Vendit i mungon një strategji e plotë me tregues realë mbi ecurinë e sektorit mineral duke mos ofruar kështu një panoramë të saktë mbi investimet, numrin e punonjësve, apo tregues të tjerë të rëndësishëm.
Një raport auditimi performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit rendit tek konkluzionet e tij pikërisht këtë aspekt duke nënvizuar se mbi këtë strategji nuk ka asnjë raportim, apo monitorim madje as një strukturë përgjegjëse për të kryer këtë të fundit.
“Strategjia minerare e Republikës së Shqipërisë është e mangët, pa indikatorë matës për të gjithë periudhën e veprimtarisë së saj (2010-2025) për disa aspekte të ndryshme si për shembull vlera e investimeve në sektorin minerar, numri i punonjësve të punësuar në sektorin minerar dhe nën sektorët e tij etj.
Lidhur me Monitorimin dhe Raportimin mbi ecurinë e Strategjisë Minerare të Shqipërisë nuk është përgatitur asnjë Relacion/Raport që të dëshmojë mbi synimet dhe objektivat e saj.
Në Strategjinë Minerare të Shqipërisë nuk përcaktohet ngritja dhe detyrimi i ndonjë strukture për të monitoruar treguesit e saj, ndryshe sa përcaktohet në Strategjinë Minerare të Suedisë”, thuhet në auditim.
Në këtë kontekst KLSH ka rekomanduar që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në hartimin e Strategjisë së re Minerare, të marrë masa për përcaktimin e indikatorëve për gjatë gjithë periudhës kohëzgjatjes së saj si dhe të përcaktojë qartë njësinë apo strukturën e cila do të monitorojë periodikisht atë.
I njëjti auditim ndalet në një analizë të detajuar të të ardhurave nga renta minerare dhe konkretisht për lejet e dhëna në materialet ndërtimore dhe specifikisht “gëlqeror i mermerizuar”. Pavarësisht se të ardhurat e subjekteve kanë qenë në rritje si efekt i volumit të shitjes renta nuk ka reflektuar këtë tendencë.
Audituesit nënvizojnë se në sektorin e shfrytëzimit të GMMD, 63 % e lejeve minerare i përkasin emërtimit “Gëlqeror i mermerizuar”.






















