Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Vrasja e mizës

73
Sigal

Në sallën e madhe të bibliotekës ku unë dredh zinxhirin për pothuaj dy orë në ditë, u shfaq një mizë. M’u aty tek kapaku i albumit të Pikasos. Ta vras, mos ta vras?!! Kjo ishte dilema. Jo se kërkohej mund i madh, jo se kisha mëshirë për mizën, por druhesha mos më qortonte Pikaso. Kësaj ia kisha frikën. Aty pari kaloi zonja Ashley, drejtoresha e bibliotekës. -Çfarë po bën? – më pyet ajo. -Po rrekem të vras një mizë – i them. Asaj i shpërtheu e qeshura, por unë nuk ia pashë se e kishte të fshehur nën maskë. -Po vrite, çfarë pret, se mos duhet ndonjë aftësi e madhe për të vrarë një mizë, apo jo? -Aftësi nuk duhet, por unë druaj se mos më qorton Pikaso. -Eh, kush po pyet tani se çfarë thotë Pikaso!… Dhe, si tha këto fjalë bosja ime u zhduk në punë të saj. E pashë që po zbriste në katin e dytë, aty ku kishte zyrën. Të nesërmen e takova sërish zonjën Ashley në hollin e madh ku varej portreti i zonjës Elizabeth, asaj që e kishte themeluar bibliotekën dyqind vjet më parë.  Dukej e gëzuar ngaqë, më në fund, me urdhër të saj, u hoqën detektorët elektronikë në hyrjet e bibliotekës. Unë, ç’është e vërteta, u habita pakëz, sepse thashë me vete, tani kushdo mund ta fusë një libër nën sqetulla dhe pa e regjistruar tek librari, mund ta marrë për fare. Se detektorët nuk do të japin më atë alarmin e zëshëm për librin që doli vjedhurazi… I thashë zonjës Ashley: -A nuk të duket se kështu cënohet siguria e librave? Po sikur dikush të nxjerrë nga arkivi kopjen e botimit të parë të “Hamletit”? – E çfarë pastaj? Punë e madhe se dikush vodhi një libër të vjetër. Ne kemi halle të tjera më të mëdha për të përballuar. Kush e ka mendjen tek Shekspiri?!!… Nuk e mora vesh për çfarë hallesh të mëdha e kishte fjalën zonja Ashley, por tek e fundit, pse duhet ta vras mendjen t’i di të gjitha. Kur u ndamë, zonja Ashley më pyeti me një farë qesëndie: -E vrave dje mizën ti, apo jo? -Jo, – i thashë – u druajta mos më qortonte Pikasoja. -Pika që nuk të bie – tha duke qeshur zonja Ashley – çfarë piktori do bëhesh ti kur nuk ke kurajo të vrasësh as edhe një mizë në sy të Pikasos… Miza vazhdonte të vërtitej në sallë duke gumëzhitur e lirë. Pikasoja nuk tha asnjë fjalë, megjithëse e dëgjoi dialogun të gjithin. Hamleti dridhej një kat më poshtë tek arkivi, i trembur se mos e rrëmbenin. Dhe zonja Ashley, thithte një puro kubaneze në zyrën e saj duke mbajtur mbi supe halle të mëdha, të cilat unë i gjori, nuk arrija t’i kuptoja…