Partizan MYFTARI/ Ballkoni i Lazaratit, kulla e politikës dhe bordello e shtetit…

540
Sigal

Arkitekturat gjithmonë të habisin me formën e krijuar. Duart njerëzore nuk rreshtin së krijuar forma të reja impresionuese. Edhe arkitektura e një mendimi, e një ideje filozofike, e një sjelljeje humane ka efektin e saj shtrirës, tundues dhe ne, përveç shijimit, kërkojmë nga ajo pikënisje t’i shtojmë vlerat gjer në limitet e së pamundurës. Sot zgjodha elementin e fjalës ballkon, e cila në fjalorë të ndryshëm, të tilla mund të ketë edhe përkufizimet. Ballkoni del gjithmonë si një shtesë e ndërtuar dhe mbështetur në themelet ose kolonat e shtëpisë. Një konstrukt gjithsesi e lidhur me jetën dhe shtëpinë si një nga elementët më të lashtë e më tradicional që ndjek jetesën tonë. Shpeshherë ndjesia e ballkonit hyn brenda nesh si një kënd tërheqjeje, shplodhjeje e shpeshherë edhe i vetmuar si një cep, ku mund të bisedosh me shok, me ndonjë mik apo me vetveten…të pish kafenë i vetëm, të flasësh për dashurinë.

T’i rrëfehesh qiellit që bie mbi ballkonin tënd.

Ballkonit mbledhim lule si t’i japin një miqësi intime vetmisë dhe përfytyrimeve nga ato më delikate gjer më të çmendurat… Hapësira e qiellit që shikon ballkoni është më e madhe. Sa më e madhe të jetë kjo hapësirë aq më shumë marrin udhë edhe përfytyrimet, arsyetimet: gjërat e pranishme dhe ato që të mungojnë.

Këtë ditë është folur shumë edhe për Lazaratin, lazaratasit dhe ballkonet e tyre, ku së bashku me lulet, shkruanin, se po kultivojnë edhe kanabis- sativa.

Ata nuk po hyjnë në legjendë me jetën e tyre të thjeshtë, me tokat, me ballkonin, me mundimet e ditës, me lodhjet që bëjnë gjithë fshatarët nëpër botë me ugaret e tyre si i vetmi mjet bazë, ku mund të bëjnë llogaritë e jetës dhe mbijetesës.

Ata po hyjnë në legjendë, nga ballkonet e shtëpive të tyre, nga ato ballkonet e vegjël, ku rrisin fëmijët që kanë sjellë në jetë, ku thithin e bëjnë tym edhe mundimet e tyre, me një konflikt social – juridik që e ka prodhuar shoqëria jonë (me përfaqësuesit e saj) si e palogjikshme për prodhimin dhe shitjen e kësaj bime narkotike me rrezikshmëri të lartë.

Sot për sot, ky akt i shkruar juridik e bërë normë nga shoqëria (të zgjedhurit), është një normë e seleksionuar edhe nga vendet e tjera, ku ndalohet ligjërisht, por që fshehurazi pihet edhe gjer në zyrat më të fuqishme të ligjit… Nesër ndoshta kjo normë mund të bjerë dhe dalin të tjera norma e sjellje të urdhëruara ligjore si paketë mirësjelljesh që për ca realizohet me forcën e dhunës dhe për të tjerët mbetet e fshehur në kanale të errëta.

Jo të gjitha ligjet janë të ndershme, të përkryera e të moralshme. Ka edhe ligje të turpshme e që zbatohen vetëm sepse janë të tilla:ligje. Po ashtu asnjëherë ligji nuk vepron njëlloj për të gjithë.

Në Shqipëri vazhdon të mungojë thellësisht edukata dhe respekti për ligjin sepse asnjëherë nuk është ushqyer, mbjellë e rritur kjo kulturë. Kjo nuk është rastësi, por lashtësi.

