–Shqipëria në fillim të viteve 1980 ka patur një ftesë të bëhej pjesë e Komunitetit Evropian, pasi të ardhurat në atë kohë për banor ishin në nivelin e Portugalisë, Spanjës dhe Greqisë dhe ekonomia shqiptare po performonte mirë.
-I vetmi kusht në atë kohë për Shqipërinë ishte forma e regjimit dhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
– Regjimi i asaj periudhe kuptohet që nuk e pranoi ftesën dhe vdekja e Enver Hoxhës i ngadalësoi bisedimet, në vend që t’i përshpejtonte
-Është e dukshme se ky ligj ka lënë hapsira për abuzime dhe korrupsion.
– Ne pothuajse çdo ditë ndeshemi me rastet e publikimit të këtyre dukurive dhe arrestime të zyrtarëve për këto çështje.
-Kjo tregon se mënyra se si jemi sjellë me këtë pjesë të ekonomisë shqiptare ka qenë, është dhe vazhdon të jetë e gabuar dhe e padrejtë.
– Produktiviteti i ulët sjell paga të ulëta dhe pagesa e keqe e punonjësve bën që ata të mos jenë eficientë dhe efektivë në punën e tyre individuale dhe në punën në grup.
Shqipëria edhe pse vend i vogël ka qëlluar që të jetë mjaftueshëm i pasur me burime natyrore nëntokësore. Kemi një vend që e kanë zili të tërë. Pasuria kombëtare e krijuar kryesisht gjatë periudhës 1944 – 1989, tashmë është privatizuar, edhe pse unë personalisht në vitet 1992 – 1994 kam propozuar publikisht ristrukturimin e ekonomisë, gjë që nuk u mbështet nga politika e asaj kohe, edhe pse ndërkombëtarët e mbështetën propozimin tim. Edhe pse ligji i asaj kohe nuk lejonte ndryshimin e veprimtarisë së subjektit, që privatizohej, tashmë nga ato fabrika dhe veprimtari ekonomike nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Nga ana tjetër, kanë lindur biznese të reja me po atë veprimtari, por që nuk kanë asnjë lidhje si në aspektin e pronësisë ashtu dhe në aspektin e identifikimit të pronës me subjektet, që ekzistonin më parë. Kjo është një humbje shumë e madhe në pasuri dhe në kohë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse ekonomia shqiptare do ishte ristrukturuar, tashmë mund të bëhej fjalë për privatizim të atyre subjekteve që do ishin produktive. Rasti klasik që mund të merret si shembull është krijimi i kompanisë së telefonisë AMC (Albanian Mobile Communication), e cila pasi u krijua, ju nënshtrua procesit të privatizimit dhe nga ky proces buxheti i shtetit fitoi miliona dollarë, që kishin një vlerë shumë të madhe për ekonominë në atë kohë. Dhënia me koncesion e subjekteve dhe objekteve në një ekonomi është praktikë e njohur, por kryesorja është ligji për koncesionet, që gjithmonë është kontestuar nga specialistët vendas dhe të huaj, që e kanë parë Ligjin për Koncesionet në Republikën e Shqipërisë si një ligj problematic, që eliminon garën e hapur. Ky ligj është rishikuar disa herë përgjatë këtyre viteve dhe po ashtu edhe aktet nënligjore, që lidhen me të. Është e dukshme se ky ligj ka lënë hapsira për abuzime dhe korrupsion. Ne pothuajse çdo ditë ndeshemi me rastet e publikimit të këtyre dukurive dhe arrestime të zyrtarëve për këto çështje. Kjo tregon se mënyra se si jemi sjellë me këtë pjesë të ekonomisë shqiptare ka qenë, është dhe vazhdon të jetë e gabuar dhe e padrejtë. Them e padrejtë pasi ne të gjithë shqiptarët jemi pronarë të Shqipërisë, dhe është një pronë që duhet t’ia trashëgojmë pasardhësve tanë. Në momentin që një subjekt apo objekt privatëzohet, ai subjekt apo objekt nuk është pjesë e trashëgimisë si popull, por bëhet pjesë e trashëgimisë së personit që fiton subjektin apo objektin dhe e trashëgon vetëm te pasardhësit e tij. Pra, unë mendoj se në fund të çdo viti çdo shqiptari që jeton në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet t’i paguhet një shumë parash që futet në buxhetin e shtetit si rezultat i pagesave që kryhen për dhënien e pasurive kombëtare me koncesione. Askush nuk e di se ku shkojnë paratë që vilen nga licensat dhe koncesionet e dhëna dhe në shumë raste koncesionet rezultojnë finaciarisht edhe me humbje, në një kohë që argumenti për dhënien me koncesion është nxjerrja e subjektit dhe objektit në fund të periudhës ekonomike me fitim. Raportet e katër pesë viteve të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se në çdo vit niveli i abuzimeve në administratën publike me paratë dhe pronat publike është rreth 1 miliardë euro. Kjo është vetëm maja e ajzbergut. Ajo që del nga kontrollet. Ajo që nuk duket dhe që ndoshta nuk do dalë kurrë është rreth 10 herë më e madhe. Fakti që më shumë se 50% e ekonomisë shqiptare është ekonomi e zezë dhe gri, flet shumë për këtë. Pjesa më e madhe e këtyre parave nuk kthehet. Edhe në rastet kur KLSH, SPAK dhe Gjykatat përcaktojnë fajtorin dhe sasinë e parave apo pronave me të cilat është abuzuar, në më të shumtën e rasteve për shkak se afati i parashkrimit kalon (për shkak të vonesave në procedurat përkatëse hetimore dhe gjyqësore), personi apo grupi i personave nën hetim nuk bëhen fajtorë dhe dëmi i kryer nuk paguhet.
