Dardharja, Eva Millona, gruaja e parë shqiptare në administratën amerikane

649
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Vepror Hasani

Niko Balli, kryetari i shoqatës dardhare “Shpresa”: Për herë të parë, lista e plotë e dardharëve të dëgjuar brenda e jashtë vendit

Para pak kohësh, ndoshta para dy javësh, në Korçë u përhap lajmi se Eva Millona, bijë e fshatit turistik të Dardhës, e mirëvlerësuar nga administrata “Biden”, u mërua në Departamentin e Homelande Security, një ngjarje e madhe kjo që ndodh për herë të parë, dhe në këtë rast për herë të parë prtoganiste është një grua, – rrëfen Niko Balli, kryetari i shoqërisë dardhare “Shpresa”, – e cila për herë të parë shënoi marrjen e  postit më të lartë deri më sot në administratën amerikane nga një shqiptare e lindur në Shqipëri. Arritjet e Millonait janë mbresëlënëse, vijon më tej z. Balli, ajo përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës më 1980,  praktikoi në Shqipëri të drejtën civile dhe penale, madje gjatë viteve 1982-1999 në Gjykatën e Rrethit të Tiranës shënoi rastin e gjyqtares më të re. Me emigrimin në SHBA, dardharja Millona drejtoi programin e rivendosjes së refugjatëve në Massachusetts Qendror.  Në vitin 1999 iu bashkua MIRA-s (Massachusetts Immigrant and Refugee Advocacy Coalition), ku fillimisht shërbeu si drejtore e Politikave dhe Avokatisë dhe më pas si zëvëndësdrejtore. Në vitin 2008 mori postin e drejtores Ekzekutive. Tashmë ajo është e njohur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si udhëheqëse e politikave të imigracionit dhe integrimin e imigrantëve dhe refugjatëve.

Banorët e Dardhës
Që nga dita e përhapjes së këtij lajmi, – vijon rrëfimin e vet, Niko Balli, – kryetar i shoqatës së mirënjohur dardhare “Shpresa” nuk po mbetet  banor i Dardhës pa i dërguar, Eva Millonait urimet më të mira dhe përshëndetjet më të ngrohta. Tashmë ata dinë gjithçka për këtë dardhare të shquar. Kontributi i Eva Millonait mbetet i mirënjohur edhe në Komisionin Amerikan për të Drejtat Civile, Këshillin Këshillmor të Guvernatorit të Masaçusetit për Refugjatët dhe Emigrantët, Këshillin e Prokurorit të Përgjithshëm për Amerikanët e Ri dhe Bordin Këshilldhënës për Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Bostonit për Avancimin e Imigrantëve. Shumëkush prej dardharëve, kujton  çmimet e shumta të bijës së tyre për avokatinë dhe udhëheqjen e saj, përfshirë çmimin prestigjioz 2009 Outstanding American by Choice nga Shërbimet e Shtetësisë dhe imigracionit të SH.B.A., dhe Çmimin e Drejtësisë Sociale të Bankës Wainwright 2010.

Niko Balli: Dardha me bibliotekë të hershme
Sigurisht, suksesi i Eva Millonait ishte surprizë, por jo i pabesueshëm, tregon Niko Balli, sepse Dardha gjithnjë ka nxjerrë gra dhe burra të mençur. Dardha është nja fshat i bukur piktoresk, me klimë të freskët, origjina e tij është e hershme. Për këtë fshat ka shkruar Papa Spiro N. Zengu, botuar më 1927 në Athinë, ai solli prej andej edhe mjaft dorëshkrime dhe dokumente që flisnin për këtë vend. Dardha kishte patur bibliotekë që nga fillesat e saj, në kohën e Zengut numëronte 450 volume librash të ndryshme në gjuhën shqip, inglisht, greqisht, frëngjisht dhe rumanisht. Ishte klubi i të rinjve dardharë të Amerikës “Përparimi”, që  dërgoi në Dardhë një pjesë të librave; mes tyre  shkëlqente dhe një tablo e bukur e dhuruar prej kësaj shoqërie prej të ndjerit princ Don Aladro Gjon Kastriot Skënderbeu. Në kishën e Shën Gjergjit të Dardhës gjendej edhe një kod i moçëm i vitit 1856. Banorët ngritën edhe një muze për fshatin e tyre. Për ata që nuk kanë qenë ndonjëherë në Dardhë, – thotë Niko Balli, – mund t’u them që dardharët shquhen për fisnikëri e mirëpritjen e të huajve, janë mësimdashës dhe energjikë për gjithçka të mirë.

