Sot tek “Fundjavë Ndryshe” promovohet libri i Prof. Ago Nezha, “Shoqata Labëria 30- Vjet Jetë dhe Aktivitet”
Albert Z. ZHOLI
Që nga dita që lindi shoqata: në 12 dhjetor 1991, e deri në datën e 12-të, dhjetor 2021, ajo është kthyer në Institucion patriotiko-kulturor.
Në kuadrin e 30 vjetorit të krijimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, Kryetari i shoqatës dhe njëherazi poeti, publicisti dhe shkrimtari Ago Nezha, erdhi me një botim, bibël për Labërinë siç e quajti profesor Bardhosh Gaçe, apo një Kushtetutë për Labërinë do ta quaja unë, që titullohet: “Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria 30 vjet jetë dhe aktivitet”. Ky libër është një traktat që përshkruan jo vetëm veprimtarinë e Shoqatës Labëria në hapësirën 30 vjeçare, por jep një historik të shtrirë në kohë dhe hapësirë për trevën e Labërisë në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror, në rrjedhën e lashtësisë nga autorë vendas dhe të huaj.
Çfarë na thotë ky titull?
Libri titulluar “ Shoqata Labëria 30- Vjet Jetë dhe Aktivitet”, është një synim për të evokuar rrugëtimin e gjatë 30- vjeçar, e për të ardhur deri në ditët e sotme. Që nga dita që lindi Shoqata Labëria në 12 dhjetor të vitit 1991, e deri në datën e 12-të, dhjetor 2021, viti jubilar i 30- vjetorit të saj, ka një bashkëjetesë të gjatë me disa shoqata si motra dhe është përballur me shumë fenomene shoqërore e shtetërore që i ka kapërcyer nëpërmjet baticave e zbaticave, ku i është dashur që të krijojë identitetin e saj patriotik dhe kulturor. Në këtë libër nuk pretendohet që të ezaurohet e gjithë veprimtaria e vrullshme dhe dinamike e Shoqatës Labëria, që ka një rreze mbarë kombëtare, pasi ato janë të shumta e të larmishme. Një pjesë e dokumentacionit është tretur në rrjedhën e viteve për arsye subjektive, por dhe objektive, pasi shoqata ka vepruar pa një ngrehinë ku të ruhej arkivi dhe dokumentacioni i veprimtarive të saja të shumta, kur shteti ynë “demokratik” ka pajisur me zyra, salla e lokale, shumë parti fantazmë, me kryetar, pa anëtar, që i kanë kthyer partitë në plaçkë tregu duke i shitur e blerë si mall biznesi. Në këtë libër janë përfshirë veprimtaritë kryesore me karakter kombëtar e ndërkombëtar, në dimensionet e mundshme të përfaqësimit. Shoqata Labëria ka një galeri të pasur aktivitetesh në qendër dhe në degët e rretheve, që po të pretendosh t’i publikosh, si mbulon dot me “jorganin” e një libri, por duhet një enciklopedi gjithëpërfshirëse. Në sfondin e këtij botimi shfaqen veprimtaritë më përfaqësuese, ku Shoqata Labëria ka qenë pjesëmarrëse me fjalën dhe kontributin e saj të vlerësuar. Kalaja 30 vjeçare është ndërtuar e ngritur me kontributin e kryesisë në qendër dhe të degëve në rrethe, duke filluar nga Tirana, Vlora, Fieri, Patosi, Tepelena Gjirokastra, Saranda, Himara, Orikumi, e duke përfunduar në Durrës, që shpalosen qartë nëpërmjet zëdhënëses së saj, gazetës “Labëria”. Puna në ansambël, ka bërë që kjo shoqatë jo vetëm të ekzistojë, por të rritet e përparojë nga njëri kuvend në tjetrin, plot gjashtë, derisa u ngjit në apogjeun e vet në 18. Dhjetor, 2015, kur vuri mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani me këtë motivacion: ““Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”.
