Çelik Petriti: Si nuk e tërhoqa diplomën e mësuesit të Gjuhës Shqipe, pasi nuk kisha 150 lekë për të paguar kartonin

84
Sigal
  • Në vitin 1972, u ndodha me emocion në zyrë, para Prof. Çabejt, Mahir Domit, Gjovalin Shkurtajt, Xheladin Gosturanit para Kongresit të Drejtshkrimit.

  • Në Durrës, në tren përbri meje, ishte ulur gjuhëtari Remzi Përnaska, i cili më bëri disa vërejtje në temën time që më shërbyen shumë në Kongres.

  • Mahiri më caktoi temën për Gjuhësinë Shqiptare në veçanti, por edhe për Kulturën Kombëtare në përgjithësi

Në vijim të përgatitjeve të Kongresit të Drejtshkrimit, s’vonoi e më thirrën në Institut, i cili, sapo u futa në korridor, më krijoi një Dejà vu; sepse ishte vendosur në godinën e ish – Institutit Dyvjeçar, ku unë kisha kryer studimet.  Më priti atje prof. Mahir Domi, shef i Sektorit të Dialektologjisë asokohe (më duket se edhe nëndrejtor i institutit) në atë zyrën e vet të vogël në katin e dytë, e cila në kohën e studimeve të mia shërbente si sekretari. Prandaj, si në një ekran, më solli episodin për mostërheqjen e diplomës në mungesë të 150 – lekshit për vlerën e kartonit të saj. Ngjitur me të, studioja “me hapësirë më të gjerë” për 4 punonjësit e tjerë të sektorit, me tavolina vendosur në formë katërkëndshi:

Prapa derës tavolina e Prof.Çabejt.

Përbri tij në të djathtë, tavolina e Gjovalin Shkurtajt (më vonë profesor e akademik, por atëherë sapo kishte mbrojtur shkallën e parë të disertacionit). Përballë ajo e Xheladin Gosturanit( atëherë ende pa gradë shkencore e më pas profesor). Ndërsa majtas, në vazhdim, ajo e Jorgji Gjinarit, asokohe me gradën Bashkëpuntor i Vjetër Shkencor e më vonë profesor, vendosur mbi një mikrodysheme dërrase paksa të ngritur, gjë që të orientonte se aty ishte ulur shefi i asaj zyre.

Sërish emocione.

Emocione, sepse aty, kur isha student, zhvilloja ushtrimet e Morfologjisë me Jolanda Klosin dhe ato të Sintaksës me Josif Kolen.  Prof.Mahiri së pari më uroi që isha përzgjedhur si referues në atë event historik, jo vetëm për Gjuhësinë Shqiptare në veçanti, por edhe për Kulturën Kombëtare në përgjithësi. Madje për gjithë historinë e kombit tonë. Së dyti, më bëri të ditur se ajo përzgjedhje nuk ishte bërë pa ndonjë bazë, por referuar përgjigjes sime befasuese në Provimin e Shtetit para komisionit të përbërë nga gjuhëtarët me në zë të kohës, të cilët më kishin fiksuar në memorien e tyre si një studiues premtues.  Më tej, pasi theksoi se prisnin prej meje (dhe kishin besim) një paraqitje dinjitoze, më dha udhëzimet bazike, duke më skicuar skeletin e kumtesës, e cila do të ishte “Drejtshkrimi i numërorëve”. Për natyrën e asaj teme m’u desh të konsultohem me ekuivalencat përkatëse në disa gjuhë të ngjashme me Shqipen për nga struktura si Frëngjishtja, Italishtja e Rusishtja dhe me përvojën e dokumentacionin e financierëve, ku numërorët (sidomos themelorët) kanë denduri përdorimi, etj. Pasi e kisha përfunduar dhe e kisha daktilografuar (kopjen e së cilës e ruaj ende) mora trenin për në Tiranë që ta dorëzoja në Institut dhe, i përhumbur në meditacione rreth asaj ngjarjeje të spikatur të jetës sime, s’kisha vënë re që në Durrës, në kompartimentin përbri meje, ishte ulur gjuhëtari Remzi Përnaska, i cili më vonë do të bëhej profesor e akademik dhe lektorues i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Sorbonës, Francë.  Me të deri atëherë kisha pasur vetëm kontakte tangente nëpër korridoret e institutit tonë në shoqërinë e Prof.Josif Koles, ndërkohë që të dy ata asokohe (njëri në 2-Vjeçar e tjetri në 4-Vjeçar) zhvillonin lëndën e “Ushtrimeve të Sintaksës”, ndërsa direkt e më nga afër do të përballesha në Provimin e Shtetit ku ai ishte anëtar komisioni.  Ai më foli vetë dhe më krijoi afinitet në bisedë, prandaj ia dhashë kopjen e projekt – kumtesës që t’i hidhte qoftë edhe një sy. Natyrisht për të pritur vërejtje e sygjerime. Tej modestisë, s’i kushtova aq shumë vëmendje komplimenteve që më bëri, por fiksova e më mbeti për gjithnjë në mendje sygjerimi i mëposhtëm, të cilin e vura në jetë gjatë ripunimit të kumtesës mbasi ajo ishte diskutuar e miratuar në sektorin përkatës:

– Jo vetëm në Gjuhësi, që është shkencë relativisht ekzakte, por edhe kudo tjetër është mirë që të mos flitet e konkludohet me definicione, por duke përdorur fjalë e togfjalësha modale, ndihmëse përafruese si: “për shembull”, “etj”, “me sa duket”, “natyrisht”, “afërsisht”, “bie fjala”… Ndryshe ato mendime do të të kthehen në “bumerang”. Ah, ato vërejtje do të më shërbenin për përmirësimin e kumtesës, por jo edhe në jetë për çdo gjë tjetër. Më tej, mbas atij takimi të rastësishëm dhe atij në Kongres (tashmë si të njohur) s’më ishte dhënë rasti ta takoja shpesh. Madje ndoshta hiç fare, mbasi ai u largua në Francë.  Kësisoj do të befasohesha tani së fundi kur gjatë promovimit të një libri të Nuçi Kotës (djalit të Koço Kotës, ish – kryeministër në Kohën e Mbretërisë) në Akademinë e Shkencave, përkthyer prej Frëngjishtes, recesionuar nga Përnaska dhe përgatitur për botim nga studiuesi Harallamb Kota (kushëri i autorit), nuk do ta njihja fare atje në presidium deri sa ai mori fjalën, teksa më foli me konsiderata më pas (në sy të të pranishmëve gjatë kokteilit) sikur unë kushedi se çfarë të isha.