Prishjet e ndërtesave të hallexhinjve i hapin rrugën resorteve të oligarkëve

864
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

KKT miraton lejen për tunelin e Llogorasë, parkun e Karavastasë, dhe resorteve e  vilave në Jug

Pas prishjes së ndërtesave të hallexhinjve në vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, KKT i hapë rrugë resorteve të oligarkëve, duke i pajisur me leje për hotele, restorante, vila dhe parkime.

Gazeta “Telegraf” në numrat paraardhës kishte shprehur se: “Qeveria bën mirë që ndërhyn kundër pushtimit të plazheve dhe vijës bregdetare që është pronë e shqiptarëve, nga ku dhe paguajnë taksa. Ashtu siç paralajmëroi dhe  anën tjetër të medaljes se, në këto zona ku po prishen ndërtimet, do t’ua jepte disa individëve, “të fortëve”, të cilët për interesat klienteliste, votat e vjedhura, në formë paje më pas do t’i shfrytëzonin këto plazhe.” Tashmë, pas aksionit të prishjes, u miratuan lejet e ndërtimit që do shfrytëzohen nga një dorë oligarkësh.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi këtë javë, një listë të gjatë me vendime që japin leje ndërtimi. Në listën e publikuar të KKT, rezulton të jetë dhënë leja e ndërtimit për Tunelin e Llogorasë dhe  leja e ndërtimit për Parkun fotovoltaik të Karavastasë.

KKT miratoi edhe një listë të gjatë për projekte hotelesh, resortesh dhe vilash në bregdet. Të tilla janë leja e zhvillimit për ‘Green Coast Hotel’, apo ajo për resortin turistik ‘Green Coast 3’, që do të jetë i treti që shoqëria “Grean Coast” do të ndërtojë në zonën e Himarës. Po kështu, është miratuar edhe leja e ndërtimit për ‘Kakome Bay’, një projekt që ka vite që lakohet apo ‘Cape of Rodon’ që ndodhet në zonën e Ishmit, në Durrës. Në Himarë është dhënë leja e ndërtimit për objektin: “Kompleks turistik me Vila”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k. Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Objekt hoteleri, shërbime dhe pishinë, Gjilekë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bega-07” sh.p.k.

Është dhënë dhe leja e zhvillimit për vijimin e Unazës: “Rikualifikim i Unazës Lindore për Lotet 4, 5, 6”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues, Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Lejet e miratuara nga KKT në 13 korrik 2021

  1. Leje Zhvillimi për objektin: “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë dhe Bashkinë Himarë, me zhvillues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
  2. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i godinës shumëfunksionale për AFA”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Repartin Ushtarak Nr. 6630.
  3. Leje Zhvillimi për objektin: “Rikualifikim i Unazës Lindore për Lotet 4, 5, 6”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues, Autoritetin Rrugor Shqiptar.
  4. Leje Zhvillimi për objektin: “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës nga Sheshi ‘Shqiponja’ – Bulevardi i Ri”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues, Autoritetin Rrugor Shqiptar.
  5. Leje Ndërtimi për objektin: Qendra “Maria Mazzarello”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Shtëpia Rregulltare e Bashkisë, Instituti “Maria Ndihmëtare”.
  6. Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Parku fotovoltaik, Karavastasa”, me vendndodhje ne Bashkinë Divjakë dhe Bashkinë Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë “Karavasta Solar” sh.p.k.
  7. Leje Zhvillimi për objektin: “Cape of Rodon”, me vendndodhje në Ishëm, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Premium Finance Invest” sh.p.k.
  8. Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë banimi, hotelerie dhe shërbimesh, Bashkia Sarandë”, me subjekt zhvillues shoqëritë “TA-DIN” sh.p.k dhe “Eirflai” sh.p.k.
  9. Leje Zhvillimi për objektin: “Hotel SPA me 4 yje”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me zhvillues z. Xhemal Myrta.
  10. Leje Ndërtimi për objektin: “Kakome Bay Resort”, Bashkia Himarë”, me zhvillues shoqëritë “Riviera Kakome” sh.p.k, “AgiKons” sh.p.k dhe z. Dritan Çelaj.
  11. Leje Zhvillimi për objektin: “Resorti Turistik “Green Coast 3”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë”, me zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.
  12. Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë me funksion hoteleri”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Aqua Marin” sh.p.k.
  13. Leje zhvillimi për objektin: “Green Coast Hotel”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë, “Green Coast” sh.p.k.
  14. Leje Zhvillimi për objektin: “Panorama Hilltop Retreat”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues, shoqërinë “Mega Konstruksion” sh.p.k.
  15. Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks turistik me Vila”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues, shoqërinë “Investment Group” sh.p.k.
  16. Leje Zhvillimi për objektin: “Objekt hoteleri, shërbime dhe pishinë, Gjilekë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues, shoqërinë “Bega-07” sh.p.k.
  17. Leje Zhvillimi për objektin: “4 Objekte banimi”, me subjekt zhvillues, shoqërinë “Aliraj & K” sh.p.k dhe znj. Rezarta Dumani.
  18. Leje Zhvillimi për objektin: “2 Banesa individuale dhe pishinë”, me vendodhje në Bashkinë Himarë, me zhvillues z. Genci Goga.
  19. Leje Zhvillimi për objektin: “Objekt shërbimi”, me vendndodhje në Potam, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Beton EG Fier” sh.p.k.
  20. Leje Ndërtimi për objektin: “Rikonstruksion dhe shtesë e objektit ekzistues Bar– Restorant-Hotel “Paradise Beach”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë”, me subjekt zhvillues, shoqërinë “Selmani” sh.p.k.
  21. Për një ndryshim në Lejen e Zhvillimit për objektin: “Terminali i Autobusave Korçë”, me vendndodhje në Bashkinë Korçë, me zhvillues “Korsel” sh.p.k.
  22. Leje Ndërtimi për objektin: “Bar Restorant “Zazu”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “HUS 3” sh.p.k.