Nëse një pjesë e madhe e pensioneve qëndron shumë poshtë pagës minimale, atëherë një rritje shumë e madhe e pagave të një grupi të vogël profesionistësh mund të krijojë një ndjenjë të fortë pabarazie sociale. Në lloj ndarje, shkëputje me realitetin e mundësitë e buxhetit të shtetit, I cili e ka të pa mundur të bëjë rritjen e pagave të pensioneve në mënyrë të konsiderueshme. Për më tepër që këtë rritje e kërkojnë me shumë forcë, duke shfrytëzuar postin që kanë.

Çështja e pagave të gjyqtarëve është një nga temat më të rëndësishme kur flitet për funksionimin e shtetit të së drejtës. Askush nuk mund të mohojë se gjyqtarët s’duhet të kenë paga të mira. Një gjyqësor i pavarur kërkon jo vetëm pavarësi institucionale, por edhe një status ekonomik që e mbron gjyqtarin nga presionet, korrupsioni dhe ndërhyrjet e jashtme. Megjithatë, pyetja që duhet bërë sot është: sa duhet të jetë kjo pagë dhe deri ku është e arsyeshme të shkojë diferenca me pjesën tjetër të shoqërisë?
Në këtë debat duhet të shikojmë jo vetëm shumën absolute të pagës së gjyqtarit, por edhe raportin e saj me pagën minimale, pagën mesatare dhe nivelin ekonomik të vendit. Pikërisht ky krahasim e bën më të qartë situatën shqiptare.
Nga 1 janari 2026 paga minimale në Shqipëri është 50.000 lekë në muaj, ndërsa paga mesatare në muajin Gusht ishte 92 000 lekë. Ndërkohë, paga aktuale e një gjyqtari të shkallës së parë është 376.381 lekë, në muaj, 7,5 paga minimale, ose 4 paga mesatare, gjyqtari I shkalës së dytë 388 927 lekë, ose 7,8 paga minimale, 4,23 paga mesatare, dhe gjyqtari I grupit të tretë, 659 920 lekë, 13,2 paga minimale ose 7,17 paga mesatare. Nëse do miratohej kërkesa e bërë publike për gjyqtarin e shkallͼs së parë me 567.421 lekë, raporti do të arrinte në rreth 11,35 paga minimale, ose 6,17 paga mesatare, gjyqtari I shkallës së dytë 586 927 lekë, 11,7 paga minimale, ose 6,38 paga mesatare, dhe gjyqtari I grupit të tretë me 994 877 lekë, 19,9 paga minimale, ose 10,81 paga mesatare. Shifrat janë veçanërisht të rëndësishme, sepse na lejon të mos shohim vetëm shumën e pagës, por edhe fuqinë e saj relative brenda ekonomisë shqiptare.
Pse është e nevojshme që gjyqtarët të kenë paga të larta?
Paga e gjyqtarit nuk duhet parë si një pagë e zakonshme. Gjyqtari merr vendime që prekin lirinë, pasurinë, të drejtat dhe jetën e qytetarëve. Për këtë arsye, ai duhet të ketë një status të veçantë profesional dhe ekonomik. Një pagë dinjitoze ndihmon në garantimin e pavarësisë së tij dhe e bën më pak të mundshme që ai të ndikohet nga interesa të jashtme. Por paga e lartë nuk është në vetvete garanci kundër korrupsionit. Ajo duhet të shoqërohet me kontroll të pasurisë, transparencë, përgjegjshmëri profesionale, procedura disiplinore dhe një sistem drejtësie që funksionon me standarde të larta. Por perceptimi I shoqërisë sonë për sistemin e drejtësisë, është nivele të ulta. Prandaj, parimi duhet të jetë: pagë e lartë në këmbim të një përgjegjësie shumë të lartë dhe të një standarti po aq të lartë profesional dhe etik.
Edhe në Europë ekziston një lidhje e fortë midis statusit të gjyqtarit dhe pagës. Sipas CEPEJ, paga bruto e gjyqtarëve në fillim të karrierës është mesatarisht rreth 2,5 herë paga mesatare kombëtare, ndërsa në fund të karrierës rreth 4,9 herë. Por raporti ndryshon shumë nga një shtet në tjetrin, kjo nga niveli ekonomik I çdo vendi, si një piramidë pagash të pranueshme me realitetin e vendit.
