Poetesha Leidi Shqiponja ka botuar së fundmi përmbledhjen e re poetike me titull “Thesaret e zemrës”. (Përcjellë në publik nga Shtëpia Botuese “Nacional”.) Libri është përshëndetur nga disa kolegë, sikundër poetesha dhe publicistja Mimoza Erebara. Ndërkohë, më herët, talenti i Shqiponjës është vlerësuar nga i ndjeri Musa Vyshka, lirik i spikatur, si edhe nga poeti dhe historiani i njohur Meçan Hoxha, etj.

Duke qenë gjithashtu një admirues i poezisë së saj, sa edhe i figurës që ajo ka krijuar, si intelektuale dhe aktiviste, duke lexuar dhe rilexuar krijimet e saj të ndjera dhe të vërteta, vetiu më shkoi mendja tek ideja (që mund të ishte edhe nëntitulli i këtij shkrimi) se poetesha në fjalë nuk e njeh fjalën “bujë”. Epo, këto kohë, të rrallë janë ata ose ato që shkruajnë mirë, por nuk bërtasin. (Besoj që ky konstatim do të gjejë shpjegimet e duhura në këtë shënim letrar.)
I thashë ato më sipër sepse në vështrimin tim, teprimi dhe lojërat me poezinë dhe letërsinë në përgjithësi, sot kanë kaluar çdo cak. Narcizmi ka pushtuar rrjetet dhe mediet. Siç përpiqesha të nënvizoja në shënimin tim letrar me titull “Diletantizmi – i kuptueshëm, por i papranueshëm”, ne ndodhemi në një situatë kur “përmasat e frikshme të të shkruarit pa përgjegjësi, etja në rritje për të botuar sa më shumë e çdo gjë, fiksimi i çuditshëm për t’u quajtur me çdo kusht shkrimtar, poet, sa vjen e fryhet (dukuria e kam fjalën) krejt si në fabulën e njohur me bretkosën…” Sot e gjithë ditën, është mbushur bota, edhe ajo e vockëla jonë, me kaq shumë vjersha e fjalë, saqë ndonjëherë të vjen keq pse shkruan (!)
Por tani; nuk kemi për qëllim të frenojmë askënd. Ky është një pasion që rrëmben shumë e shumë njerëz; veças, vajza e gra. Pranëvënien (më lart) e sajova për të kuptuar më mirë se kemi të bëjmë me një autore jo thjesht të apasionuar, por gjithaq të ndërgjegjshme për misionin letrar, një autore që nuk di të shtiret dhe që vërtet meriton më shumë vëmendje. E në këtë pikë, mendimi letrar dhe mediet kanë për detyrë të përzgjedhin më mirë dhe të vënë në dukje ato prirje dhe ato prurje që i shërbejnë realisht publikut, vetë Letërsisë.
Leidi është e njohur më tepër si autore tekstesh; shumë këngë të saj, për të rritur dhe për fëmijë, njihen nga publiku i gjerë. Këngët e saj janë lauruar me çmime kombëtare disa herë. Në traditën e trevës nga ajo vjen, të kënduarit, poezia, janë të natyrshme; është kjo një nga arsyet që poezia e saj shihet aq pranë këngës. Gjithsesi, gjithçka ka filluar nga vargjet, trendi artistik i saj është poezia. Dhe është fjala për një poezi të thjeshtë e plot mendim, të fortë në përmbajtje dhe të butë në të lexuar, “të përulur” dhe të lartë njëherësh; siç është ajo vetë. (“E mira të shëron”, “Shpresën mos e humb”)
Vargjet e Shqiponjës janë asish që të duket sikur i ke pasur edhe ti në mendje; ato vetëm sa shndërrohen sakaq në njëlloj vizatimi të kthjellët dhe realist. (“Zambaku i kanionit”, “Kalon një grua”) Në vjershat më të bukura të saj, edhe në këtë botim të ri, shfaqet bota e madhe e një vajze të thjeshtë që, siç e kam shkruar edhe më parë, ka në deje aq shumë kolorit nga vendi i saj i dashur, një autore që ia kushtoi veten qytetit, trevës ku e duan aq shumë arsimin dhe kulturën. Dhe ajo është një me ta. (“Kur përqafova një fëmijë”, “Në prehër të tokës”)
