Dr. Qemal Lamaj: BE nis përballjen me SHBA, Rusinë e Kinën

968
Sigal

Marrëdhëniet ndërkombëtare, polarizimet e gjeopolitikës dhe sidomos roli i superfuqive të kohës si SHBA, Kinës e Rusisë kanë ndikime të fuqishme edhe në zhvillimet politike në Kontinentin Evropian. Evropa kërkohet të zhvillohet, të përballojë sfidat e kohës dhe të ketë të ardhme të qartë.

Duke reflektuar në realitetin e sotëm, Kancelarja gjermane Angela Merkel thekson mendimin se rendi botëror i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk është më ai që ishte dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë praktikisht në një linjë me Kinën dhe Rusinë si kundërshtarë të Evropës. “Nuk ka dyshim se Evropa ka nevojë për të ripozicionuar veten në një botë të ndryshuar”, vuri në dukje Merkel në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, e cila është publikuar edhe nga “Guardian”-i britanik.

Kancelarja Merkel bëri të qartë detyrën aktuale se Evropa, në përballje me sfidat e shfaqura nga SHBA, Kina dhe Rusia, duhet të bashkohet dhe të formojë një front të përbashkët.

Angela Merkel, dihet se duke reflektuar në përgjegjësitë e saj për politikën e kristian-demokratëve, për të mënjanuar diskutimet me tendenca personalizimi, si dhe për të rifituar besimin e të zhgënjyerve nga premtimet e nacionalistëve konservatorë AFD, kohët e fundit u largua nga drejtimi i CDU-së që dhe që njoftoi se nuk do të kandidojë më për kancelare. Por ajo vazhdon të vlerësohet për suksesin e saj të jashtëzakonshëm në shërbim të Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe kudo në botë.

Në intervistë, ajo publikojë me guxim mendimin e konsoliduar se aleanca tradicionalisht të fortë ushtarake dhe diplomatike mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara tani gjendet e lëkundur.

Ky deklarim me shumë përgjegjësi është formulimi i qartë i marrëdhënieve të partneritetit SHBA-BE dhe përbën një risi të veçantë. Zhvillimi i marrëdhënieve ndërkombëtare pas ardhjes në pushtet të Presidentit Donald Trump, evidenton qartë realitetin e ri politik se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përherë e më shumë po vënë në plan të parë Amerikën. Kjo është në të drejtën e politikës amerikanë, por nuk nuk duhet të vihen në pikëpyetje marrëdhëniet e marrëveshjet e përbashkëta me shtetet evropiane. Kritikat e rënda për NATO-n dhe kërcënimi për tërheqje nga aleanca ishin tronditëse. SHBA e qartësoi politikën ushtarake dhe vazhdimësinë në NATO, por besimi akoma nuk është si më parë. Për këto arsye shtetet evropiane kërkohet të ndërtojnë strategjinë e tyre ushtarake. Bashkimi Evropian po mendon dhe po vepron për mbrojtjen e përbashkët pa u mbështetur tek roli parësor i SHBA-ve. Politika amerikane tregon se po distancohet nga marrëdhëniet tradicionale me partnerët evropianë dhe vihen natyrshëm në të njëjtën kategori me Kinën dhe Rusinë. Ky realitet është i njohur, por liderit evropianë nuk e kanë deklaruar publikisht për të ruajtur marrëdhëniet e partneritet me SHBA. Tani që thuhet publikisht nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, opinioni publik megjithëse i përgatitur po befasohet më shumë në të dy anët e Atlantikut.

“Ato (Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara) do na detyrojë që përsëri ne të kemi një qëndrim të përbashkët. Shpesh është e vështirë, për shkak të interesave tona të ndryshme, por ne mundemi të kemi ende sukses”, arsyeton me besim dhe optimizëm Merkel.