Dardha vizitohej edhe nga princesha Mazhide Zogu
Gjatë vizitës së saj në Dardhë, ndër të tjera, princesha Maxhide Zogu tha: “Ju çfaq kënaqsinë t’Eme për inisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’ilustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të mbrendshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë industritë e ndryshme, të cilat influencojnë ardhjen e të huejve në vendin t’onë.  Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me randësi. Jam e sigurtë se inisjativa e juej do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem dhe një sasi e madhe të shqiptarëve, të cilët shkojnë për të veruar ne vendet e hueja, do të mësojnë se në Atdheun t’onë gjinden vise shumë ma të bukura”. Në deklarimin e princeshës Mazhide bie në sy shprehja: “Kjo inisjativë duhet të jetë shëmbull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë”, sepse dardha ishte një shembull i shkëlqyer.

Pararendësit e Eva Millonait
Me këtë rast, na thotë Niko Balli, po sjell disa të dhëna të hershme për Dardhën, të shkruara në revistat e kohës në vitin 1939. Nga ky katund kanë dalë mjaft njerëz që shquhen në dije si: Polikarpi, Theollog dhe Mitropolit i Larisës më 1811, u vra prej turqve më 1821; Isidhor Ikonomi, filolog dhe shok i Polikarpit, ish- profesor në Dardhë, Korçë, Voskopojë, Berat, Kostur dhe Tyrnov; Joan Andoniadhi (Gloxheni), normalist i shquar; Hristaq Themel (Melovani) filolog i diplomuar nga Universiteti i Athinës; Sotir Anastas Nasi, normalist e vjershëtor; Spiro Konda, filolog i diplomuar prej Universitetit të Athinës, profesor në gjimnaz dhe në fund në Normalen e Korçës; Petro Markopuli, i specializuar për pyje; Evangjel Cekos idhem; Pavllo Cica idhem; Pandeli N. Kotepano; Hristo N. Dunka; Hristo I. Laçi, i diplomuar në Filologji dhe në shkollën e P.T.T në Athinë; Theodhor V. Zengo; Sotir V. Nisis normalist; Thoma G. Nasi, profesor muzike; Sotir H. Noke, redaktor i gazetës shqipe “Kandil i Kuq”; Apostoll Kreska, mekanik i diplomuar; Evangjel H. Koleska, i diplomuar nga Politekia e Athinës; Nikolla Per. Kaçuni, i diplomuar prej Politeknisë së Bostonit; Georgjios Laçi, dr. në mjeksi; Spiro Dhimitrovis (Terpaçi) ish-mjek i oborrit të Mbretit të Serbisë në Belgrad; Pandeli N. Gloxheni, mjek në Korçë; Nikolla Gloxheni i diplomuar mjek prej universitetit të Parisit…”.

Dardhës i ka kënduar edhe Asdreni
Niko Balli vijon më tej: Mund të them se është krejtësisht e vërtetë, çdo verë vijnë në Dardhë me qindra vetë  nga qytete të ndryshme. Tashmë u bënë mjaft vjet që Dardha njeh vizitorë të shumtë. Dëshiroj të shprehem me gjuhen e vizitorëve. Që në çastin e parë që i takon ata, të thonë: “Jemi nisur nga qytetat tona ku vapa të merr frymën, asfalti djeg si zjarr e uji avullon, por sapo lëmë Korçën prapa e marrim udhën e Dardhës ndiejmë freskinë e malit, pastaj kilometër pas kilometri vetëm ngjitemi drej majave të maleve, ku ajri bëhet më i ftohtë, më i lehtë dhe vjen një çast kur kupton se je mbushur krejtësisht me frymë. Kur mbërrin në Dardhë gjithçka është krejt ndryshe. Pyjet e Suareve lëvizin degët e përcjellin ajër dhe freski gjithandej,  bari dhe lulet janë ende të freskëta, njësoj si lulet që nxjerrin kokën nga poshtë dëborës. Rrëket e përrenjve vijnë nga çdo anë e njomin ajrin me shkumë. Atë çast ndjen se gjendesh mes shatërvaneve të vërtetë të natyrës…”.  Niko Balli tregon edhe për vizitorët e mbetur të befasuar, të habitur e të mrekulluar, të cilat i shoqëron me një poezi të Asdrenit:
“Në do jetë e ditëbardhë,
gjak në rremba e shëndet,
Merre rrugën shko në Dardhë,
Ku ndjen gaz me të vërtetë”.