Po Shqipëria ku qëndron?
Këtu fillon problemi i vërtetë i debatit. Nëse krahasojmë pagën shqiptare vetëm me pagën absolute të gjyqtarëve europianë, Shqipëria natyrisht nuk është ndër vendet me pagat më të larta, por me rritjen që kërkohet kjo mund të shkojë në një nivel të lartë, duke ndarë listen me pak vende nga pagat më të larta në Bashkimin Europian. Krahasimi më domethënës është ai me pagën minimale ose mesatare të vendit përkatës. Në janar 2026, pagat minimale në 22 nga 27 vendet e BE-së varionin nga rreth 620 euro në Bullgari deri në rreth 2704 euro në Luksemburg. Pesë vende – Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia – nuk kanë pagë minimale kombëtare të përcaktuar me ligj, ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë në fund të tabelës. Siç shihet nga të dhënat më lart, del se edhe me pagat aktuale që marrin gjyqtarët fillestarë dhe ata në fund të karrierës, janë më të larta se homologët në Bashkimin Europian. Konkretisht nëse mesatarja e pages të gjyqtarit fillestar në BE është sa 2,5 paga mesatare, në shqipëri është 4 paga mesatare dhe ajo që kërkohet shkon në 6,17 paga mesatare, ndërsa për grupin e gjyqtarve të grupit të tretë, mesatarja në Europë është 4,9 paga mesatare, ndërsa në shqipëri 7,17 paga mesatare dhe ajo që kërkohet shkon në 10,81 paga mesatare ose më shumë se dyfishin e mesatares së homologëve në Europë.
Pra, Shqipëria nuk duhet të krahasohet vetëm me shifrën 567.421 lekë për gjyqtarin fillestar, apo 994 877 lekë për gjyqtarin në fund të karierës, por duhet të pyesë: se sa paga minimale dhe mesatare përfaqson kjo shumë në Sqipëri dhe sa përfaqsojnë pagat e gjyqtarve në Europë. Kjo nuk do të thotë se gjyqtari s’duhet të paguhet mirë. Përkundrazi, një profesion me këtë përgjegjësi duhet të ketë një shpërblim të lartë. Por pyetja është nëse një diferencë për gjyqtarin fillesatar prej mbi 11 me 1 paga minimale dhe gati 20 paga minimale për gjyqtarin e grupit të tretë, a është e justifikueshme në një vend ku një pjesë e madhe e punonjësve jeton me paga shumë më të ulëta. Këtu duhet të kemi parasysh edhe pensionistët. Nëse një pjesë e madhe e pensioneve qëndron shumë poshtë pagës minimale, atëherë një rritje shumë e madhe e pagave të një grupi të vogël profesionistësh mund të krijojë një ndjenjë të fortë pabarazie sociale. Në lloj ndarje, shkëputje me realitetin e mundësitë e buxhetit të shtetit, I cili e ka të pa mundur të bëjë rritjen e pagave të pensioneve në mënyrë të konsiderueshme. Për më tepër që këtë rritje e kërkojnë me shumë forcë, duke shfrytëzuar postin që kanë.
A është e drejtë të kërkohen paga kaq të larta?
Kjo nuk është një pyetje që mund të marrë një përgjigje thjesht “po” ose “jo”. Është e drejtë që gjyqtarët të kërkojnë paga të përshtatshme me përgjegjësinë e tyre. Por është po aq e drejtë që shoqëria të kërkojë që pagat publike të përcaktohen duke marrë parasysh mundësitë ekonomike të vendit. Në një shoqëri ku një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve paguhen me pagë minimale ose pranë saj, ku pensionistët shumica marrin pensione më pak se gjysma e pages minimale, nuk mbrohen shtresat e varfëra, nga mungesa e një ligji për minmumin jetik, edhe pagat e gjyqtarve duhet të shihet në kuadrin e të gjithë sistemit të të ardhurave. Prandaj, një zgjidhje më e drejtë do të ishte që paga e gjyqtarit të lidhet me një formulë të qartë dhe transparente: me pagën mesatare, produktivitetin ekonomik, inflacionin dhe përgjegjësinë e pozicionit. Në këtë mënyrë rritjet nuk do të vareshin vetëm nga presioni i momentit, por nga një kriter i njëjtë dhe i parashikueshëm.





















