Vezët kundër Edi Ramës “pjellin” akuza penale për aktivistët e majtë

933
Sigal

Besar Likmeta

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim 8 studentë, të akuzuar se hodhën disa vezë drejt kryeministrit Edi Rama në formë proteste kundër ligjit për arsimin e lartë – të cilin ata e kundërshtojnë sepse financon me para publike universitetet private. Studentë të Lëvizjes për Universitetin, duke protestuar para Policisë së Tiranës kundër shoqërimit të aktivistëve që qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama. Të mërkurën në gjykatën e Tiranës filloi shqyrtimi i çështjes së ngritur nga prokuroria kundër 8 studentëve, të cilët akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të forcave të rendit, gjatë një proteste simbolike kundër kryeministrit Edi Rama. Ngjarja nën hetim gjyqësor ka ndodhur në 2 nëntor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, në momentin që Rama po largohej nga një takim me grupe interesi të bizneseve të vogla. Pas hedhjes së vezëve, 8 studentë u shoqëruan në polici dhe u mbajtën të ndaluar për rreth 6 orë. Pas incidentit, studentët e akuzuan policinë dhe rojet e gardës së kishin ushtruar dhunë gjatë shoqërimit të tyre. Policia nga ana e saj e mohoi ushtrimin e dhunës. Sipas avokatit Dorian Matlija nga qendra “ResPublica” në Tiranë, i cili është përfaqësuesi ligjor i aktivistëve të akuzuar nga prokuroria, dy nga studentët akuzohen për goditje për shkak të detyrës të kryeministrit, ndërsa të tjerët për kundërshtim të forcave të rendit, sepse presupozohet se kanë bërë një lloj rezistence në momentin që kanë dashur t’i shoqërojnë në makinat e policisë. “Është e paqartë sa vezë janë hedhur, por në dosje kam parë vetëm një fotografi të një veze të rrëzuar në tokë.

Ndoshta në filmim mund të duken më shumë se një,” i tha Matlija. “Asnjë nga vezët nuk e ka prekur kryeministrin, por ligji parashikon dhe një vepër të mbetur në tentativë në qoftë se për rrethana objektive nuk është realizuar- për shembull në qoftë se nuk ka pasur nishan,” shpjegoi Matlija. “Studentët nuk refuzuan t’u bindeshin urdhrave të ligjshme të policisë së shtetit, por u mbrojtën nga dhuna e badigardëve dhe policëve të ndërsyer, që në shkelje të ligjit i rrahën dhe i tërhoqën zvarrë në oborrin e fakultetit,” shtoi Lëvizja. Klodi Hoxha, 22-vjeç nga Tropoja është një nga dy studentet që akuzohet nga prokuroria se ka goditur kryeministrin Edi Rama me vezë. Studentja e vitit të tretë në Departamentin e Shkencave Politike të Universiteti të Tiranës thotë se Fakulteti i Shkencave Sociale – auditorin e të cilit Rama zgjodhi për të mbajtur konferencën me bizneset – konsiderohet si vatra e rezistencës studentore dhe vendi ku është ngjizur Lëvizja Për Universitetin. Klodi Hoxha, e akuzuar nga Prokuroria për goditjen me vezë të kryeministrit Edi Rama. Hoxha kujton se, në 2 nëntor, pasi kishin marrë vesh se “i gjati” kishte ardhur në Fakultet, aktivistët e Lëvizjes kanë tentuar të hyjnë në auditorin ku mbahej mbledhja, por janë ndaluar nga siguria me argumentin se ajo ishte e mbyllur për publikun. “Rama asnjëherë nuk na ka dëgjuar gjatë dy viteve qe kemi protestuar dhe dërguar peticione dhe erdhi në fakultet për të folur për bizneset. Kjo ishte fyerje për ne,” tha Hoxha, duke shpjeguar vendimin e aktivistëve për ta goditur kryeministrin me vezë. Pamje të incidentit të postuara në You Tube, të cilat janë filmuar nëpërmjet një telefoni celular, tregojnë një studente që i afrohet kryeministrit teksa ai largohet nga godina e Fakultetit dhe hedh diçka që nuk dallohet në drejtim të tij, ndërkohë që të tjerë studentë dëgjohen të thërrasin “hajdut” dhe “sharlatan.” Video mbyllet me forcat e gardës që i vërsulen studentëve për t’i neutralizuar dhe më pas i shoqërojnë me forcë drejt një patrulle policie.

Klodi Hoxha kujton se hedhja e vezëve kundër Ramës nuk kishte për qëllim ta lëndonte atë. “Shpëtoi, por nuk është e rëndësishme e kapi apo s’e kapi, se po të donim ta lëndonim ne e gjuanim me diçka tjetër dhe jo me vezë. Ne e kemi thënë vazhdimisht që kjo ishte protestë- një formë proteste brenda limiteve të shprehjes,” tha ajo. Avokati Matlija bie dakord duke thënë që për sa i përket akuzës së ngritur nga prokuroria për “goditje për shkak të detyrës” kemi të bëjmë më një “veprim që është në kuadër të lirisë së shprehjes, edhe pse mbase në kapërcim të kufirit të lejueshëm.” “Qëllimi i tyre nuk ka qenë ta dhunojnë kryeministrin, për t’i bërë atij dëmtime fizike… por ka qenë më tepër për ta bërë pis,” tha Matlija. Sipas avokatit të të drejtave të njeriut, ndërhyrja e policisë dhe e gardës brenda ambienteve të universitetit për të shoqëruar studentët ka qenë e paligjshme. “Ligji për Arsimin e Lartë i jep një lloj imuniteti territorit të universitetit dhe forcat policore mund të hyjnë aty vetëm me leje të titullarit ose kur është duke u kryer një krim në flagrancë e sipër,” tha Matlija. Viki Çipi, një nga studentet e akuzuara për kundërshtim të policisë, i tha BIRN që forcat e gardës, jo vetëm që i kanë marrë me forcë nga ambientet e universitetit, por kanë ushtruar dhe dhunë ndaj tyre. “Ne na kanë tërhequr zvarrë truprojat civile dhe jashtë kangjellave jemi përballur me policë që ka ushtruar dhunë,” tha 22-vjeçarja. “Ne na kanë rrëmbyer nga fakulteti, ndërkohë na kanë vënë nën akuzë se kemi kundërshtuar forcat e policisë,” shtoi ajo. Çipi i tha BIRN që me 2 nëntor, studentët ndjeheshin të provokuar nga kryeministri, i cili pasi kishte bërë një vesh shurdh ndaj protestave të tyre për dy vjet, kishte zgjedhur pikërisht fakultetin e tyre për të biseduar me bizneset. “Në qoftë se kthej kokën mbrapa dhe të isha në të njëjtën situatë, prapë do ta bëja këtë gjë,” tha Çipi. “Unë po protestoja kundër kryeministrit për t’i treguar që arsimi nuk është e drejtë vetëm për të pasurit që i kanë xhepat plot, por edhe për të varfrit,” shtoi ajo.