Të djathtët dhe të majtët të mblidhen një herë dhe të vënë në vend të parë Shqipërinë

702
Antika Hoxha

Z. Mustafai, Z. Patosi , Znj. Topalli ,Znj. Bregu dhe të gjithë ju anëtarëve të Partisë Demokratike, duke ju ndjekur me vëmendje nëpër daljet tuaja të shpeshta në këto zgjedhje të vitit 2017, sikur u zhyta në kohë e kujtesë nëpër vitet ’45 të shekullit të kaluar, ku babai im, Xhafer Hoxha, kritikoi partinë e iu hodhën si ujkonja deri sa i morën jetën me dënimin kapital, e ndërkohë më sollët në mendje luftën që i bën Bilal Xhaferit, vëllait tim, ne ‘68 , vetëm për idealet dhe ndjenjën për një Shqipëri ndryshe. Sot, pas 75 vitesh , ju zotërinj që ju përmenda pak më lart, i jeni hedhur si ujkonja kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, një djali me vizion perëndimor, me një plan të mirëfilltë për Shqipërinë e për Shqiptarët, një djali që duket sikur solli një dritë jete në partinë që prej kohësh flinte prej jush. 43 mandatet që fitoi në kuvend, i fitoi veç nga votat tona fisnike, nga ne që e duam vendin më shumë se çdo gjë tjetër , pa interesa vetjake ose partiake. Këtë tokë nuk na e kane falur partitë, dhe aq me pak ju , por na e kane falur të parët tanë. Ju, anëtarët e vjetër të demokracisë së Shqipërisë , ju që ne demokratët e vjetër në zemër ju besuam dhe ju falëm tokën tonë , sot është koha të ndihmoni demokracinë nëpërmjet lejimit të frymëve të reja demokrate, që të lulëzojnë. Z.Edi Rama fitoi, sot është kryeministri ynë, falë përçarjes suaj, por gjithsesi unë i uroj që ta gëzojë dhe ti përgjigjet ndershmërisht postit të tij, sepse ne jemi te gjithë vëllezër, bij të një gjaku arbëror. Z.Topalli përse nuk veshe një palë opinga dhe të dilje në shtëpitë e mbarë shqiptarisë që në Janar e deri në Tropojë për fushatën elektorale, të shikoje familjet e atdheut tënd pa dallime partie e t’u jipje një fije shprese demokracie .Por ti, së bashku me anëtaret e tjerë, e shikoni Shqipërinë në hartë si sinoptikanët, ju bëmë ne, me votat tona, të dukeni si burra dhe gra të hekurt. Të falënderoni popullin që ende ju mbështeti edhe pas ligjit 7501 që vendosët, e prej tij u vranë qindra shqiptarë e qindra mijëra u larguan nga atdheu, u burgosën, u shtuan hasmëritë. Për 27 vjet , fëmijët, nipat e mbesat dhe të gjithë ata që u larguan mes telash me gjemba, duhet të ishin kthyer në atdhe, në tokat dhe pronat e tyre. Ju, demokratët e vjetër, bëtë ligjin që deputetët të zgjidheshin prej jush dhe jo prej popullit, ndërkohë që populli nuk dihet nga kush qeveriset. Këto ligje nuk i bëri Z.Basha. Ndërsa ju që i bëtë, sot jeni pasuruar pa fund e fëmijët i keni shkolluar në shkollat më të mira nëpër botë. Unë do doja shumë, si unë dhe shumë të tjerë, që programi i tij të vihej në zbatim dhe të na sillnin demokracinë e vërtetë. Unë nuk jam asgjë tjetër, veçse një grua e moshuar që kam kaluar mbi supe sisteme e parti të ndryshme, nuk jam biznesmene dhe as e punësuar, por Shqipërinë nuk e ndërroj kundrejt asnjë premtimi që të më ofrohet. Dhe pikërisht , për atdheun tim, jam sot duke ju dhënë një këndvështrim prej një qytetareje të thjeshtë shqiptare. E , përveçse ajo që thashë më lart, mbi supe mbaj një jetë si e përndjekur politike, dhe prej jush nuk munda kurrë të merrja pronat e babait tim të konfiskuara që në 1945. Mbaj prej vitesh vendimet e gjykatës në duar dhe të tjerët mbajnë pronat, Ne që jemi hyzmeqar përsëri në pronat tona . Kjo, zotërinj, nuk është demokraci por anarki dhe asnjë politikan botëror nuk di si t’ia vendos emrin kësaj që ndodh në këtë vend. Kemi arritur në atë pikë sa te marrim edhe një qeveri me qira nga vendet perëndimore, e të kuptojmë e mësojmë si bëhet një shtet. Pikërisht Angela Merkel , e lindur ne Gjermanin lindore , kancelare e një prej vendeve më demokratike, e cila u zgjodh për 4 herë rresht, nuk pati ambicie për pushtet, por bëri shtet pa cenuar me ligje të drejtat njerëzore , sikur të ishte lindur në Shqipëri nga qeveritë do të merrte dhuratë vdekjen e saj. Kjo gjë ndodh ndaj njerëzve që luftojnë për ideale, e për një Shqipëri me një të ardhme. Ju lutem të gjithëve të djathtëve dhe të majtëve të mblidhen të paktën një herë dhe të vënë në vend të parë Shqipërinë , të bëjnë këtë për nënat e tyre, për baballarët ,për të vdekurit e tyre që ndoshta kur s‘mundën t’i bënin një varr. Të mblidhen për një qëllim “T’u lemë një Shqipëri demokratike brezave që vijnë mbas nesh. T’u lemë vendin e shqiponjave krenare siç e meriton ky komb.”
Sigal