Poezia mbetet përherë një fushëlule e motiveve që rivijnë natyrshëm dhe e përjetësimeve që vetiu ngarkohen emocionalisht; gjithnjë duke lënë hapësirë për meditim nga ana e lexuesit, por shpesh pa i përjashtuar edhe përfundimet racionale. Poezia është gjinia më e preferuar e të gjithë letrarëve. Por çështja shtrohet disi pa poetikë: pra, si mund të vihet në lëvizje mekanizmi artistik, si i bëhet të përballesh në mënyrë të denjë me publikun që dëgjon art (!) gjithandej dhe, ndërkaq, ka të drejtën e Zotit të kërkojë më të mirën… Fundja, “vlera e poezisë nuk caktohet nga domethënia, por nga forma”, sikundër thotë S. George. Mendoj se edhe në këtë fokus, vjershat e Leidit janë të tilla, që nuk do ta zhgënjejnë askënd, edhe atë më kërkuesin; janë të brishta, të njelmëta, seriozisht e grishin lexuesin në meditim e, njëherësh – e them me gëzim – janë pothuaj të këndueshme; prandaj edhe bëhen shpejt të afërta për publikun. (“Njeriu i mirë”, “Kalon një grua”)
Në shumë krijime (që ku s’i shohim) poetët ose poeteshat pozojnë, bërtasin, kërkojnë me sforcim vëmendje. Ata e mbiluajnë atë pak krijim të tyre që, realisht, mund të mos ketë formatin e duhur për t’i lumturuar; besojnë se ia kanë dalë. Por, duam s’duam, ne dhe ata, lexuesit mbeten të ftohtë. Me raste, shumë krijues e humbasin aq keq toruan, saqë fillojnë e paguajnë për t’u rasur nëpër antologjira pa kurrfarë vlere e për t’u “lauruar” me çmime që nuk tregojnë asgjë; ndjesë, tregojnë narcizëm dhe kaosin e letrave të shkreta.
Kjo nuk ndodh me të pabujën Leidi Shqiponja. E pranoj që do ta “zmadhoj” pak, por nganjëherë, ajo më kujton sjelljen dha fatin e Emili Dikinson, poetes që nuk ngutej të shfaqej dendur në publik, që e mbante shumëçka për vete, pse jo edhe vetë jetën dhe krijimtarinë. (Përvoja mund të ndahet me publikun, por kur të jetë e mbushur, bindëse, fine, e tillë që të tregojë të vetën.) Dhe ajo (Dikinson) thoshte: “Poezia na rrethon kudo, por ta vendosësh atë në letër, mjerisht, nuk është aq e lehtë sa ta shikosh.” Do të më pëlqente të thosha se pikërisht kjo përgjegjshmëri karakterizon edhe Leidin, që nuk boton dhe nuk shfaqet vend e pa vend. Por ndërkaq, nga kënga në këngë, nga libri në libër, poetesha e lidhur fort me truallin e vet, u bë më tërheqëse, erdhi duke e maturuar ‘zërin’ poetik, vargu i saj vjen përherë e më i ndjeshëm, edhe më bindës, pse jo. (“Përkujdesje”, “Njeriu i mirë”)
Vjershat më të bukura të Leidit – kam pasur rastin ta vë në dukje edhe më herët – janë të vërteta, jetësore; ato përcjellin një temë, një përjetim, një përvojë. “Vargjet” e rënduar nga psherëtimat dhe patetizmi, nga përdorimi i figurave të stërthëna, nuk bëjnë pjesë në pëlqimet e saj. Ajo përpiqet ta mbajë poezinë e saj të freskët dhe pa ngarkesa të sforcuara. Ajo fotografon çaste që e vlejnë; kujton, gëzon, rrëfen, përndan histori dhe shpresë… përherë e druajtur, e përmbajtur, por gjithsesi, e mbushur plot dashuri.
Kështu e lexoj këtë mikeshë e kolege, ndër më të talentuarat. Libri i saj “Thesaret e zemrës” është një dhuratë modeste, por e vlertë për poezinë shqipe, për Letrat Shqip.





















