Prof. Dr. Elmaz Leci analizon dilemën: “Ministria e Brendëshme është e mallkuar apo ministrat e Brendshëm i ze mallkimi i njerëzve” ?!

482
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Me lajmet e ditëve të fundit, veçanërisht me nga ato të SPAK-ut, Ministria e Brendëshme duket se e tëra ka kohë që është kthyer në shpërdoruese e fondeve të mëdha buxhetore, e lekëve të njerëzve të këtij vendi fukara. Në një qeverisje si kjo e sotmja, dalin se tre nga ish ministrat e saj, janë të korruptuar e të djallosur. Njëri, Saimir Tahiri, nën akuzë si mbjellës e tregtar kanabisi. Tjetri, Fatmir Xhafaj, disi i akuzuar për favorizime familjare. Për  të dy, gati po e njëjta gjë, ose  të paktën kështu është mbarsur opinioni. Të shohim çfarë do të kullandrisi SPAK-u?!  I treti, po i së njëjtës qeverisje, Sandër Lleshaj, me të ne e mësuam më keq se ato që e pësuan me të birin e hoxhës së fshatit.

E dini si mësuan në fshatin Lebanisht me djalin e hoxhës? Ju lexues të nderuar e dini por unë po ua them edhe një herë fabulën në vijim  ashtu si për “lezet” muhabeti: Hoxha i fshatit i kishte mërzitur shumë  keq bashkëfshatarët e tij sa s’ka më, sepse ua varroste të vdekurit pa qefin. I zhvishte tek varri të vdekurit, aty ua hiqte qefinin, që është një copë pëlhurë e bardhë dhe hoxha e  merrte për vete, për t’a bërë këmisha a benevrekë, nganjëherë edhe e ngjyroste atë në të zezë dhe  nga “halli” e bënte edhe shallvare. Nejse! Një ditë hoxha plak vdiq dhe fshati mori frymë thellë,  e thanë se shpëtuan nga një “majmun” si ky hoxha i pashpirt që zhvishte të vdekurin. Në vend të tij, hoxhë i fshatit u bë djali i hoxhës së vdekur, i cili në pamje të parë dukej “djalë i mirë”. Dhe për një farë kohe, fshatarët qenë të gëzuar për hoxhën e ri. Mirëpo gëzimi i tyre nuk zgjati shumë. Një i moshuar në fshat vdes. Në “xhemat” hoxha i ri, jo vetem e zhveshi të vdekurin e i pervetësoi qefinin, por e ktheu atë edhe përmbys, dhe i futi një hu m’u në bythë. Ou! thanë fshatarët, ky qenka akoma më i keq se baba, kot qemë qarë për të jatin. Ky jo vetëm i mori qefinin,  por na e varrosi edhe me një hu në bythë! Fabula është e qartë.

Kështu e pësuam edhe ne me ministrin e tretë të Brendshëm të kësaj qeverisje. Pas dy të parëve që i solli me pompozitet po qeverisja në fuqi, i treti thuajse “i vërteti” që  do mbahet mend si gazhedhësi helmues, erdhi dhe bëri si asnjë tjetër, jo vetëm helmimin e njerëzve me gaz etj, etj, bëma të tij antidemokratike, por erdhi e na paska bërë edhe oktapodizimin e gjakut të njerëzve, taksave te tyre, duke na  përvetësuar shuma të mëdha të fondeve publike, si këto për tenderin e uniformave të policies, që ka evidentuar tani së fundi SPAK-u. I mori paratë për vete apo abuzoi me to e i përvetësuan të tjerët, këtë ta shohim! Mendojmë se të vërtetën do e thotë drejtësia e reformuar. Ama, një gjë ka dalë në mejdan dhe këtë e ka thënë po SPAK-u se, vetëm një tender deri tani, ka “ngrënë” 9 koka njerëzish. Flitet edhe për tendera të tjerë fictive, po në këtë Ministri, si për mishin etj, etj, që dyshohet po për tendera abuzivë.

Dhe ku ka zë, nuk është pa gjë. Sa koka mund të ikin kështu, po për dhjamë qeni?! Punë e mirë e SPAK-ut kjo, po përse nuk po prangosen njësh-at?! Kjo, ha mjaft komente. Koha e zgjatur tregon se kokat edhe mund të “shpëtojnë”, se hajdutët profesionistë edhe dinë të vjedhin por dinë edhe të fshehin dhe ky, konsiderohet tamam hajdut. Varet, thotë opinioni, nga urdhrat që janë dhënë! Mundet që operacioni të mbyllet edhe me kaq. SPAK-u e di! Te ai i kanë gjithë njerëzit  veshët e sytë. SPAK, mos e zhgënjeni këtë popull! Do e bëni atë që duhet apo jo? Kjo është alibia jonë. Në Bashkinë Lushnje  arrestuat (dhe bëtë mirë) Kryetarin e saj e disa të tjerë për një tendër 20 e ca milionë, ai i bie sa tenderi për një mijë kapele policësh. Po ministri i Brendshëm i tenderit të uniformave për një kapele, për çdo efektiv policie, ka abuzuar me mbi 47 milionë dhe thotë se nuk ka përgjegjësi! Në se këtë radhë nuk vete thika në rrasht, nuk jep shpirt kafsha grabitqare. Populli me një frymë po pret ndëshkimin tuaj për djersën e tij. Secili bën pyetjen se ku ka shkuar ajo?! Tani që ja the, të paktën sheh gjurmët. Po lekët, lekët ku janë?! Sa të pasur paskemi qenë e sa të varfër na keni lënë o, pushtetarë!

