Engjëll MUSAI/ Bac u kry!

552
Sigal

Çdo ngjarje që për nga vlerat, lë gjurmë në kujtesën e një kombi  qenka e shkruar se do të ndodhi vetëm në muajin nëntor. Në nëntor u shpall Pavarësia e Shqipërisë, në nëntor u çlirua Shqipëria nga “bisha” nazifashiste, në nëntor nisën protestat e heshtura demokratike në vitet ‘90, madje për ironi të fatit në 8 nëntor 1941  u themelua edhe PKSH-ja, e cila do të drejtonte për 50 vjet një regjim diktatorial nga më të egrit në Europën- Lindore, ashtu sikurse është sot edhe regjimi i Assad-it, armët kimike të të cilit çoroditën dhe mbajtën në ankth Shqipërinë dhe botën mbarë. Por ky nëntor është dhe do të mbetet më i veçanti në llojin e vet. Do të mbetet i tillë pasi tregoi se shqiptarët vendosën që të marrin vetë në dorë fatet e historisë, pavarësisht mënyrës, rrugëve apo shesheve që zgjodhën për t’ja dalë mbanë. Dje, qindra mijëra të rinj dhe të reja në Tiranë dhe në shumicën e rretheve të vendit  protestuan dhe treguan se kjo është rruga e vetme për t’u bërë një qytetar i denjë, ashtu sikundër edhe bashkëqytetarët e tyre në Europë. Vërtetë pati protesta, por ato ishin tejet paqësore, pa dhunë dhe pa eksese duke treguar se, katalizatori që i nxjerrë jashtë kontrollit këto protesta janë vetëm politikanët , të Majtë apo të Djathtë. Madje, këto lloj protestash të zhvilluara në të gjithë vendin, treguan se kur ato zhvillohen nga njerëz të qytetëruar dhe të shkolluar sikurse ishin intelektualët dhe studentët dhe kur kanë një objekt të mirë të përcaktuar e bëjnë të panevojshme kordonin policor dhe realizojnë qëllimin final.  Këto protesta  shkaktuan një shqetësim tek miku ynë tradicional, SHBA-të, madje duhet thënë edhe një zhgënjim, pavarësisht se brenda tyre kishte edhe interesa të ngushta dhe individuale. Por,  në fund të fundit Shqipëria dhe shqiptarët kudo në botë, Europa dhe vetë SHBA-të  duhet të jenë krenarë se pas 23 vitesh  tranzicion  post -komunist, demokracia po jep frytet e veta. Ndërgjegjja qytetare u zgjua pa dallim bindjesh, feje dhe krahine dhe demokracia jonë e brishtë shënoi fitoren e parë. Por protesta  paqësore i prishi dëshirat e njërës palë për t’i shfrytëzuar për qëllimet të tyre, ndërkohë që, palës tjetër i hoqi medaljet për të cilat ne shqiptarët nga jugu apo veriu jemi gënjyer për 50 vjet me radhë. Kur kujtojmë Amerikën dhe demokracinë e saj mëndja na shkon tek Presidenti i parë i SHBA-ve “Babai i Kombit” siç quhet George Uashingtoni, i cili ka thënë: “Kur mendimet tona, sjellin veprime, të cilat  janë të mbushura me urrejtje kundër dikujt tjetër, qoftë ai zezak, ose i bardhë, ne jemi në një ferr për të jetuar. Kjo është aq e vërtetë sa ne do të jemi përgjithmonë në ferr”.

