Miltiadh Muçi: Kryeministri, “kryepolici” i vendit tim!

429
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Tek ne në krye të policisë nuk është ministri dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë, por koka e policisë, ose kryepolici, është kryeministri

Kam kohë me dëshirën të shkruaj për një ”kryepolic”. Gjithkush do të mendonte, se ai ndodhet në krye të një grupimi apo në të gjithë trupën e policisë. Kërkova në fjalorin shqip për kuptimin e fjalës “kryepolic”, që vitet e fundit përdoret shpesh dhe nuk e gjeta, sikur dhe ai “kryebashkiak”. Por gjeta fjalët “kryepeshkop’, “kryeplak”, “kryeprokuror” etj., me shpjegimet që nuk afrohen me “kryepolicin”. Nuk më vjen mirë, por do të shkruaj për një kryepolic jo të Policisë së Shtetit, por në krye të Kryeministrisë, për kryeministrin e vendit tim. Pse mund të pyesin lexuesit? Përgjigjen besoj do ta kuptojnë në përfundim të leximit.

“Kryepolici qëndron në krye të policëve. Ndërsa tek ne ndodh ndryshe, ku në krye të policies, nuk është ministri, dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë, por koka e policisë ose kryepolici, është kryeministri

Në Evropën ku kërkojmë të bëhemi pjesë e saj, strukturat e policisë kanë në krye një person, që i thuhet shpesh kryepolic. Ai varet nga përfaqësuesi i forcës politike që ka formatuar qeverinë. Kryepolici qëndron në krye të policëve. Ndërsa tek ne ndodh ndryshe, ku në krye të policies, nuk është ministri, dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë, por koka e policisë ose kryepolici, është kryeministri. Dhe ndodh kështu në gjithë institucionet, ku kryeministrit mund t’i themi është koka e ministrive, që nuk ju krijon mundësi ministrave të komunikojnë me publikun, kur shembulli më i fundit ndodhi në Angli, kryeministri me shishen e birrës në dorë, bën tifozllëk si të gjithë anglezët. Në fillimin e pandemisë të covidit-19, e pamë edhe në një grup emigrantësh arabë, ku pasi doli nga lokali i tyre, u largua me biçikletën e tij. Pas pak ditësh u tha se si ishte i infektuar.

E kemi vënë re vazhdimisht, kur në krah të tij, i shkëputur nga të tjerët që e ndjekin nga pas, interviston ministrin e shëndetësisë Manastirliu në aeroportin ku vijnë vaksinat dhe objektet shëndetësore të përfunduar apo në ndërtim; ministrin e rindërtimit Ahmetaj në banesat dhe shkollat  e rindërtuara nga tërmeti, ministrin Balluku të infrastrukturës dhe të energjisë në rrugët apo urat e reja, ministrin e brendshëm Çuçi në aksionet e pastrimit të vijës bregdetare nga ndër- timet pa leje, dhe ministra të tjerë. Në intervistë, shpesh i ndodhet pranë edhe Erjoni i Bashkisë së Tiranës.

Është folur dhe flitet në popull për kryeministrin tonë se, është i sertë, për mos të thënë i egër, si disa nga kafshët, që kërkon t’i shkojë e tija, dhe mendon se di shumë më tepër prej atyre pranë apo përreth, nga intelektualët, gazetarët, deputetët dhe të tjerë nga populli ku janë të shumtët, dhe pse ndodhen vërtetë më të urtët e të mençurit, zemërmirët e bujarët, të ndershmit e mbajtësit e fjalës që përçmohen, nënvlerësohen, shahen, fyen, injorohen dhe harrohen. Vetëm çfarë thotë ai, duhet të bëhet në vendin tim. Në fushatën e zgjedhjeve nuk e pyet elektoratin e majtë, për çka premton, shpejt i harron, si gjithmonë. Por çuditërisht fiton, vërtetë fiton jo me meritë, sepse vetëm për hile mendon, se vetëm ai mund ti drejtojë shqiptarët. Ky është besimi që njerëzit kanë krijuar, ky është fati i madh i mirë i tij, por më shumë fati i keq për shqiptarët, prandaj t’ja themi: “Ti je i vetmi për këtë Shqipëri!”

