Vrasje e dyfishtë, familjarët ekzekutojnë vajzën e tyre shtatzënë

390
Sigal

Dibër/Policia ndalon varrosjen e viktimës. Ekspertiza zbulon se 21-vjeçarja ishte 5-muajshe shtatzënë

Krimi në familje trondit qytetin verilindor të Peshkopisë dhe rrethinat. Fatmira Dushku, 21 vjeç dyshohet se është ekzekutuar nga familjarët e saj.  Ky është versioni i ri i policisë, pas ekspertizës që është bërë. Në këtë mënyrë është hedhur poshtë pretendimi i familjarëve të saj se ishte vdekje aksidentale. Ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë se 21-vjeçarja ka qenë 5-muajshe shtatzënë dhe është qëlluar me 8 plumba. Policia ka shoqëruar babanë dhe dy vëllezërit e vajzës, ndërkohë që, dyshimet kryesore bien mbi vëllanë e madh 25-vjeç dhe babanë për të cilët është prerë edhe urdhër -arrest.

Familjarët më parë gjatë hetimeve kanë pohuar se ajo ka rënë nga kati i dytë i banesës, ku jetonin, por policia nuk ka qenë e të njëjtit mendim. Nisur dhe nga informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ajo ka ngritur si pistë kryesore të hetimit, vrasjen dhe më pas varrosjen e saj për të humbur gjurmët e këtij krimi të rëndë.  Por ekspertiza ka zbuluar se kjo ka qenë një vrasje e dyfishtë pasi Fatmira ka qenë shtatzënë, 5-muajshe.

 NGJARJA

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e djeshme fshatin Sllovë në Dibër, ku një 21-vjeçare, Fatmira Dushku, është vrarë me armë zjarri nga familjarët e saj. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se, 21-vjeçarja Fatmira Dushku dyshohet se është qëlluar për vdekje nga familjarët e saj. Sipas policisë, familjarët e vajzës fillimisht kishin deklaruar se 21-vjeçarja kishte rënë aksidentalisht nga kati i dytë i banesës dhe se kishte pësuar infarkt në zemër. Ata tentuan të kryenin varrimin e vajzës pa u kryer fillimisht autopsia. Por, policia parandaloi varrimin dhe pas autopsisë së trupit të viktimës u konstatua se kishte plagë plumbash në kraharor. Po nga hetimet e mëvonshme, ekspertë të policisë zbuluan dhe dyshojnë se ajo është ekzekutuar nga vëllai i madh dhe i babai i saj, duke kryer kështu një krim makabër brenda familjes.

 HETIMET

Nisur nga ekzaminimi i trupit të viktimës, konstatimi i disa plagëve të shkaktuara nga karmë zjarri e kalibrit 7.62 mm. Për këtë qëllim, policia shoqëroi familjarët e saj si dhe disa persona të tjerë, në funksion të zbardhjes së plotë të krimit, dhe dyshohet se babai dhe vëllai i madh mund te jenë ekzekutorët. Dyshohet se, ata kanë kryer këtë akt makabër pasi  21-vjeçarja ishte shtatzënë. Dyshohet se Fatmira kishte një lidhje me dikë, gjë, e cila nuk është pranuar nga prindërit e familjarët. Pas ekspertizës mjekoligjore, u pa se vajza ishte shtatzënë, 5- muajshe.