Shpopullimi: Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin e 2 milionë banorëve përpara vitit 2035

21
Sigal

Shqipëria hyri në vitin 2025 me një popullsi më të plakur dhe emigracion që thellohet më tej. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane u rrit me 0,8 vjet brenda 1 viti duke arritur në 44,3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arritën në rreth -29 mijë persona. Popullsia ra në 11 qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shkodra pësoi tkurrjen më të madhe. Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorëve përpara vitit 2035. Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, përllogarisin institucionet ndërkombëtare. Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorë përpara vitit 2035.

Të dhënat e reja zyrtare mbi popullsinë treguan se më 1 janar 2025, në vend jetojnë 2,36 milionë banorë, me rënie 1.8% nga Censi i vitit 2023.Tkurrja me më shumë se 27 – 30 mijë banorë në vit, e përqendruar kryesisht te moshat e reja, rrezikon ta çojë treguesin e popullsisë përtej çdo skenari dhe gjithashtu i bën edhe më të vështira zgjidhjet.

Pasojat kanë nisur të ndihen. Vendi ka më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës, ka më shumë të moshuar që dalin në pension. Shkollat në zona të tëra rrezikojnë mbylljen për mungesë nxënësish dhe administrata dhe tregu i punës vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore. Demografët dhe ekspertët e ekonomisë mendojnë se pa ndërhyrje të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të mbahet në funksion ekonomia, pensionet dhe kujdesi shëndetësor. Për ekspertin Ilir Gëdeshi, i cili prej vitesh merret me zhvillimet demografike të vendit, duhen politika urgjente që të frenojnë emigracionin dhe të tjera që nxisin natalitetin në vend. Lindjet nën kufirin 2,1 për grua bëjnë që çdo brez i ri të jetë 40% më i vogël se ai që del në pension, duke e vënë vendin përballë sfidës së ekzistencës në këtë shekull.

Binomi, ekonomi – plakje

 

Përqendrimi i emigracionit në moshat e reja ul drejtpërdrejt produktivitetin potencial, sepse po largohet kapitali njerëzor me arsim dhe gjuhë të huaja, ndërsa rrit barrën e pensioneve për rezidentët që mbeten. Jetëgjatësia më e lartë 80,9 vjeç për gratë dhe 75,3 vjeç për burrat ushtron më shumë presion mbi shpenzimet për pensione e shëndetësi, teksa vendi ynë edhe tani ka shpenzime publike për banorë sa 34% të mesatares së BE-së. Nga ana tjetër, ritmi mesatar i rritjes ekonomike 2015 – 2024 është rreth 3.5% në vit, nuk është i mjaftueshëm për të ngushtuar hendekun me BE-në.Struktura e ekonomisë dominohet nga sektorë me produktivitet të ulët si bujqësi fasoneri, ndërtim dhe turizëm sezonal. Financat publike dhe tregu i punës tashmë janë nën presion. Për çdo vit varësia e të moshuarve ndaj forcës së punës rritet me 1 pikë për qind në vit dhe skema e pensioneve kërkon financime shtesë sa 0,2% të PBB-së në vit. Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, – përllogarisin institucione të tilla si FMN-ja. Emigrimi i përqendruar në moshat e reja po redukton popullsinë e re në moshë dhe rrit peshën relative të të moshuarve. Sipas projeksioneve, Shqipëria do të arrijë një moshë mediane mbi 47 vjeç brenda dekadës, nëse nuk ndryshon trajektorja e lindjeve dhe e migracionit. Rritja e varësisë së përgjithshme nënkupton se për çdo 100 persona në moshë pune, tani ka 57 persona fëmijë apo pensionistë. Kjo thellon presionin mbi skemat e pensioneve dhe shpenzimet e shëndetësisë dhe përkeqëson raportin kontribut-përfitim.

 

Veriu i braktisur, Shkodra, qarku me tkurrjen më të lartë të popullsisë pas Censit

 

Tkurrja e popullsisë së vendit është përshpejtuar gjatë tri viteve të fundit. Me përjashtim të Tiranës, e cila vijon të jetë qendra e gravitetit të emigrimit të brendshëm, në të gjitha qarqet e tjera popullsia ka rënë.Censi i vitit 2023 regjistroi 2,4 milionë banorë. Një vit më pas më 2024 popullsia ra në 2,39 milionë persona, ndërsa parashikimi për 2025-n zbret në 2,36 milionë persona.Humbja kumulative nga Censi 2023 në 2025 është rreth 38,800 banorë. Rënia nuk duket drastike në shifra absolute, por ritmi i tkurrjes është përshpejtuar me 1.2% më 2025, gati tre herë më shumë sesa në 2024 me -0.5%.Nga 12 qarqet e vendit, Tirana është i vetmi qark me rritje të lehtë. Popullsia e saj nga 758 513 banorë në Cens 2023 arriti në 759,981 në 2025, një shtesë modeste prej rreth 1500 personash..Në Veri, Shkodra u tkurr me gati 5000 banorë në dy vite, duke pësuar rënien relative më të madhe me mbi 3%. Një panoramë e ngjashme shfaqet në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ku reduktimi i popullsisë varion nga 2,4% në 3%.