102 objekte kulti etj.

 

Këto masakra ishin  finalja e atyre që kishin filluar në Prroin e Selanit ku u martirizuan  pabesisht 72 krerë të zgjedhur nga paria e Çamërisë në mars të vitit 1913 kur vendi ra nën robërinë greke pas vendimit fatal të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, një ngjarje kobzezë ndërkombëtare e ndërmarrë nga Fuqitë e Mëdha kundër kombit shqiptar ku më shumë se gjysma e trojeve etnike dhe e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të kësaj krijese shtetërore gjysmake, që u bë pre e humorit dhe presioneve të të mëdhenjve.

Historia e Çamërisë (1913–1944) nën pushtimin grek ishte një  mënxyrë që u karakterizua nga nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike e shtetit dhe kishës ortodokse greke në marrëveshje për të kryer genocid, bashkëfajësi për genocid dhe genocid etniko-fetar i mirëfilltë i kryer nga qeveritarë, funksionarë apo nga persona të veçantë ashtu siç përkufizohet në Konventën për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të genocidit të miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e OKB-s me rezolutën e saj të 9 dhjetorit 1948 dhe që hyri në fuqi më 12 janar 1951.

Po  rikujtojmë këtu rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s të datave 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947 në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe të rezolutës 95 të 11 dhjetorit 1946  që konfirmuan parimet e të drejtës ndërkombëtare të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi si dhe rezolutat e 12 dhe 16 dhjetorit 1966 nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit nga njera anë shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone dhe nga ana tjetër politikën e aparteidit.

Në asnjerën nga deklaratat solemne, aktet dhe konventat që synojnë ndjekjen dhe shtypjen e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit , nuk është parashikuar kufizim në kohë. Konventa mbi mosparashkrimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit (hyri në fuqi më 11 nëntor 1970) shprehet qartë në Nenin 1 : “Krimet e mëposhtme janë të paparashkrueshme cilado qoftë data kur janë kryer : a) Krimet e luftës, në mënyrë të veçantë “shkeljet e rënda” të përmendura në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949 për mbrojtjen e viktimave të luftës;  b) Krimet kundër njerëzimit, të kryera qoftë në kohë lufte apo paqeje, dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore që rrjedhin nga politika e aparteidit, si dhe krimi i genocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948-ës për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të genocidit , qoftë edhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku ato janë kryer”.

Dispozitat e kësaj Konvente kërkojnë që për cilindo nga krimet e sipërpërmendura të vihen në zbatim ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit  dhe ndaj personave të veçantë, që kanë marrë pjesë në të si autorë ose bashkëfajtorë, apo që do të njihen fajtorë për nxitje të drejtëpërdrejtë në kryerjen e cilitdo nga këto krime, ose që do të kenë marrë pjesë në një marrëveshje me qëllim që ai të kryhet , pavarësisht se në çfar ëshkalle ekzekutohet , si dhe ndaj përfaqësuesve  të autoritetit të shtetit që do të toleronin kryerjen e tij (Neni 2).

Konventa e mosparashkrimit të krimeve të luftes dhe krimeve kundër njerëzimit kërkon nga shtetet palë që në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese të marrin të gjitha masat ligjore a të tjera që do të jenë të nevojshme për të siguruar mosparashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 të kësaj konvente. Si përsa i përket ndjekjeve ashtu edhe përsa i përket dënimit. Atje ku mund të ekzistojë një parashkrim në këtë fushë , me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet, thekson Neni 4.

Për të gjitha sa u përmendën më sipër Greqia në rastin e

 

Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj konventave kundër genocidit. Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste  bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e genocidit, aq sa kërkon ta heqë edhe emrin e Çamërisë nga librat shkollorë të historisë, gjeografisë, letërsisë etj.

Shteti grek, megjithëse është prej kohësh pjesë e Bashkimit Europian, është shumë prapa në krahasim me disa shtete fqinje ballkanike si Shqipëria etj, që nuk e ka përafruar legjislacionin e vet kombëtar me atë të BE-s, nuk ka firmosur dhe as ka ratifikuar protokolle si ai Nr. 4 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore.

Më e keqja që ka bërë shteti grek është zhdukja me genocid, zjarr e hekur, e minoriteteve kombëtare, duke grabitur pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme, në fund të Luftës së Dytë Botërore siç ishin hebrenjtë, shqiptarët çamë, maqedonasit sllavë (egejcit) etj. Për këtë deri sot ai nuk ka dhënë llogari, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është ndëshkuar rëndë siç e meriton në bazë të Konventave kundër Genocidit. Kjo ka sjellë që edhe në Kushtetutën e sotme greke mungojnë minoritetet kombëtare, pasi Greqia nuk njeh minoritete të tilla në teritoret që i dha Europa Plakë (The Ethnopolitical Encyclopedia of Europe, f.422, London ,2004). Këto janë plagë të rënda që Greqia nuk duron sot as t’ia kujtojnë.