Ashtu si ndjehemi “krenarë” me boshllëkun tonë si ballkanas, për disa elementë etnografik e gjeografik, i thurim himne vetes dhe brenda moralit tonë të shprishur ngremë vargmale krenarie, pa krenari sociale. Dikur kam lexuar se, edhe emri Ballkan vjen nga turqishtja e do të thotë një varg malesh, një seri malesh… terren i ashpër… E ne vazhdojmë të mbetemi të tillë të dyzuar me moralin e gjithçka, jo të hipur në ballkonin e një shtëpie, por si të hipur në një majë mali, ku nuk japim e marrim asgjë të mirë prej njëri – tjetrit. Në vend të mendimeve zgjatim armët e urrejtjes, armët e përfitimeve, veshim gunat e krimeve lart malit tonë dhe vetëm një ditë, një kohë më vonë, kujtohemi për ballkonet e shtëpisë, ballkonin njerëzor që kemi braktisur apo tjetërsuar për shkak të sjelljeve tona jashtë ballkonit të një shtëpie. Duke përfytyruar ballkonin e një lazaratasi të ndershëm, që zgjodhi gabimisht rrugën e jetesës, jo nga dëshira për t’u bërë kapitalist, por për t’i bërë sfidë varfërisë.

I kemi sharë, i kemi urryer, nuk duam t’i shikojmë me sy. Po na “degjenerojnë” kombin- thonë e shkruajnë të tjerë dhe nuk duan ta shikojnë ballkonin e tyre të ngrohtë e miqësor?!

Ata, lazaratasit, e shumë fshatarë të tjerë, kudo nëpër Shqipëri i kanë prishur nderin ballkonit të varfër, por ata janë pasoja. Shkaku i kësaj mosmarrëveshje sociale-juridike në të vërtetë është kulla e errët e ngritur nga klasa politike. Ata nuk duan ballkone si lazaratasit apo qytetarë të tjerë të ndershëm që kanë sot konflikte të tilla. Kullat e politikës nuk e kanë qiellin e ballkonit dhe si rrjedhim, nuk kanë ajrin e pastër, ku ulen njerëzit e punës. Kulla e politikës ndryshon shumë me ballkonet njerëzore, si ato të lazaratazit, që na këshillojnë t’i urrejmë më shumë. Kulla e politikës nuk e ka strukturën e ballkonit sepse është konceptuar si element për të vjedhur, për të bërë korrupsion që ballkonet njerëzore të mbeten gjithmonë më të vegjël. Frëngjive të kullës së tyre pushtetet, gjithmonë, kanë punuar për ta betonizuar nga brenda që të ndjehen të sigurt, kur të dalin nesër prej errësirës së saj, që ka kriminalizuar breza e breza dhe një shoqëri të tërë. Kjo është kulla e zezë e hipotekuar prej karrierizmit të tyre me skandale të panumërta sepse me moralin e saj dy fytyrash, në të njëjtën kullë nuk e ngritën dot Përmendoren e Madhe – Shtet, që të ndihej i sigurt në ballkonin e çdo shtëpie shqiptare, në ballkonin e arsyes, ku lazaratasit të mos lexojnë si me turp se kur do të hyjë Shteti në Lazarat. Shteti i tjetërsuar është brenda Lazaratit, edhe në mëngjes, edhe në mbrëmje, ku lazaratasit pinë kafenë pas lodhjes. Kjo kullë e errët politike me sejmenët e saj të medias, me elementë e ushtri hajdutësh e ktheu sot Shtetin, fatkeqësisht, në një bordello pa ballkon e pa frëngji…

Po nuk u rrëzua kjo kullë e egër politike e korruptuar në veprime, në ekonomi në një transmetuese më e keqe me shumë përfaqësues të zgjedhur me pushtet, e pa pushtet, Shteti do të mbetet një bordello dhe punonjësit e thjeshtë e të ndershëm brenda aparatit të tij, disa formularë- mbajtës e rrogë- marrësish që ballkonin e tyre të vogël njerëzor nuk e kanë harruar ende…

Gjithsesi, ballkoni i Lazaratit është pjesë e vogël e ballkonit të madh shqiptar dhe unë do të pëlqeja të flija në një ballkon të vogël me pak qiell se sa në një kullë të lartë, por të errët.