Lavdosh Ferruni: Remont e tendera pa punuar, vjedhje pa ndaluar!

31
Sigal

/Telegraf.al/ “Pavarësisht se harxhon miliona lekë në vit, impianti i trajtimit të mbetjeve në Elbasan kalon nga remonti në remont në mungesë transparence. Shqetësimi për mungesën e transparencës për remontet do ishte lehtësisht i kapërcyeshëm nëse puna në inceneratorin e Elbasanit do vijonte normalisht të digjte mbetjet e të prodhonte energji me ndotje brenda standarteve.  Shqetësimi i madh është se inceneratori i Elbasanit nuk ka punuar, nuk punon dhe nuk mund të punojë dhe remonti është një instrument që vjedhja me të të vazhdojë. Transparenca nuk duhet për remontet, por duhet Qeveria e Bashkia t’i thonë publikut seInceneratori i Elbasanit nuk mund të punojë dhe duhet të shkojë për skrap dhe çdo tender është thjesht një vjedhje e shtuar.  Pse është vjedhje? Shumë e thjeshtë.Zhdoganimi i inceneratorit të Elbasanit rezulton 7 milion EURO, ndërkohë një incenerator (tipi ËtE – që prodhon energji nga mbetjet) me kapacitetin e atij të Elbasanit kushton (kushtonte) në tregun ndërkombëtar afro 50 milion EURO. Pra, kjo që është në Elbasan është një grumbullim elementësh të montuar, që ngjan shumë si incenerator, por nuk është i tillë. Dhe kjo ngjashmëri e madhe duhej që më pas të justifikohej vjedhja me inceneratorët e Fierit e të Tiranës. Fatkeqësisht hajdutëve edhe pse vjedhje e trashë po i funksonon. Për hir të shmangies së një emergjence të vërtetë prej mbetjeve në vend pikërisht duhet të ndalen tenderat për remont dhe të rishikohet menaxhimi i mbetjeve, minimalisht sipas ligjit egzistues të vitit 2011. SPAK nuk duhet të mbetet tek procedurat dhe abuzimet fiskale, por duhet të gjejë autorët që çojnë në vendimmarrje me dëm të madh ekonomik-mjedisor me ose pa dashje. Sëmundja e remontit dhe tenderave për remont nuk është vetëm tek inceneratorët. Tash të gjithë kemi dëgjuar për remontin e TEC-it lundrues në Vlorë që u kontraktua 2 vjet më parë për emergjencë të energjisë. Në fillim të javës shpallet tenderi për furnizim me naftë të rëndë, në sasinë që duhet për të ndezur TEC-in lundrues, që ka 1 vit e gjysëm në remont pa punuar asnjë ditë, që si inceneratori i Elbasanit, sa të nxjerrë një ditë tym të zi dhe do hyjë prap në “remont”. Vitin e kaluar u bë një tender për thellimin e detit dhe fluturuan ca miliona, duke djegur edhe një pjesë të pyllit të Sodës. Por këto miliona janë vetëm aperitiv i 70 milion $, që kalojnë tek një pronar i panjohur, sapo të filloj “remonti”, pas inagurimit, si inagurimi i TEC-it të Elbasanit në vitin 2017, por këtë rradhë “inagurimi” do bëhet nga ministria e financave, e pregatitur nga KESH dhe Ministria e Infrastrukturës e Energjisë. Në remont permanent, pa punuar asnjë ditë, prej 15 vitesh është dhe TEC-i i Vlorës, që gjithashtu duhet transparencë e të pranohet që është për skrap e të ndalohet vjedhja e përditshme. Sigurisht dikush duhet të përgjigjet edhe për milionat e vjedhura me TEC-in e Vlorës. Nëse nuk ka një transparencë për këto “remonte”, të tjera “remonte” e vjedhje të stërmëdha do kemi. Natyrisht nuk është vetëm SPAK, që do duhet të merret me vjedhjet nëpërmjet “remonteve”, por së pari vetë i gjithë spektri politik duhet të bëjë remont të vërtetë të vetvehtes, që të jetë në gjëndje të shmangin remonentet, që gjenerojnë vjedhje të mëdha.