Produktiviteti i ekonomisë shqiptare është ndër më të ulëtit në botë.
Produktiviteti dhe paga e punonjësve janë dy parametra, që lidhen ngushtë me njëri tjetrin. Produktiviteti i ulët sjell paga të ulëta dhe pagesa e keqe e punonjësve bën që ata të mos jenë eficientë dhe efektivë në punën e tyre individuale dhe në punën në grup. Për të bërë një krahasim le të përmendim vendet që kanë produktivitetin më të lartë në botë për orë pune dhe për person. Për orë pune produktivitetin më të lartë e kanë Irlanda me 119.1 USD/orë pune, Luksemburgu me 110.8 USD/orë pune, Danimarka me 87.7, Belgjika me 86.8, Norvegjia me 85.6, Zvicra me 81.4, Franca me 79.7, SHBA me 79.6, Austria me 79.4 dhe Suedia me 79.1 USD/orë pune. Në lidhje me produktivitetin për çdo banor, vendet që renditen në nivelet e larta janë Luksemburgu 134,754 USD/person, Singapori me 116,487 USD/person, Irlanda me 106,456, Katari me 93,521, Bermuda me 85,192, Norvegjia me 79,201, Zvicra me 77,324, Makao me 73,802, Ishujt Kajman me 72,481 dhe SHBA me 69,287 USD/person. Shqipëria e ka produktivitetin rreth 15 – 16 USD/orë pune dhe produktivitetin për person rreth 17.000 USD/person. Kjo bën që edhe sektori privat në Shqipëri t’a ketë shumë të vështirë, që të krijojë mundësi për investime, pasi gjenerimi i parave nga bërja e biznesit është shumë e vështirë dhe në nivele shumë të ulëta. Me të ardhura të ulëta, bizneset vetëm arrijnë të paguajnë taksat, të blenë lëndën e parë dhe të paguajnë punonjësit, duke mos patur mundësi të kryejnë investime. Këtu ja vlen që të përmendim deklaratën e Ramës kur fitoi zgjedhjet e kaluara që deklaroi se ne kemi një politikë të tillë që ata që kanë biznese do të mund të kenë një rrogë të mirë dhe asgjë më tepër. Kjo mendësi ka sjellë këtë gjendje. Ajo që unë nuk kuptoj ende, është fakti se si ka mundësi që edhe pse me deklarata të kësaj natyre, e ashtuquajtura Parti Socialiste vazhdon ende të votohet e mbështetet. Këtu është e dukshme se ka diçka që nuk shkon: 1) Ose shqiptarët janë injorantë dhe nuk kuptojnë deklaratat e atyre që drejtojnë politikën sot; 2) Ose pjesa më e madhe e atyre që punojnë në administratën publike dhe familjet e tyre janë aq të varfër sa paga që marrin si lëmoshë i bën ata që të mbështesin atë që është në pushtet; 3) Ose pjesa më e madhe e atyre që punojnë në administratën publike dhe familjarët e tyre janë pjesë e korrupsionit galopant; 4) Ose votat vidhen; 5) Ose të tëra këto së bashku, se nuk ka asnjë mundësi tjetër. Sidoqoftë, mundësinë e parë unë e përjashtoj. Shqipëria në fillim të viteve 1980 ka patur një ftesë të bëhej pjesë e Komunitetit Evropian, pasi të ardhurat në atë kohë për banor ishin në nivelin e Portugalisë, Spanjës dhe Greqisë dhe ekonomia shqiptare po performonte mirë. I vetmi kusht në atë kohë për Shqipërinë ishte forma e regjimit dhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Regjimi i asaj periudhe kuptohet që nuk e pranoi ftesën dhe vdekja e Enver Hoxhës i ngadalësoi bisedimet, në vend që t’i përshpejtonte. Kjo mesa duket ngaqë pasardhësit e tij kërkonin më shumë kohë të përgatisnin sigurinë e të ardhmes së tyre, dhe sot e kësaj dite gjendemi përballë portës së mbyllur të Evropës.