Haxhi Isufi: Kapelja e policit

106
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Prapë sonte nëpër emisione po flitet për kapelen e policit 380 Euro. Problemi është se policët do të merrnin nga dy kapele (siç thonë), por kanë marrë vetëm nga një copë për kokë. Atëherë, ku kanë shkuar 12 mijë copë kapele?! Kush paska qenë ai qejfli kapelesh në Ministrinë e Brendëshme! Përse Ministria e Brendëshme nuk i ka shpallur në kërkim 12 mijë kapele, siç bën për çdo gjë?! Mos ndosha me paratë e këtyre 12 mijë kapeleve në kërkim, po ndërtohen pallate në Tiranë?! Mirë kapelet, po rrypat ose kaishi i pantallonave të policit siç thonë, (me të thonme e kam), ka kushtuar 22 mijë lekë copa. 22 mije lekë një kaish?! Kaishi më i mirë dhe me i shtrenjtë në Tiranë, nuk i kalon 5 mijë lekë copa, dhe jo kaish dosido, por kaish si ato të kaubojsve.

Me sa duket lekët e kaishave në Ministrinë e Brendëshme i ka marrë ndonjë “Rryp” meqë e ka gjetur sheshin gati. Këta dy rreshta i shkrova se m’u kujtua deklarata e ish- ministrit Sandër Lleshaj kur, tha se, unë si ministër nuk kam tagër të merrem me tenderat. Si ka mundësi, kur këta, për dy gram hashash i nxjerrin kalamajtë një javë nëpër lajme dhe komunikata policie! Atëherë ky ministër nuk paska qenë i zoti të kapë hajdutët brenda në shtëpinë e vet….ose dhe atij (siç thotë populli), po i djeg miza nën kësulë. Askush në këtë lojë kapelesh të mos mendojë se e ka “kësulën mbi sy”, se ndoshta SPAK-u,  pas kapeleve do merret dhe me këpucët e policëve, 75 mijë lekë pala, si me qenë këpucë dhëndrri dhe në fakt janë si galloshe llastiku, apo këmishat si plasmas, ku për gjynah i veshin policët dhe plasin nga djersët në verë e dridhen nga të ftohtit në dimër…..