Historia për Labërinë në penën e personaliteteve
Libri, çelet me citatin e korifeut të letrave shqipe Fan S. Noli,që shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria”. Fillimisht na jep një “Tablo Historike” mbi krahinën e Labërisë, si një nga trevat etnokulturore të Shqipërisë Jugperëndimore, e cila ka dhënë një kontribut të shquar në historinë dhe kulturën kombëtare. Emri i saj lidhet ngushtë me banorët arbër, si dhe fiset ilirë të amantëve, kaonëve, mesapëve dhe elimëve, gjurmët e të cilave shfaqen në një varg vendbanimesh e toponimesh të përcjella nga ana arkeologjike deri në kohët tona. Në këtë bashkësi etnografike, shfaqen elementet e përbashkët etnikë ilirikë, me tradita, zakone, besime, histori e kulturë që është përcjellë në rrjedhën e kohërave me një vitalitet të jashtëzakonshëm përballë pushtuesve të ndryshëm: romakë, normanë, bizantë, sllavë, venecianë, otomanë e deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kundër pushtuesve nazifashistë. I pari albanolog në shek. XIX, është J. G. Von Hahn, në vitin 1854, në veprën e vet “Studime mbi Shqipërinë” botuar në Vjenë, vë në dukje, se të gjitha tokat, në mes të Vjosës së poshtme dhe detit, i quajnë sot banorët aty përqark dhe fqinjët Labëri dhe vendasit labë…”. Sipas këtij albanologu, por edhe etnologëve: Kol Kamsi, Rrok Zojzi e Ismet Elezi, kjo trevë përfshin: krahinën e Vlorës, krahinën e Himarës, atë të Delvinës, dhe atë të Kurveleshit, që ngrihet në Perëndim të derdhjes së Drinit në Vjosë dhe në Jug të Tepelenës. Për shtrirjen e krahinës së Labërisë kanë shkruar shumë studiues vendas dhe të huaj duke filluar nga rilindësi ynë i shquar, Sami Frashëri, si dhe studiues të tjerë të shek. XIX-XX, si: Karl Patç, Kozma Thesproti, Rrok Zojzi, Ago Agaj, Rami Memushi, Pëllumb Xhufi dhe së fundi akademiku Edmond Pinguli me librin e tij “ Labët ose Lapët Pellazgë, studim historik, e mjaft të tjerë, të cilët hedhin dritë mbi kufijtë e Labërisë. Me ndryshime të vogla kufijtë e Labërisë, sipas autorëve të sipërpërmendur kanë qenë në trajektoren e tre urave: ura e Vjosës, ura e Leklit dhe ura e Kalasës. Autori i librit, duke parë këngët, vajet, traditat, zakonet marrëdhëniet shoqërore, dhe ushtrimin e Kanunit të Labërisë, e ka zgjeruar konceptin e krahinës së Labërisë, duke përfshirë brenda saj qytetet: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Orikum, ku janë përfshirë inkluzivisht të gjitha fshatrat, pa bërë dallime kufizuese. Kjo gjithëpërfshirje është meritë e shoqatës Labëria, që ka ditur t’i promovojë të gjithë fshatrat e zonës së saj në veprimtari të dobishme shoqërore. Rubrika e dytë titullohet: “ Një vështrim mbi trevën e Labërisë në rrjedhën e lashtësisë nga autor vendas dhe të huaj”, që hedh dritë mbi origjinën e Labërisë dhe veprimtarinë e saj patriotike. Autorët janë të shumtë me diversitet mendimesh, që nuk mund t’i biem në këtë shkrim, por duhet shfletuar libri, por më kryesorët do përmendim: Zhan K. Faverial me librin e tij “Historia e Shqipërisë”, Eqrem Çabej, “ Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, dijetari gjerman G. Majer, në “ Fjalorin Enciklopedik për Arbërinë”, shkruan se: “Kjo krahinë quhet edhe Labëri dhe Lapëri. Është vërtetuar se Labëria është Arbëria”. Për Labërinë kanë shkruar libra autorë të shumtë, si Spiro Kondo, arbëreshi i shquar Aristidh Kola, studjuesi grek Saqelariu, Aref Mathieu, si dhe Konsulli i Janinës, Pukëvili, e shumë të tjerë.
Në autostradën e kuvendeve
Rubrika e tretë përshkruan gjashtë kuvendet, nga i pari që u mbajt në Tiranë më 5 qershor 1998, i dyti në Vlorën e Flamurit, i treti në Himarë, jo rastësisht, por për t’u thënë himariotëve se Himara ka qenë në lashtësi kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra, megjithëse reagoi Kryebashkiaku Bollano me parrulla: “ poshtë Labëria”, “Himara s’është Labëri” “ Himara është Greqi”, etj, i katërti u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar një ngjarje historike ku 98 vjet më parë 28 nëntor – 4 dhjetor të vitit 1924, është mbajtur Kuvendi i Kuçit me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, përfshirë këtu dhe nga Kosova e Çamëria, i pesti në kryeqendrën e kulturës labe në Gjirokastër dhe i gjashti në Vlorë, që shënoi dhe ndryshimin e emrit nga kulturore atdhetare, në atdhetare kulturore, që shpreh dhe misionin e saj në këto 30 vjet. Njëkohësisht në libër janë evidentuar të gjithë përvjetorët e shoqatës që janë kremtuar në rrethe të ndryshme të vendit.
Box
FTESË
Znj/z.
Shoqata Atdhetare Kulturore “ Labëria” “Nderi i Kombit”, organizon promovimin e librit publicistik: “30 Vjet dhe aktivitet” si dhe librin poetik “ Hënë e Verbuar” të autorit Prof. Dr. Ago NEZHA. Aktiviteti do të zhvillohet ditën e premte datë 8.04.2022, ora 11.00, tek Salla e Konferencave në Qendrën e Solidaritetit të Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Rruga e Arbërit (ish Uzina e Artilerisë Brarë) Tiranë. Mbi krijimtarinë e autorit do të kumtojnë disa lektorë. Koktej.