Qëndrimi i Merkel është reflektim në zhvillimet politike evropiane dhe ato transatlantike. Në Bashkimin Evropian ndjehet shqetësimi për rritjen e populizmit tek krahu i djathtë, me efekte si zgjedhja e Trump apo Brexit dhe roli i NATO-s. Nuk mund të mos vihet në dukje fakti se Brexit është edhe pasojë e ndikimit amerikan në politikën britanike dhe atë evropiane. Merkel tërheq vëmendjen në këtë realitet me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen sepse po ndryshojnë rrënjësisht rendin botëror dhe po shtyjnë BE-në në mbrojtje.

 

Tre vjet më parë, natyrisht, situata ishte krejtësisht e ndryshme si në SHBA ashtu dhe në BE. Dallohej bashkëpunimi dhe marrja e vendimeve me marrëveshje të ndërgjegjshme, pa imponime të njëanshme dhe angazhime të përbashkëta.

Merkel dhe Obama vlerësonin partneritetin strategjik transatlantik, mbështesnin fuqimisht zhvillimin politik, ekonomik e ushtarak të përbashkët. Të dy këta lider ishin shumë të afërt dhe nuk kishin mosmarrëveshje të mëdha në ekonomi, politikën e jashtme, ushtarake etj., si dhe me partnerët e tjerë evropianë anëtarë të NATO-s.

“Shumë njerëz janë të shqetësuar në lidhje me Evropën, duke përfshirë edhe mua. Kjo do të thotë që ne të ndjehemi më të detyruar për t’u bashkuar dhe për të siguruar që Evropa ka një të ardhme”, thekson Merkel. Pra theksi vihet në unitetin dhe bashkimin për të mbrojtur fitoret e forcimit të Bashkimit Evropian dhe pasur vizion të qartë për të ardhmen e popujve evropiane të bashkuar në bashkësinë që kërkohet të shkojë drejt federalizimit e kontinuitetit të shtetit të përbashkët evropian.

Dhe presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur shqetësim rreth rritjes së pikëpamjeve ekstremiste, duke thënë se “nëse dëmtohet kjo Evropë, nuk ka asnjë mënyrë që të mund të kemi një Evropë më të fortë”, raportoi AP.

Macron paralajmëroi se kjo mund të çojë në një botë që do të udhëhiqet nga një “G-2”, pra vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Gjermania dhe Franca dëshmojnë se mbeten të përkushtuar në mbrojtjen dhe forcimin e Bashkimit Evropian dhe të rolit që kërkohet të luajë bashkësia në kushtet e sotme duke i hapur perspektivë më inkurajuese integrimit evropian.

Partneriteti strategjik dhe marrëdhëniet e gjithanshme e me interes të barabartë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian janë jetike për të dyja. Të ndara dhe me orientime themelore të ndryshme, dëmtohen njëlloj. SHBA do të ruajë e forcojë rolin e vet si superfuqia më e madhe botërore, pikërisht me partneritetin me BE. Edhe BE do të forcohet me vizionin e së ardhmes së një shteti të përbashkët, me partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë strategjik me SHBA.

E sotmja dhe e ardhmja e SHBA dhe BE janë të kushtëzuara edhe me marrëdhëniet me Rusinë e Kinën me fuqi potenciale në rritje të vrullshme e me influencë në të pesë kontinentet. Po kështu të vlerësohen edhe më shumë India, Brazili etj. Prandaj, marrin rëndësi vendimtare raportet e bashkëpunimit dhe mënjanimit të mosmarrëveshjeve e pozicionimeve me pasoja kërcënuese për paqen, sigurinë e të ardhmen.

Shtetet evropiane me histori në shërbim të njerëzimit, do të orientohen me siguri nga politikanët e zgjuar për të përballuar sfidat e kohës, ruajtur marrëdhëniet e drejta ndërkombëtare, mënjanimin e dominimeve që mund të dëmtojnë ekuilibrat gjeopolitike dhe garantuar paqen, sigurinë e bashkëpunimin e barabartë midis shteteve dhe popujve në miqësi midis tyre.