Engjëll Musai: Vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur

174
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Engjëll Musai,
Drejtor i gazetës ‘Telegraf’

Pak ditë më parë Ish- Drejtor i VOA-s për Euroazinë, Frank Shkreli, analizoi në “Telegraf”  krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku viktima të këtij regjimi ishin të gjithë ata persona të cilët dëshironin pluralizmin, lirinë dhe fjalën e lirë me të njëjtat standarde si vendet e Perëndimit dhe SHBA. Pasojat e këtij regjimi ishin burgosja, pushkatimi, internimi dhe dëbimi i cilitdo që shprehej për këto kërkesa minimale që ishin, janë dhe do jenë baza e çdo demokracie. Sot, pas 30 vitesh të rrëzimit të diktaturës komuniste, ende klasa politike që ka pasur pushtetin nuk ka bërë as veprimin më minimal humanist, demokratik dhe pa më të voglin shpenzim: Të dënojë  krimet e komunizmit ,qoftë edhe me një rezolutë në Parlamentin e Shqipërisë. Kaq kërkohet  minimalisht. Por kjo nuk ka ndodhur dhe vështirë se mund të ndodhë, pasi një pjesë e mirë e drejtuesve të pushtetit aktual janë trashëgimtarë  të atij sistemi që ka firmosur, internimin, burgosjen dhe pushkatimin e e të dënuarve të ndërgjegjes dhe Fjalës së Lirë. Pikërisht për të analizuar diktaturën dhe viktimat e saj, analisti dhe ish-Drejtori i VOA-s për Euro-Azinë, botoi shkrimin e radhës  me titull: “Hipokrizia shqiptare me viktimat e komunizmit”.

Zoti Shkreli paraqet si argument për lexuesin rolin e Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Shtetet e Bashkuara, që u  themelua me një akt të Kongresit të SHBA-ve, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”. Ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të kryera në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur, një pjesë  edhe sot, nga regjime komuniste. Si për koincidencë,  pas analizës së z.Frank Shkreli, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, znj. Yuri Kim, është takuar me të riun i cili pak ditë më parë i bëri një koment në foton e saj, duke e quajtur “kineze”, duke komentuar: “Javën e kaluar, ‘@ i.fisart’ bëri një koment në lidhje me “miqësinë shqiptaro-kineze” që më çuditi. Kështu që e ftova për kafe. Ai pranoi. Sot, u ulëm jashtë në diell dhe pimë një kafe dhe bisedë shumë të këndshme për komentin, por edhe për shumë më tepër. Ne biseduam nga jemi dhe si na ka formuar ajo kohë. Fisart është nga Tropoja, një zonë me të cilën u dashurova kur e vizitova para një muaji; vendlindja ime e të parëve është në malet e Koresë, por unë jam rritur në një ishull tropikal. Mësova pak më shumë për të kaluarën e Shqipërisë dhe u preka kur Fisart më tregoi se si Enver Hoxha dhe komunistët u përpoqën të kontrollonin gjithçka – financat, fenë, strehimin, vendet e punës – por ata kurrë nuk mund të kontrollonin shpirtrat e njerëzve”. Ne gjithashtu biseduam për sfidat me të cilat përballen shqiptarët e rregullt dhe ramë dakord që sundimi i ligjit dhe barazia sipas ligjit janë të domosdoshme në mënyrë që të gjithë shqiptarët, jo vetëm elita, të kenë punë me pagesë të mirë, të kujdesen për familjet e tyre dhe të kontribuojnë plotësisht për të ardhmen e vendit të tyre. Gjithçka filloi me një koment të bërë si një shaka të pafajshme, por bëri të mundur një bisedë (dhe miqësinë shqiptaro-amerikane!) Që shpresoj të vazhdojë. Faleminderit, Fisart!”, shkruan Kim.

Dikush duhet t’i thotë të vërtetën  znj.Ambasadore se, kush ishte  diktatori Hoxha.

Këto dy shkrime duket se kanë një lidhje indirekte me njëra tjetrën ku Frank Shkreli mes të tjerash thekson se: “Klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave ka vazhduar për 30 vjet tani, të heshtë, ta paraqesë dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit, sipas interesit dhe trillimeve të rastit, duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet, as dëshirë për t’u përballur me të kaluarën komuniste, as me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të radhës  nga përfaqësues të ndryshëm të politikanëve shqiptarë, pozitë e opozitë, sidomos të përfaqësuesve të kulturës së vjetër komuniste, ose gardës së vjetër komuniste, e cila ka mbizotëruar për tre dekada politikën shqiptare të këtij tranzicioni të pa fund.  Edhe këta pretendojnë të bëjnë shtet?!”

Ndoshta është nisur nga dëshira e mire, por znj. Kim do të kishte bërë veprimin më fisnik nëse për të mësuar se kush ishte Enveri dhe bëmat e diktaturës, të kishte ftuar për bashkëbisedim një ish të burgosur politik, një ish të internuar politik, dhe një pjestar nga familja prej  atyre qindra mijra që janë pushkatuar, një pjese të mirë të të cilëve nuk u dihet as varri. Kurrë nuk është vonë dhe nëse do bashkëbisedojë  me ta, do e kuptojë  më mirë se çfarë ka përfaqësuar Diktatura e Proletariatit, e udhëhequr dhe e ideuar nga Enver Hoxha. Por një gjë është e sigurtë: Të burgosurit dhe persekutuarit politikë të regjimit komunist, janë shumë më shumë humanë dhe paqësor, ata dinë të falin dhe për ta Shqipëria, Perëndimi dhe sidomos Amerika, janë ëndrra që i shoqëroi në burgje dhe në flijim. Ata janë fisnikët e kombit dhe atdhetarët e vërtetë të pavarsisë kombëtare. Me këtë rast sikurse shprehej z.Shkreli, do të kuptohej më mirë se: “Shteti nuk bëhet me mendësi komuniste. Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet komunist dhe as liria nuk vendoset me ligje për kufizimin e lirisë, si për shembëll të lirisë së shtypit. Ashtu siç, as drejtësia nuk mund të vendoset nga ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të komunizmit, disa prej të cilëve kanë gisht në dënimet e viktimave të pafajshme të komunizmit. Madje as atëherë kur ata kanë mbështetjen e turpshme dhe pa rezerva të ambasadave më të mëdha perëndimore. Ndoshta mbyllja më e mirë për këtë raportim modest dhe të ngjashëm, janë fjalët e Presidentit të SHBA-ve Joe Biden më 1 Qershor, 2021, me rastin e 100-vjetorit të masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma: “Por vetëm e vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur. Dhe ndërsa terri mbulon shumë gjëra, ai nuk shlyen asgjë, asgjë!  Disa krime e padrejtësi janë aq djallëzore, aq të tmerrshme dhe shokuese, saqë ato nuk mund të mbulohen nën tokë, pa marrë parasysh sa mund përpiqen disa njerëz për të bërë një gjë të tillë…” Ndaj për ne shqiptarët, lind detyrimi që, historianët dhe akademikët e pavarur, të vendosin  dinjitetin e nëpërkëmbur të historisë, autorët dhe cilindo pasardhës që tenton ta mbajë peng atë.