Po pse kaq e mallkuar kjo ministria jonë e Brendëshme? E mallkuar në të dy regjimet, në atë të komunizmit e në atë demokracisë. Po ndalemi tangentisht në të dy periudhat për të mos u zgjatur më shumë në historinë tonë të para 80 vjetëve me këto Ministritë e ministrat e Brendshëm. Në kohën e qoftëlargut, “iku” Koçi, “ministri brilant” siç e cilësonte Enveri, sepse errësirasit e futën në thes dhe e tërhoqën zvarrë nga shtëpia e tij e grabitur, që ishte ngjitur me atë të Komandantit të Përgjithshëm. Menjëherë Koçin e çuan në qeli dhe 5 kalamajtë e gjithçka, i nxorrën në rrugë. Që atë natë, Enveri menjëherë ia uzurpoi shtëpinë dhe ia bashkangjiti të vetës. Për bëmat e tij makabre ndaj popullit, urdhëruar nga përbindëshi Enver, Koçi hëngëri “koqen” e plumbit. Erdhi ministër i Brendshëm Mehmeti, që qe  maja e mprehtë e shpatës së partisë që  e “bëri Sigurimin-Sigurim” dhe Enverin e lumturoi belvedereve të Lindjes komuniste fuqiplotë, që ja la më pas stafetën e ministrit të Brendshëm të plotfuqishmit Kadri. Ky më i stërholluar se “i pari” sepse fshihte egërsinë. Vrau e preu për 30 vjet me radhë pa ja ndarë popullit “kungjin e hoxhës”. Fundi i tij dhe i ustait Mehmet, ishte për qamet të zotit. Njëri i vrarë mistershëm, e tjetrit duke ja shkulur dhëmbët një e nga një për së gjalli, vetë partia e tij, e duke e lënë pa varr edhe së vdekuri. Ah, mallkimi i popullit, të ze që të zë! Në periudhën 1944-1991, mbi 6.000 persona i ekzekutuan në Shqipëri ministrat e Brendshëm me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Ka edhe raporte të tjera të shumta ku thuhet se të burgosur politikë, ministrat e Brendshëm i vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetvrasje. Edhe në këto raste, trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit, gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit, edhe në qoftë se ai vdiste. Gjatë viteve, institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve, kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të pa identifikueshëm, vepër e ministrave të Brendshëm të qeverimit komunist, e atyre ministrave që i mallkoi populli dhe u a shpërbleu paq plumbi i diktatorit, dmth, i njësh-it.  Kaq këtë radhë për regjimin e partisë mëmë, ku mallkimi ra rëndshëm mbi ministrat e saj të Brendshëm.

Po nga kjo bija e tanishme e periudhës postkomuniste, nga kjo, si e pësuan ministrat e Brendshëm?! Edhe këta, po të mallkuar! Del pyetja: A është Ministria e Brendëshme e mallkuar apo mallkimi zë Ministrat e Brendshëm?! Më duket se është e dyta, ministrat e Brendshëm i ze mallkimi i fukarenjëve. Po si ore, njerëz?! Po lere ç’njerëz jeni ju, ministrat e Brendshëm që i bëni 320 euro një kapele policit?! Që i bëni një xhup 1 milion e ca lekë ?! O perëndi, ç’keni bërë me paret e këtij populli? Na rropët të gjallë e prapë na merrni inat se themi që “na keni vjedhur”.  Na keni “rrjepur” ore, na keni mbytur me gaz “helmues”, gaz që kushedi se ku e keni blerë, po me paret tona, se u besuam nëpër zgjedhje, gaz që e keni blerë në Serbi, a ku di tjetër, ndofta edhe në Anadoll, se një djall e di se ku i keni çuar paret tona, djersën tonë, që u zëntë zgafellën e fytit e thefshi qafën e trashë si muzata, e vafshi në esfel me barkun e madh! Akuzove ti, ish- ministër i Brendshëm, e i fshehe policët se, i quajte “barkëmëdhenj”, që ditën që u ule në karigen e ministrit  dhe akuzove me të padrejtë djemtë e nënave të shumvuajtura, -policët e thjeshtë e të pafajshëm, sepse disa nga ata kishin bark të madh, reminishencë e konsumit të hormoneve të injektuara po nga ju, nëpër fermat e Myzeqesë,  se ushqimet bio i hani për vete. Në fakt barku juaj  “nuk është i madh”, sepse jeni bark dreqër, me shirit brenda që sado që han, siç ua nxori SPAK,  prapë dërrasë dukeni. O, të pangopur! Barkmëdhenjtë që ju nëpërkëmbëni në polici, janë fukarenj, por me dinjitet e të ndershëm. Vetëm një të keqe kanë ata, që nuk ua flakin tutje  ju, ato kapelet  320 euroshe, por populli i justifikon se, nuk kanë nga t’ia mbajnë se, kanë fëmijë për të rritur dhe ju bëni sikur u jepni pak thërrime.

