Vala e aferave përvëlon zyrtarët

16
Sigal

Ilir Beqaj ‘ngujohet’ në SPAK për dosjen e sterlizimit. Merren nën hetim ish kryebashkiakët Roshi dhe Cipa si dhe 10 persona për fallsifikimin e lejeve në Petrelë. Komiteti i Helsinikit: Drejtësia po ndjek standart të dyfishtë me zyrtarët e inkriminuar

Ilir Beqaj refuzon të paguajë 10 milionë lekë, por ‘ngujohet’ në SPAK për të lexuar aktet e dosjes së ‘Sterilizimit’

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kërkuar që të njihet me aktet e dosjes për të cilën është hetuar dhe që i takon çështjes së koncesionit të sterilizimit.SPAK ka bërë me dije se Beqaj duhet të paguajë 10 milionë lekë për t’u njohur me dosjen, por ky i fundit ka refuzuar. Me sa duket Beqaj ka gjetur një zgjidhje tjetër. Ai ka vendosur të rrijë gjithë ditën në SPAK për të lexuar aktet e dosjes. Ai ka kërkuar kohë prokurorëve për të lexuar vetë aktet e dosjes. Që prej orës 9:00 të ditës së enjte prokurorët i kanë vënë në dispozicion dosjen, në një dhomë të posaçme ku qëndrojnë avokatët, për t’u njohur me të. Mësohet se Beqaj ka qëndruar për disa orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, teksa ka lexuar 700 fashikujt e dosjes së tij. Avokati i ish-ministrit deklaroi se pagesa prej 1.2 milionë lekësh është faturë e kripur. Ai shtoi se situata është skandaloze dhe absurde. Në dalje nga SPAK, edhe Beqaj mbrojti deklaratat e avokatit. Beqaj dhe avokatët e tij do të duhet të njihen me aktet dhe e premtja është dita e fundit kur mund të dorëzojnë pretendimet për hetimet e prokurorisë përpara se dosja të paraqitet në GJKKO, për të nisur hetimet. Ish-ministri i Shëndetësisë, Beqaj është nën akuzë për koncesionin e Sterilizimit, bashkë me 8 persona të tjerë, mes tyre dhe ish-zv.ministri Rrjepaj dhe biznesmeni Rrapaj. Ish ministri Beqaj refuzoi që të paguante 1 milion e 200 mijë lekë për çështjen. Këto janë akte nënligjore të miratuara nga Prokuroria. Secila prokurori dhe gjykatë ka të miratuar faturën për secilin akt dhe procedurë, ndërsa ky është rasti i parë kur një zyrtar refuzon të paguajë një faturë. Beqaj do të ndjekë procedurat ankimuese. Fakti që është një faturë kaq e lartë, mesa duket bëhet fjalë për një dosje voluminoze.

ElvisRoshi, ish-kryebashkiaku i Kavajës do hetohet nga SPAK/ Stefan Çipa paraqitet në Prokurorinë Speciale

SPAK vijon të hetojë të tjerë zyrtarë socialist që kanë mbajtur poste të larta shtetërore në vite. Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi i akuzuar për shpërdorim detyre, por me nje vendim të  Gjykatës së Durrësit për pushimin e procedimit penal ndaj tij, tashmë do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Ky vendim është marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Durrësit për pushimin e procedimit penal ndaj ish-kryebashkiakut të PS.

Bëhet fjalë për një çështje të nisur pas kallëzimit të KLSH, mbi auditimin e kryer gjatë janarit të 2013- 2014, kur bashkia e Kavajës, drejtohej nga Elvis Roshi. Në këtë auditim, u gjetën disa parregullsi në fushën e Urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën 33 milion lekë në buxhetin e shtetit.

Ndërkohë një tjetër ish zyrtar i lartë socialist është parë ditën e enjte në dyert e SPAK-ut. Bëhet fjalë për Stefan Çipa ish zv Ministër i Brendshëm, por që më herët ka mbajtur edhe postin e Kreut të Bashkisë Sarandë. Nuk ka ende një informacion pse z.Cipa është thirrur nga SPAK, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë thirrur si një nga zyrtarët që ka dijeni për çështjen e inceneratorëve.

E teksa në dyert e SPAK-ut paraqiten për ditë zyrtarë socialist një tjetër ish kryebashkiak ka lënë ditën e enjte qelinë e burgut. Bëhet fjalë për  ish kryebashkiakun e Fushë Arrëzit FranTuci, i cili ishte i dënuar për shpërdorim detyre.

Tuci ka shlyer dënimin e 1 vit e 6 muaj me kohën e qëndrimit në paraburgim, ndaj GJKKO pranoi kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit. 234 milionë lekë të vjetra është dëmi i përllogaritur nga SPAK në buxhetin e shtetit për të cilin Tuci dhe dy të tjerët u shpallën fajtor, lidhur me shpyllëzimin e një zone për hapjen e një rrugë.