Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për dosjen “SASPAC”, e cila ka të bëjë me abuzimet me fondet e Bashkimit Europian, ku i pandehur është marrë edhe ish-ministri Ilir Beqaj.
Mësohet se shkak i shtyrjes ka qenë mungesa e avokatit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Avokati Ermal Yzeiraj ka paraqitur raport mjekësor, me argumentin se deri në datë 20 qershor ndodhet në regjim shtrati, për shkak të një problemi shëndetësor.
Seanca e radhës u caktua në datën 1 korrik.
Abuzimi me fondet “SASPAC” dhe akuzat ndaj Ilir Beqajt
Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës 2022-2023, ata kanë realizuar tendera fiktivë dhe kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga kontratat e financuara nga Bashkimi Evropian. Pasuritë e dyshuara janë sekuestruar si pjesë e hetimeve, përfshirë prona dhe llogari bankare të lidhura me të pandehurit.
Ilir Beqaj akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim (2 herë); “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim; “Falsifikim i dokumentave”, nga personi që ka për detyrë kryerjen në bashkëpunim, e kryer 9 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda kryer 2 herë; “Mashtrim” kryer në bashkëpunim”, e kryer 3 herë; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, e kryer 3 herë”.
Ilir Beqaj është marrë i pandehur edhe për aferën e sterilizimit për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.





