Dhe kur flasim për zhdukjet e mistershme të ministrave të Brendshëm nga Enveri e vijojmë me të tanishmit po të anatemuar e më të këqinj se ata, aludojmë se ministria e Brendëshme si godinë, është e mallkuar. E kemi një të drejtë, por të pa justifikuar. Një godinë si ajo e ministrisë së Brendëshme, meqë është po ajo godinë dhjetravjeçare ku nga Enveri gjetën belanë po ministrat e Brendshëm të Enverit, sido që të jetë ajo është një godine, ajo është një ndërtesë, ajo është një institucion i shtetit Shqiptar. A është  ajo e  mallkuar?! Përsëri ha diskutime. Vërtet edhe sot është po ajo godinë, po ajo zyrë ministri, po ajo tavolinë, po ajo karrige ku janë ulur me dhjetra ministra hijerëndë në fillim e pa lavdi në fund, madje shpesh e etiketuar se kjo apo ky pozicion është i mallkuar.  Po i mallkuar për bëmat e titullarëve që dikur të vrisnin e të linin edhe  pa varr ndërsa sot, në pasdemokraci të rrjepin, të mbysin, të vjedhin e ti bëjnë të nëntëdhjetenëntat. Pra jo godina por janë ministrat, që për bëmat e tyre, mallkohen dhe sapo kapërdisen  i ze haku i popullit fukara, haku i njerëzve të skamur, haku i fëmijëve të mbytur në mugëtirë të natës nga gazi helmues tek stacioni i Trenit e tek Astiri, që po me gaz i nxorrën nga djepet dhe i flakën në mëshirën e natyrës dimër. Te Bulevardi që i ndoqën rrugicë pas rrugice nëpër lagje, veprime që do ua kishin zili edhe hitlerianët. Ja këto e qindra sjellje të tilla pushtuese, haku i tyre u kanë zënë ju ministrat tonë të Brendshëm, që ne aq shumë shpresuam tek ju, se besuam tek e ardhmja ëndërr  3D, se aq dinim.

Edhe një here, nuk është faji i Ministrisë së Brendëshme, nuk është ajo e mallkuar, por jeni ju, që ju mallkoi njerëzia që i arrestuat, se morën energji pa lekë për pak dritë…, për pak dritë…, e për pak dritë…, si te legjenda e misrit e Migjenit, për pak dritë për fëmijët e rreckosur…, për pak dritë për vocrrakët e ardhur nga skamja e në mjerim të tejskajshëm, të ardhur nga kushedi, nga  Jutbina, a gjetiu. Por ju nuk i latë ta shihnin atë  pak dritë, e i latë në errësirë, në skamje edhe më të thellë e në mjerim e jetimë, se prindin ua burgosët po për pak dritë që deshën për të parë  “veprat tuaja të vyera” se s’kishin lekë për ta paguar. Ua  morët të gjitha, bukën, dritën dhe pastaj për 30 lekë të vjetra,  u morët edhe babain që vari veten aty, në hapsanën tuaj, nga sedra se nuk kishte të paguante për pak dritë. Oh, sa të pashpirt! Po pse kjo është shoqëria që deshëm ne në ’91-shin?! Kështu e deshëm ne demokracinë, pa dritë e me gaz helmues, me pranga?  Por kot nuk thotë populli se, “vonon, por nuk harron”. Hë tani, prangat për ju, o të mallkuar, ministra të Brendshëm!

Po se vetëm ju?! Thonë se ka me dhjetra të tjerë ministra, i Shëndetësisë,  në Ushtri, në…, të gjithë të  korruptuar. Ka shumë e shumë përvetësues. Forca SPAK, përpara BKH, nëse ju si institucione të shumëpritura vërtet jeni “pjellë” e Amerikës që njohim e duam, t’i vini prangat kujtdo që ka përvetësuar paret e këtij populli fukara, por aq të mirë e krenar. Dhe me kaq mendoj se dilema “Ministria e Brendëshme është e mallkuar apo ministrat e Brendshëm  i ze mallkimi i popullit”, u zgjidh. Tashmë vetëm një gjë është për t’u zgjidhur: Prangat sa më parë të mallkuarve nga njerëzia – ministrave dhe veglave të tyre, dhe pak e kanë.