Bukura e Dardhës nuk ka të krahasuar
Dardha është një fshat mes malit, ka rrugë edhe brenda fshatit, makina të çon në çdo shtëpi,  klima është e shëndetshme, ky vend frekuentohet vetëm për qejf, jo për hall. Panorama e saj është e bukur, ka vise të mrekulluëshme jo vetëm për shëtitje, por edhe për gatime dhe të pjekura. Kisha e Shën Pjetrit qëndron në majë të një mali, mbi 2000 metra mbi nivelin e detit. Gratë janë nikoqire ngrihen herët në mëngjes, fshijnë oborret dhe  vaditin sokaqet. Dardha i ngjason një qyteti të vogël mesi të malit, mikpritja e tyre është e veçantë, janë njerëz të shkolluar dhe të sjellshëm, të tillë kanë qenë që në krye të herës. Aty gjen një fjetje të lehtë e çlodhëse dhe një ngrënie të paharrueshme, gatesat janë të veçanta, mund të rrish shumë gjatë dhe të mos ndjesh mmërzi qoftë edhe për një minutë të vetme. Ndaj edhe dalja në dritë e dardhares Eva Millona, nuk është e rastësishme.

Emra të tjerë dardharësh të dëgjuar
Tashmë nuk mund të rri pa përmendur dhe një kurorë emrash të tjerë dardharësh të dëgjuar, shton pas pak Niko Balli. “Ata janë: Harallamb P. Dradha, mjek dhe autor i dy veprave shqipe; Gjergji Progri, dentist në Larisë; Kostandin V. Zengo, dentist në Larisë; Dhimitrulla N. Beluri, mami me diplomë; Sotir S. Velio, doktor; Hristo Veluri, ish-mjek në spitalin civil të Athinës; Andrea Vishnja, mjek në Amerikë; Joan Nase, farmacist në Bukuresht; Petro Pani, doktor në Drejtësi dhe gazetar; edhe fëmijët e tij, Gjergji, e bija Vasilika mësuesë në Qifisja të Athinës, e cila ka tre fëmijë: dy theologë dhe nji avokat në Athinë; Jan Dardha, avokat në Egjipt, dhe pastaj u bë nji nga tregtarët e mëdhenj; Ahile Dardha, avokat dhe sekretar i Legatës Greke në Konstantinopol; Thrasibol Nase, avokat në Bukuresht; Sotir Laçi, avokat, sekretar i Legatës Shqiptare në Athinë; Themeli Sotir, gazetar në Patër; Sotir Peci, kimist dhe një nga pjestarët e Regjencës Shqiptare; Johan Millonai, kimist, studioi në Gjermani, si edhe shumë oficerë e burra të tjerë të shënuar ka nxjerrë ky katund i bukur, që bijtë e tij e nderojnë kudo që venë me dijen e tyre, le të jetë pra shembëll dhe për katundet e fshatrat e tjerë të Shqipërisë”.
“Prej këtij fshati të mrekullueshëm rrjedh edhe Eva Millonai, me punën dhe përkushtimin e saj ajo bëri të njohur jo vetëm emrin e vetj, por edhe origjinën e saj, Dardhën.  Ndaj do të vijojmë t’i dërgojmë letra dhe telegrame urimi për gjithçka që ka arritur. Tashmë ajo renditet ndër emrat e shkëlyër të Dardhës”,- përfundoi rrëfimin e tij, Niko Balli, kryetar i shoqërisë dardhare “Shpresa”.