“Të parën gjë që bëri tetë vjet më parë, kur erdhi në pushtet, arrestoi dhe dënoi ata që nuk mundnin të paguanin dritat, sepse nuk e kishin ndihmën ekonomike nga shteti, ndërsa konsumatorët e mëdhenj vazhdojnë të  konsumojnë, edhe pse nuk e paguajnë.”

Nuk është qameti nëse e ke kryeministrin “kryepolic”, punë e madhe, por tek ky i yni, është e keqja më e madhe sepse, jo vetëm ne shqiptarët jemi të prirur ta imitojmë dikë tjetër dhe të sillemi si ai, edhe më keq, kur i “nënshtrohemi” tjetrit për pozitën shtetërore që ka. Prandaj nëse do të detyrohesh të shkosh për hallet që ke, dhe të kërkosh t’i zgjidhësh në zyrat me njerëzit e pushtetit, nuk mundesh. Edhe pse këmbëngul, pas pak, para teje, të ndodhet trupa e policisë, që e ka njoftuar ai, të cilit i kërkon të të kryej punën, sepse prandaj paguhet nga taksat e tua dhe gjithë të tjerëve. Por kush mendon për të taksuarin, sepse njihet vetëm taksidari, që bën vetëm sikurse ka thënë “kryepolici”. Prandaj edhe nëpunësit sillen si policë.

Dhe kështu e nisi karrierën, në fillim si polic, deri sa u bë kryepolic. Të parën gjë që bëri tetë vjet më parë, kur erdhi në pushtet, arrestoi dhe dënoi ata që nuk mundnin të paguanin dritat, sepse nuk e kishin ndihmën ekonomike nga shteti, ndërsa konsumatorët e mëdhenj vazhdojnë të  konsumojnë, edhe pse nuk e paguajnë. Po vetë pushteti, administrata e institucionet që freskohen në verë dhe ngrohen në dimër me kondicionerët, ndërsa OSSH-ja është në falimentim. Po kështu ndodh me ujin e papijshëm, me burimet Lajthiza, Tepelena, Nepravishta dhe të tjerë.

“Dhe ndodh kështu në gjithë institucionet, ku kryeministrit mund t’i themi është koka e ministrive, që nuk ju krijon mundësi ministrave të komunikojnë me publikun, kur shembulli më i fundit ndodhi në Angli, kryeministri me shishen e birrës në dorë, bën tifozllëk si të gjithë anglezët.”

Kryepolici vazhdon të urdhërojë e komandojë sa herë do, dhe si do. Janë të freskëta çka urdhëroi të prishen ndërtimet pa leje në vijën e bregut të detit, sapo filloi sezoni i turizmit, edhe po ai i ndërpreu, të kalojë sezoni, për të nisur prapë nga “puna” në shtator, pale se çfarë mund të ndodhë deri atëhere. U mblodhën shezllonët  e çadrat që kishin mbirë pa leje në rërë dhe plazhet private u kthyen në publike, kur pushuesit kishin ardhur të papërgatitur. Por kush të pyet?

Ai të tijën bëri, si kryepolic ju bëri thirje zaptuesve të bregut të detit: “Merrni masa tani, nesër është vonë” dhe ju kujton Kodin Penal se, “Nga inxhinieri deri tek punëtori më i fundit, me kodin e ri penal, janë pjesë të zinxhirit së fajësisë” Ndërsa armatës së policëve që nuk e kishin kryer detyrën për mbrojtjen e territorit, në ditët e emërimit të drejtuesve të rinj në qarqe, ju kujtoi: “Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë, për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal, nga i pari, tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar, duke e parë policinë e shtetit në një nivel tjetër”. Dhe vetëm duke lëvizur drejtuesit?

Ky është “kryepolici” i vendit tim që përsëri do të dështojë!