–  Misioni i medias së lirë ishte një tjetër vlerë e shtuar për demokracinë tonë. Media iu bashkua qytetarisë dhe të dyja së bashku triumfuan duke paralajmëruar se ato nuk mund të vazhdojnë të blihen apo të shiten nga askush, qoftë edhe kur miratohen kodet e heshtjes. Media dhe qytetarët ndërgjegjësuan dhe mbështetën njëri- tjetrin duke treguar me gisht shkaktarët dhe rrugën e zgjidhjes për të parandaluar pasojat e mundshme. Në vitin 1981, Presidenti që ideoi rrëzimin e komunizmit  Ronald Regan, e ka përdorur fjalimin përurues të tij për të theksuar filozofinë e tij themelore, duke u mbështetur më pak në qeverinë dhe më shumë në ndërmarrjet private dhe fuqinë e individëve. “Në këtë  krizë të pranishme, qeveria nuk është zgjidhje për problemin tonë. Qeveria është problemi” ,-tha Regani. Por roli i shtypit dhe medias u trajtua me një mllef dhe cinizëm nga njëra anë, ndërsa pala tjetër, që u përzu nga sheshet mori një mësim të mirë që nuk duhet të politizojë  kauza që për të cilën u ngritën mijëra të rinj e të reja nga i gjithë vendi. Pavarësisht qejfmbetjeve ndaj shtypit dhe medias, politikanët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se kjo është demokracia dhe shtypi, ka rolin e vet në çdo demokraci, të mundon pak, por kështu është, pasi ky është misioni i saj. Ishin ekranet e televizorëve dhe pena e gazetarëve, ajo që zgjoi nga gjumi ata mijëra njerëz që u derdhen në sheshe pa armë, pa mjete të forta, pa makina që sulmonin Kryeministrinë, por edhe pa policë dhe drejtues gjakatarë përballë tyre, për të vrarë protestues dhe për të mbjellë frikë. Frenklin Ruzevelt gjatë betimit si President i SHBA-ve mbajti fjalimin historik në 1933-shin, duke folur për Depresionin e Madh, tha: -“Para së gjithash, më lejoni të mbroj besimin tim të fortë se e vetmja gjë që  ne duhet të frikësohemi është vetë frika”. E pra, edhe  Facebook-u që shkruajnë politikanët është pjesë e shtypit dhe së bashku me televizionet dhe gazetat në Shqipëri  mposhtën frikën.

– Presidenti John Kenedi njihet si Presidenti legjendar për aftësitë e tij oratorike, saqë edhe Obama është frymëzuar nga fjalimet e John Kenndit në vitin1961. Sidomos nga thënia e famshme e Kenedit se: “Dhe kështu amerikanët, njerëzit e mi, thonë mos pyesni se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju. Pyet atë që ju mund të bëni për vendin tuaj”.

Shqiptarët kanë treguar dhe do të tregojnë edhe në të ardhmen mirënjohjen më të madhe për kombin amerikan, sakrificat e tyre dhe qindra mijëra jetë ushtarësh të rënë për  lirinë dhe paqen e globit. Shqipëria u tregua e gatshme dhe mbështeti me territore përgatitjet për  sulmet ndaj Sirisë para disa muajsh dhe do të jetë përherë në krahë të kombit amerikan, ashtu sikurse ka qëndruar në Irak, Afganistan dhe kudo që do të kërkohet mbështetja jonë simbolike. Nëse një regjim diktatorial dhe kriminal sikurse është ai i Sirisë së Assad-it  është duke dhënë shpirt, ajo që u ringjall këto ditë në Shqipëri ishte demokracia e qytetarëve në vendin më të indoktrinuar të Lindjes. Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama është mëse i bindur dhe i sigurt se, Shqipëria dhe kombi shqiptar kudo në botë janë dhe do të jenë në llogoren e parë përkrahë Amerikës për të vendosur paqen, sigurinë dhe drejtësinë. Shqiptarët protestuan dhe triumfuan kundër arbitraritetit dhe shpërfilljes që u bë ndaj tyre me qëllim që demokracia në Siri të vendoset dhe ajo në Shqipëri të konsolidohet. Kur këto norma dhe rregulla i respektojnë si politikanët edhe qytetarët, atëherë ne kemi të drejtë të themi me plotë gojë se demokracia e kreu misionin e saj…