Ajo ka firmosur Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare që më 22. 09. 1997 dhe ende nuk e ka ratifikuar. Dhe Europa bën sehir. Kështu shkojnë punët dhe vlon racizmi, pastaj nëpër Europë. Llogaritë i paguajnë minoritetet e shtypura. Greqia është shembulli më i keq në botë.

Shteti grek sot u mohon të gjitha të drejtat shqiptarëve autoktonë çamë me gjoja bashkëpunimin e tyre me nazi-fashizmin dhe nuk ka asnjë argument, dokument ose arsye pasi edhe vetë shkencëtarët historianë grekë kanë argumentuar se nuk ishin çamët që bashkëpunuan me nazifashizmin , por qeveritë greke gjatë gjithë Luftes së Dyte Botërore.  Gjithashtu Kisha Ortodokse që edhe sot është dominuese sipas Kushtetutës greke “ që përbënte një bashkëbisedues të privilegjuar me autoritetet e Pushtimit” (JM).  Rreth 3 000 (tre mijë) çamë morën pjesë kundër nazifashizmit me armë në dorë në një popullsi  prej rreth 30.000 – 40 000 njerëz, aq sa përbëhej në atë kohë ushtria e kriminelit Zervas (shih Jorgos Margaritis : “Bashkëpatriotë të Padëshiruar – Të dhëna mbi shkatërrimin e minoriteteve të Greqisë, hebrenjtë, çamët” f. 1 28-129 T. 2009). Napoleon Zervasit, këtij krimineli lufte dhe bashkëpuntor me nazifashizmin, shteti grek i ka ngrtitur monumente për krimet e kryera ndaj fëmijëve, pleqve e plakave dhe njerëzve të tjerë të pambrojtur e të pafajshëm vetëm e vetëm se ishin shqiptarë dhe muslimanë.

Akuzat dhe kërcënimet e politikës dhe institucioneve të larta shtetërore greke  si dhe të ministrave, kryeministrave, presidentëve në këto 30 vitet e fundit  “Mbi Gjyqin Special të Kolaboracionistëve” duke dënuar 1930 shqiptarë në mungesë me akuza false bien poshtë nga vetë  dokumentet e drejtësisë greke që çjerrin hipokrizinë e shtetit genocidist dhe të propagandës raciste greke.

Në dokumentin e pakontestueshëm të Gjykatës së Diktimit të Janinës me Nr. Prot.1837, datë 29 shtator 1976  për Ministrinë e Rendit Publik, Drejtorinë e Shërbimeve Kriminale dhe Seksionin e Arkivave – Zyra e Ndjekjeve, Athinë u jepet përgjigje të gjitha shkresave të tyre si vijon:”Për arsye e në bazë të vendimit të Ministrisë të Drejtësisë Nr. 17 845/1976 mbi shkatërrimin e dosjeve të proceseve gjyqësore penale , a) të atij të Diktimit 3 dhe 5 anëtarësh të Janinës deri edhe në vitin 1970, b) të Gjykatës Penale të kolaboracionistëve të Janinës, Artës, Prevezës deri edhe në vitin 1950, c) si dhe të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët, gjithashtu deri edhe në vitin 1950, nuk ka qenë i mundur verifikimi përfundimtar apo i parevokueshëm i atyre për të cilat bëhet fjalë në dokumentet tuaja të mësipërme, në vendimet, në mungesë, të Gjykatës Speciale të Janinës për kolaboracionistët, prandaj, duke i konsideruar këto vendime për këto arsye  si asnjëherë të komunikuara dhe që nuk kanë qenë aspak në fuqi si të tilla (të zbatuara), pra, si jo përfundimtare, ato, për rrjedhojë, bëjnë pjesë në parashkrim të dënimit penal dhe jo në atë të vendimit, domethënë, të Nenit 549 të së Drejtës së Vjetër Penale. Prandaj, krimet e bëra më parë në bazë të cilave u dënuan dhe për të cilat bëhet fjalë në vendimet e mësipërme, janë të parashkruar mbasi kaluan shtatë vjet nga kryerja e tyre , sipas Nenit 120, në frymën e të cilit u bënë. Ky dokument i rëndësishëm është vulosur dhe firmosur nga Prokurori i Diktimit të Janinës Vasilios Xhavellas (shih G. R. 10. 05. 1995,  f.2)

Natyrshëm lind pyetja: Pse kjo pandëshkueshmëri e genocidit grek edhe pas gati tetë dekadash nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe 30 vjet pas përmbysjes së  totalitarizmit ?

Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk janë fajtorë, por po vazhdon genocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri (Thesproti).

Për këtë, në radhë të parë përgjegjësi mbajnë krerët autokratë të shtetit paskomunist, që kanë drejtuar Shqipërinë në periudhën 30 vjeçare, nga e majta dhe nga e djathta, me urdhërin e të cilëve ky problem është hequr nga programet e partive të tyre të mëdha si dhe nga programet e qeverive kukulla që janë nën presionet dhe diktatin fashisto-racist të Athinës zyrtare.

Në Shqipërinë e sotme nuk zbatohet ligji, nuk zbatohet kushtetuta. Vetëm kur në Shqipëri të vendoset shteti ligjor do të zgjidhet edhe Çështja Çame.